Rajon Vetëvendosje, zyrtarisht me kryetar Visar Ymerin

Vetëvendosje, zyrtarisht me kryetar Visar Ymerin

560
SHPËRNDAJE

Ai zëvendëson themeluesin e “Lëvizjes”, Albin Kurti. Haradinaj shpall zgjedhjet e brendshme në parti

Visar YmeriJanë dy parti të përfshira në lëvizje të brendshme, nga të cilat duket se njëra të paktën ka sjellë një ndryshim: Lëvizja Vetëvendosje, nga e diela e djeshme, udhëhiqet tashmë zyrtarisht nga Visar Ymeri, i cili u shpall kryetar nga Këshilli i Përgjithshëm pas përfundimit të procesit zgjedhor brenda Lëvizjes. Me të marrë detyrën e re, Ymeri u zotua se përgjegjësinë e re do ta shndërrojë në angazhim për një Kosovë që do të vendosë vetë. “Ky vit do të jetë një vit i zhvillimeve të përgjithshme për Republikën e Kosovës, por edhe për organizatën tonë, sepse edhe Lëvizja Vetëvendosje është në proces ristrukturimi”, ka thënë Ymeri, duke vijuar më tej me fjalët “kudo ku ka padrejtësi, kudo ku ka cenim të interesit të përgjithshëm, Lëvizja Vetëvendosje do të jetë aty bashkë me qytetarin, kundër padrejtësisë e shkeljes apo cenimit të interesit”. Visar Ymeri vjen në krye të Vetëvendosjes, pasi Albin Kurti vendosi që të qëndrojë vetëm si aktivist i thjeshtë i Lëvizjes. Ndërkaq, vetë lideri i deritashëm i Vetëvendosjes, Kurti, falënderoi aktivistët dhe anëtarët e partisë përpara se të uronte Visar Ymerin dhe kryesinë e re të Lëvizjes Vetëvendosje.

 

Kush është Visar Ymeri?

Por, kush është Visar Ymeri? – Ai ka lindur në vitin 1973, dhe ka ndjekur studimet për media, filozofi, letërsi dhe politikë në “City and Islington College” në Londër, për të vazhduar më pas me studimet për sociologji në Universitetin e Prishtinës. Nga viti 2005, Ymeri është aktivist i Vetëvendosjes. Para angazhimit të drejtpërdrejtë në politikë, deri në vitin 2008, ai ka punuar në Trustin Pensional të Kosovës. Karriera e tij politike kishte filluar të merrte të përpjetën pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2010, në të cilat Vetëvendosja po merrte pjesë për herë të parë. Në këto zgjedhje, ai kishte marrë 6 mijë e 892 vota, duke u radhitur i nënti në listën e të votuarve të Vetëvendosjes, në krye të së cilës ishte Kurti. Por, në zgjedhjet e fundit, Ymeri ka katërfishuar votat e qytetarëve. Ai ia ka dalë të jetë personi i dytë më i votuar në Vetëvendosje, menjëherë pas Albin Kurtit. Nga mandati i parë, e në vijim, Ymeri është edhe shef i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes.

 

Haradinaj shpall zgjedhjet në AAK

Po dje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj, ka vendosur në Kuvendin e saj të Punës që më 21 mars të këtij viti të fillojë zgjedhjet brenda partisë. Ramush Haradinaj tha se këto zgjedhje dhe ndryshimet në parti, po bëhen për të ndryshuar gjendjen në vend, e cila, sipas tij, është rënduar shumë nga udhëheqësit aktualë. “Qytetari i Kosovës, votuesi, qoftë ai i PDK-së, LDK-së, i cilësdo parti, sot nuk ndihet krenar, nuk jeton me dinjitet ashtu siç i kanë thënë dikur. Nuk e heton që është në mision të ri, nuk e heton që është në sloganin numër një ‘Ne mundemi’, por, e heton se është i dorëzuar në mëshirën e fatit se çfarë do t’i ndodhë atij sot, nesër e ditëve që vijnë”, tha Haradinaj. Sipas kreut të AAK-së, për të dalë nga kjo gjendje, politikanët duhet ta kuptojnë realitetin dhe të bëhen të sinqertë me qytetarët.

 

SHKRIME TË TJERA ME INTERES
[related_posts limit=”5″]