Politikë Bllokimi i dekreteve për Gjykatën e Lartë, PD fajëson mazhorancën

Bllokimi i dekreteve për Gjykatën e Lartë, PD fajëson mazhorancën

55
0
SHPËRNDAJE

Përplasja

Bylykbashi: Krizën po e thellon qeveria. Braho fajëson Nishanin

Bylykbashi-sotBllokimi i dy dekreteve të Presidentit Bujar Nishani për emërimin e dy anëtarëve të Gjykatës së Lartë nga mazhoranca e majtë ka risjellë dhe një herë përplasjet mes dy kampeve të politikës. Kreu i shtetit ka propozuar që nga 16 janari emrat e Markelian Koçajt dhe të Fuat Vjerdhës si kandidatë për anëtarë të Gjykatës së Lartë, por ka kaluar më se një muaj dhe komisioni përgjegjës, ai i Ligjeve nuk e ka shqyrtuar akoma, duke mos kryer seancat dëgjimore. Për këtë situatë, nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi fajëson mazhorancën, e cila tashmë ka kthyer në një krizë situatën aktuale në Gjykatën e Lartë. “Ky kryeministër që nuk i pëlqen Gjykata e Lartë, sepse nuk po funksionon ashtu siç mendon ai, kur Gjykata e Lartë mund ta kërcënojë eventualisht nesër në lidhje me gjykimin e aferave korruptive të ministrave të tij. Kur institucionet e tjera të pavarura e pengojnë në punën e tij ose do t’i përdorë kundër gjyqësorit, siç është rasti i ILDKPKI-së, pastrimit të parave që është nën kontrollin e tij, apo element të tjerë që i përdor për të goditur, të gjitha këto janë shenja shqetësuese për një sistem oligarkik”, shprehet Bylykbashi për “Ora News”. Për demokratët, rrëzimi i pesë dekreteve vjen nga fakti se qeveria synon ta vërë nën kontroll Gjykatën e Lartë. “Tentativa e qeverisë për të vënë nën kontroll mekanizmin e emërimit të Gjykatës së Lartë është diçka që po e thellon këtë krizë në kurriz të qytetarëve”, theksoi Bylykbashi. Por, deputeti i LSI-së, Spartak Braho, për këtë situatë të krijuar fajëson kreun e shtetit, i cili nuk po bashkëpunon me mazhorancën për emrat e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. kjo krizë ka vetëm një emër dhe ky emër është Bujar Nishani. U bë gati një vit që sillen propozime për anëtarë të Gjykatës së Lartë në shkelje të ligjit. Me të drejtë Kuvendi dhe mazhoranca nuk i miraton, por i rrëzon”. Katër ditë më parë, kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, shprehu shqetësimin për bllokimin e procesit të plotësimit me anëtarë të Gjykatës, për të cilën faji kryesor i mbetet politikës.

 

 

Kume

Partitë po shkelin rekomandimin

e Venecias për Kodin Zgjedhor

 

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, fajëson partitë politike për moszbatimin e rekomandimit të Komisionit të Venecias sa u përket afateve për ndryshimin e ligjit zgjedhor. “Mazhoranca dhe opozita nuk i gjetën dot fjalët e përbashkët për ta realizuar këtë proces, procesin e reformës zgjedhore. Arsyet dhe argumentet pse janë për mendimin tim janë vetëm justifikuese dhe jo të qenësishme. Jemi absolutisht larg zbatimit dhe të rekomandimeve të Komisionit të Venecias, që lidhet me faktin që ndryshimet në legjislacionin zgjedhor nuk duhet të bëhen 6 muaj para zgjedhjeve të radhës. Dhe kërkesa për një afat të tillë kohor ka nga mbrapa shumë arsye pse kërkohet të bëhet e tillë. Administrata zgjedhore nuk duhet të vihet në vështirësi”, deklaron Kume. Ish-kreu i KQZ-së e sheh bllokues propozimin e Kuvendit, që për çdo bashki të ketë 1 qendër numërimi, ndërsa Tirana vetëm 3 të tilla. “Nëse i gjithë dokumentacioni zgjedhor do të përqendrohet në një vendnumërim, fizikisht kam përshtypjen se do të jetë i shumë voluminoz për ta administruar procesin. Një përqendrim i tillë i procesit të vlerësimit dhe numërimit të votave në kushtet e këtyre njësive të mëdha që ne kemi, do ta vështirësojë goxha procesin dhe rezultatet do t’i marrim me goxha vonesë”, thotë Kume.