Sociale Infermierët, padi në administrative kundër Ministrisë së Shëndetësisë

Infermierët, padi në administrative kundër Ministrisë së Shëndetësisë

91
0
SHPËRNDAJE

Urdhri

Beqaj njofton me një shkresë të protokolluar zhvillimin e testimit

mjeke-proteste-2Asnjë pretendim, akuzë apo thirrje e infermierëve dhe mjekëve nuk ka arritur të bindë ministrin e Shëndetësisë për të anuluar vendimin për testimin e punonjësve të shëndetësisë. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare në Ministrinë e Shëndetësisë, të cilët u kundërpërgjigjen zërave kundër me një njoftim, si informacion publik: “Në përgjigje të interesit të trupës së punonjësve të sistemit të kujdesit shëndetësor, lidhur me procesin e vlerësimit të njohurive dhe aftësive praktike të personelit infermieror në kujdesin shëndetësor spitalor për vitin 2015, Urdhri i Ministrit të Shëndetësisë, Nr. 79, datë 12/02/2015, përcakton se ky proces do të kryhet sipas kategorive dhe datave të mëposhtme: Për personelin infermieror, të punësuar në shërbimin spitalor universitar, procesi i vlerësimit të kryhet në datat 28 shkurt 2015 dhe 01 mars 2015; Për personelin infermieror, të punësuar në shërbimin spitalor rajonal, procesi i vlerësimit të kryhet në datën 06 mars 2015; Për personelin infermieror, të punësuar në shërbimin spitalor bashkiak, procesi i vlerësimit të kryhet në datat 20 mars 2015 dhe 21 mars 2015”. Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, tanimë të formuluar në një shkresë të protokolluar, siç e kërkuan edhe mjekët, përjashtohen nga procesi i vlerësimit për vitin 2015 kategoritë e mëposhtme: Infermieret (femra) lindur përpara datës 1 janar 1958; Infermierët (meshkuj) lindur përpara datës 1 janar 1953; Personeli infermieror, i licencuar nga Urdhri i Infermierit pas datës 1 janar 2014. Zyrtarisht mësohet se Urdhri i Infermierëve të Shqipërisë ka depozituar në Gjykatën Administrative një padi kundër Ministrisë së Shëndetësisë, me objekt shfuqizimin e urdhrave të ministrit Ilir Beqaj, që rregullojnë zhvillimin e testimit të infermierëve. Burime në Gjykatën Administrative bëjnë me dije se padia është depozituar rreth orës 14:45 të ditës së enjte, ndërkohë që presidenti i UISH, Sabri Skënderi, sqaroi disa ditë më parë për gazetën “Shqip” se qëllimi është anulimi i vlerësimit të aftësive të personelit infermieror. “Objekti i padisë është shfuqizimi i dy urdhrave të ministrit Beqaj për zhvillimin e testimit të infermierëve, si dhe pezullimi i zbatimit të urdhrit për zhvillimin e procesit të vlerësimit në kujdesin spitalor, deri në përfundim të gjykimit të çështjes. Padia jonë bazohet te paligjshmëria në zhvillimin e procesit të testimit, si dhe te paniku e terrori që është krijuar te bluzat e bardha, si pasojë e zhvillimit të tij”, shpjegoi presidenti i Urdhrit të Infermierit. Sh.Mezini