“Gjoba” 500 lekë


Kameriere-prostituta në lokal, ekstradohet


Interpol Tirana ekstradoi dje nga Milano një 47-vjeçar të dënuar për “shfrytëzim prostitucioni” dhe “mbajtje e lokaleve për prostitucion”. Dejvit Shkrela, 47 vjeç, banues në Fier, prillin e vitit të kaluar, u la në burg nga Gjykata e Lushnjës. Më datën 30 mars 2014 në Ardenicë-Fier është kryer një operacion nga shërbimet e policisë së Qarkut të Fierit. Dejvit Shkrela punësonte në lokalin e tij femrat si kameriere, ku dy prej tyre, gjatë ushtrimit të detyrës, shpeshherë kryenin marrëdhënie seksuale me klientë të ndryshëm kundrejt shpërblimit. Nga paratë që merrnin për çdo klient duhet t’i jepnin Dejvit Shkrelës shumën 500 lekë.


 


Rinas


Në kërkim nga Holanda për vrasje, kapet në ikje


Policia Kufitare në Rinas ndaloi dje një 31-vjeçar shqiptar, me banim në Angli, pasi ishte shpallur në kërkim nga Gjykata në Holandë, pasi ishte akuzuar për “pjesëmarrje në organizatat kriminale”, “vrasje”, “ushtrim dhune” dhe “transport i lëndëve narkotike”. Ndalimi i tij u bë në orët e vona të së martës, teksa ishte duke dalë nga Shqipëria. Policia thotë se u kap shtetasi në kërkim ndërkombëtar Roland Pashaj, 31 vjeç, banues në Angli, pasi dyshohet se Gjykata e Holandës ka lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar më 19 shkurt 2015, për “pjesëmarrje në organizatat kriminale”, “vrasje”, “ushtrim dhune” dhe “transport i lëndëve narkotike”.