Banorët e dy komunave rrëfejnë peripecitë që vijnë nga mospastrimi i dy km rrugë


Ardi Hoti 


situata ne Dukagjin (1) Prej dy javësh, dy komunat Shalë dhe Shosh të Dukagjinit janë tërësisht të izoluara nga pjesa tjetër e vendit për shkak se rruga është e pakalueshme nga dëbora. Janë konkretisht 15 fshatra me rreth 2 mijë banorë në këto dy komuna që kanë mbetur tërësisht të izoluar.


Rruga në borë


situata ne Dukagjin (2)Komunat e izoluara kanë dy rrugë nacionale për t’u lidhur me pjesën tjetër të vendit. Njëra lidhet me Shkodrën, që është rruga e Malit të Shoshit dhe tjetra është rruga e Thethit në Qafën e Thorës, që lidhet me Malësinë e Madhe. Të dyja këto akse, aktualisht janë të pakalueshme nga bora, e cila arrin në mbi një metër. Gjatë sezonit të dimrit e gjitha zona e Dukagjinit përdor rrugën e Malit të Shoshit, pasi rruga në Qafën e Thorës në Theth deri në pranverë nuk mund të hapet për shkak të reshjeve dhe ortekëve të dëborës që bien çdo vit në këtë zonë në kohë dimri. Por dhe rruga e Malit të Shoshit rezulton e bllokuar prej dy javësh për shkak të reshjeve të fundit të dëborës. Në këto kushte, banorët janë në mëshirë të fatit. Ata që duan të dalin në Shkodër u duhet të ecin të paktën 30 minuta deri në një orë në këmbë në borë, aty më pas janë disa automjete që presin pasagjerë për të vazhduar rrugën drejt Shkodrës.


Rrugëtimi për në Dukagjin në kohë dimri është një sakrificë më vete. Një rrugë tepër e vështirë malore me shkëmbinj dhe humnera të thella të shoqëron gjatë gjithë kohës deri në fshatin Kir të Komunës së Pultit, që është dhe komuna e parë e Dukagjinit. Në këtë zonë gjurmët e borës duken vetëm në majat e maleve, por sa fillon dhe lë pas Komunë e Pultit dhe ngjitesh në Malin e Shoshit, për në brendësi të Dukagjinit, vjen takimi i parë me borën. Sa më shumë ngjitesh, aq më i vështirë fillon të bëhet kalimi për shkak të borës në rrugë. Në vendin ku rruga bëhet e pakalueshme gjinden disa furgonë, që presin pasagjerët, të cilët zbresin në këmbë nga Qafa e Malit. Aty, zona është kthyer në një pikë stacioni që bëjnë linjën Shosh–Shkodër.


Shoferi i furgonit


Një nga shoferët e furgonit, Lazer Pali, tregon sesi presin me orë të tëra njerëzit që zbresin nga malet. “Qëndrojmë këtu pasi rruga nuk kalohet as me zinxhirë, ka shumë borë. Është për të ardhur keq se këtu nuk vë dorë njeri. Mund të jetë vetëm 2 km rrugë e bllokuar nga bora dhe askush nuk vjen për të hapur rrugën. Këtu janë fëmijë, gra, pleq që ecin një orë në këmbë për të zbritur nga Qafa e Malit deri te furgoni. Komunat Shalë dhe Shosh janë dy komunat më të populluara të Dukagjinit janë me mijëra banorë që kanë mbetur të izoluar dhe duhet bërë diçka se këtu kur është puna për zgjedhje të gjithë vijnë e bëjnë sikur interesohen shumë për ta”, tregon Lazër Pali.


Ndrekë Doçi


Ndërsa një banor i Komunës Shalë, Ndrekë Doçi, i cili ka ecur mbi një orë në këmbë në borë, tregon peripecitë e jetesës në këto ditë të ftohta dhe të izoluar nga bora. “Jam nga fshati Breg i Lumit i Komunës Shalë, kam ecur mbi një orë në këmbë për të dalë te makina. Kemi dy javë të bllokuar dhe pavarësisht zërit që kemi ngritur në gjitha instancat, askush nuk reagon. Nuk e dimë se çfarë duhet të bëjmë që shteti të na dëgjojë. Ne jemi mijëra banorë të izoluar prej dy javësh, na mungojnë ushqime, ilaçe, ka njerëz të sëmurë dhe askush nuk reagon. Si ka mundësi që të lihet një popull i tërë në mëshirë të fatit. Nuk kemi asnjë rrugë kalimi. Ka njerëz që po vdesin vetëm për 2 km rrugë të bllokuar nga bora”, thotë Doçi. Pavarësisht se dy komunat e Dukagjinit kanë dy javë të izoluara, ende askush nuk shihet në terren për të punuar, me qëllim që të hapë rrugën. Tashmë duket se e vetmja shpresë për këto banorë është shkrirja e dëborës nga rritja e temperaturave.