Marrëveshja


Tenderi – KESH ka shitur dje një sasi tjetër energjie për eksport, por oferta rezultoi në minimumin historik, 16.5 euro për megavat.


Energjia KESH_1KESH dhe OSHEE kanë rënë dakord që të tregtojnë energji drejtpërdrejt me njëra-tjetrën, njoftojnë burime pranë dy kompanive shtetërore. Me ndërmjetësimin e Ministrisë së Energjisë dy kompanitë shtetërore kanë vendosur të tregtojnë drejtpërdrejt me njëra-tjetrën për të shmangur privatët. Marrëveshja e detyron Operatorin e Shpërndarjes që përpara se të hapë tender për të blerë energjinë me të cilën mbulon humbjet të kontaktojë fillimisht KESH dhe jo privatët. Po kështu, edhe KESH përpara çdo shitjeje energjie është i detyruar që të kontaktojë në fillim OSHEE-në dhe më pas nëse kjo e fundit nuk ka nevojë, atëherë mund ta shesë te privatët. Marrëveshja paracakton edhe çmimin me të cilin KESH do t’ia shesë energjinë e tepërt OSHEE-së. Sipas kontratës, çdo sasi do të kuotohet me çmimin mesatar të bursës hungareze në ditën që kryhet lëvrimi i energjisë. Megjithatë, përpara se të hyjë në fuqi marrëveshja mes dy kompanive duhet të marrë edhe miratimin e Entit Rregullator. Burime pranë ERE-s thanë për “Shqip” se është gati rregulloren e re të quajtur “Rregullat e Tregut të Energjisë Elektrike”, por ishte në pritje të të përcaktimit të Modelit të Tregut të Energjisë, i cili është fiksuar në projektligjin për sektorin e energjisë, që po diskutohet në Kuvend. Burimet saktësuan se do ta shqyrtojnë marrëveshjen KESH-OSHEE dhe do ta miratojnë nëse nuk dëmtohen operatorët e tjerë të tregut. Në fund të dhjetorit 2014 mbaronte afati i rregullores së tregut të energjisë, por ERE mori vendim për ta shtyrë efektin e saj deri në 31 mars 2015. Në bazë të ligjit në fuqi për sektorin e energjisë elektrike, KESH i shet energji Operatorit të Shpërndarjes vetëm për të përballuar nevojat e konsumatorëve të rregulluar, si familjarët dhe pjesa më e madhe e bizneseve. Ndërsa pjesën humbjeve në rrjet, OSHEE është e detyruar ta zëvendësojë duke blerë nga importi. Ky import rezulton të jetë më i shtrenjtë se eksporti i KESH. Kompania njoftoi dje shitjen e një sasie tjetër energjie për eksport, por oferta rezultoi në 16.5 euro për megavat, më e ulëta e shënuar ndonjëherë.


Z.A.