Extra Big Brother Në “Big Brother”, juristë, menaxherë dhe figura televizive…

Në “Big Brother”, juristë, menaxherë dhe figura televizive…

2334
2
SHPËRNDAJE

“Big Brother 8″/ Mbi 10 banorë pritet të hyjnë sot në shtëpinë më të madhe në vend, për të nisur një aventurë të jashtëzakonshme televizive

Një nga spektaklet më të ndjekura televizive “Big Brother Albania”, rikthehet sot në mbrëmje në edicionin e tij të 8 në ekranin e “Top Channel”. Emocione dhe plot surpriza pritet të shoqërojnë orët e këtij transmetimi televiziv, që ashtu si çdo vit pritet të mbajë me sytë përpara ekranit mijëra shikues. Stafi i “Big Brother” është duke u dhënë fund përgatitjeve dhe për ta hapur sot shtëpinë për banorët. Këtë vit, “Big Brother” do të drejtohet nga prezantuesi i njohur i “Top Channel”, Ledion Liço. Por Liço nuk do të jetë vetëm në këtë aventurë. Ai do të ketë dhe një partner tjetër nga brenda shtëpisë që është vetë “Big Brother”. Tashmë të shtunat e Ledionit për javë të tjera do të ndryshojnë. “E shtuna e fundit që kaloj në shtëpi, nga ajo e javës tjetër, do të jem brenda katrorit të televizorit, uroj, që edhe këtë vit, sikundër gjithmonë, të jeni duke parë, programin që kaq shumë e doni! Big Brother…”, shkruante Ledioni në faqen e tij në Facebook një javë më parë. Mbi 10 banorë do të hyjnë në natën e parë në shtëpi, por shifrën e vërtetë Vëllai i Madh kërkon ta lërë surprizë për shikuesit. Numri i aplikantëve për të marrë pjesë në këtë aventurë televizive edhe këtë vit ka qenë i madh.  Vëllai i Madh këtë vit e ka bërë përzgjedhjen duke u bazuar në karakterin e secilit personazh. Janë zgjedhur karaktere të ndryshme, përfaqësues të kategorive të ndryshme të shoqërisë shqiptare, nga qyteti apo fshati, brenda apo dhe jashtë Shqipërisë. Banorët janë të profesioneve e shkollimeve të ndryshme. Por kryesojnë ata me diploma e eksperienca pune të forta. Do të shohim këtë vit brenda shtëpisë, juristë, menaxherë biznesi, studentë, por edhe figura të njohura të ekranit. Ashtu si çdo vit Vëllait të Madh i pëlqen t’i vendosë banorët përballë sfidave. Por sfida më e vështirë që do të kalojnë në këtë edicion është tundimi për para e pushtet. Banorëve do t’u duhet të përballen me fitimin e parasë e pushtetit, por edhe të dinë të mbajnë atë që do të fitojnë që të mos u kthehet kundër asnjë prej vendimeve që marrin brenda lojës. Çdonjëra prej kandidaturave shpallet zyrtarisht banor i “Big Brother 8” vetëm në momentin kur Ledioni i përcjell zyrtarisht për në shtëpinë e “Big Brother”. Ashtu si çdo vit dhe shtëpia e “Big Brother” do të ketë ndryshime. Autorët e programit thonë se janë shtuar disa ambiente të reja që do të shërbejnë si vende të përshtatshme për thashetheme. Përveç dhomës së rrëfimit do të ketë edhe një tjetër ambient që do të shërbejë për marrjen e vendimeve. Për 100 ditë, kjo shtëpi shndërrohet në shtëpinë më të njohur në vend. Banorët brenda saj bëhen më të famshmit duke u ndjekur në çdo lëvizje apo histori që jetojnë brenda kësaj hapësire. Në edicionet e mëparshme, “Big Brother” është shndërruar në një ngjarje që ka prodhuar diskutime mbi fenomene të ndryshme të shoqërisë shqiptare. Çdo personazh duket sikur përfaqëson një shtresë e cila pasqyrohet më së miri përmes jetës apo mendimeve që ai përçon aty brenda. Faqja zyrtare e “Big Brother” në “Facebook” do të jetë më aktive, dhe këtë vit të gjithë ndjekësve të kësaj faqeje do t’u jepet mundësia të bëhen pjesë e vendimmarrjeve të caktuara. Të dielave nuk do të mungojë as “Big Brother Fans Club”, në ekranin e “Top Channel”. Olti Curri dhe Albana Osmani do të diskutojnë me fansat zhvillimet e javës brenda shtëpisë së “Big Brother”. “Shihemi sërish në “Big Brother Fans Club”, të dielave, në ekranin e TCH. Kemi shumë për të diskutuar e komentuar pasi banorët të kenë hyrë në shtëpi. Shihemi pra, të dielave!”, shprehen ata në faqen e “Big Brother” në “Facebook”. Vjet edicionin e 7 të “Big Brother Albania” e fitoi Nevila, një vajzë e thjeshtë që me jetën e saj plot vuajtje u kthye në një frymëzim për shumë njerëz duke dalë nga kjo aventurë me çmimin e madh.

 

Fituesit e “Big Brother” në vite

1 – Arbëri

2 – Qetësori

3 – Jetmiri

4 – Ermela

5 – Arbëri

6 – Anaidi

7 – Nevila

  • shkelqim

    mirsevjen bik bradher

    • elbasan

      nga ky koment kuptoj kush nivel njerzish e shikon !