Extra Big Brother Sokoli lë aventurën e tij në “Big Brother”, dhe i kërkon ndjesë...

Sokoli lë aventurën e tij në “Big Brother”, dhe i kërkon ndjesë Edisonit

1784
0
SHPËRNDAJE

Përplasje dhe emocione mes banorëve ka sjellë spektakli i mbrëmshëm “Big Brother Albania 8” në ekranin e “Top Channel”

Vetëm një javë ka zgjatur ëndrra e tij në “Big Brother”. Vëllai i madh e ka penalizuar dje Sokolin, duke e bërë të mbyllë aventurën për çmimin e madh. Djali 32-vjeçar i diplomuar në Rusi për balerin dhe që punon si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit  nuk mundi ta çonte deri në fund ëndrrën për 100 milionët. Ai u thye që në debatin e parë përballë Edisonit 33-vjeçar nga Peshkopia, i cili për një kohë të gjatë ka jetuar jashtë Shqipërisë në Itali dhe Greqi. Emocione të papritura, por dhe debate mes banorëve kanë shoqëruar orët e spektaklit të mbrëmshëm “Big Brother Albania” në ekranin e “Top Channel”. Nën prezantimin e Ledion Licos dhe opinioneve të Mimoza Ahmetit, mbrëmja e djeshme duket sikur zbuloi më shumë karakteret e banorëve edhe pse kanë vetëm një javë brenda shtëpisë. Përplasjet për të qenë lider, i ka bërë banorët të nxjerrin në pah ambiciet e tyre. Aq më tepër loja në të cilën i ka vendosur Vëllai i Madh, paraja. Në studio ishte i pranishëm dhe Edisoni i cili tregoi si e kishte përjetuar ikjen. “Që në fillim e vura se askujt nuk i pëlqeu të kishin lider, pasi mendonin se diçka ishte predispozuar, ose e vendosur. Secili prej tyre nuk ishte i lumtur që kishin lider. Nuk pashë një version më të mençur në raport me paranë. Para saj të gjithë m’u dukën naivë”, tha opinionistja Ahmeti lidhur me debatet që banorët patën gjatë javës për paranë. Sipas saj, atyre nuk iu dha koha e mjaftueshme për t’u lidhur me njëri-tjetrin, aq shumë sa të ishin të qartë si do të silleshin kur në mes futej paraja. “Por një gjë është evidente që paraja i bëri të gjithë agresivë”, tha Ahmeti. Ajo i bëri një pyetje Eleonorës, duke i thënë se “Për sa para do ta hante një pjatë me gjinkalla të gjalla?” Përgjigjja e Eleonorës ishte “për aq sa është çmimi këtu”. Nuk kanë munguar as debatet lidhur me mungesën e cigares dhe kafes brenda shtëpisë, gjë që ka sjellë tension te banorët, po kështu dhe ushqimi i kufizuar. Ledioni i pyeti sërish dy protagonistët e javës së kaluar Zaidën dhe Edisonin, liderët e parë të zgjedhur nga Vëllai i Madh, lidhur me konfliktin për paratë. Për Zahidën, vendimi për të blerë cigare ishte se ajo s’mund të rrijë pa to. Por Edisoni tha se do ta kishte pranuar këtë vendim, nëse ajo do t’i donte cigaret për banorët. Sherri mes Edisonit dhe Sokolit që penalizoi Edisonin gjatë javës, është diskutuar gjatë spektaklit. Edisoni tregoi se sherri nisi pasi po dëgjonte Sokolin që po diskutonte me Zaidën lidhur me jetën e saj. Ai kishte hyrë të mbronte atë si një femër me një jetë të vështirë dhe që ka një koncept tjetër për bashkëshortin e ardhshëm. Por kjo ndërhyrje do të sillte tension mes dy banorëve që do të çonte deri në vendimin e Vëllait të Madh për ta larguar Edisonin. Ndërsa Sokoli i kërkoi ndjesë Edisonit për debatin, duke thënë se nuk i pëlqeu mënyra sesi ai u soll me banorët, pasi u shpall lider nga Vëllai i Madh. Sipas tij, Edisoni u soll si bej duke i trajtuar banorët si skllevër. Ndërsa banorët e tjerë treguan se dy djemtë kishin karakter të njëjtë dhe kjo i bënte ata të mos shkojnë mirë me njëri-tjetrin. “Do ishte mirë që t’i kishim injoruar të dyja palët, e mos të merreshim me diskutimin e tyre, pasi kjo u dha më shumë hov për ta vazhduar sherrin. Të gjitha kanë qenë debate të varfra kot, që nga momenti kur nisi sherri. Atë ditë që nisi sherri ata të dy e kishin tepruar me pijen”, tha Eleonora. Por Edisoni tha se banorët u bënë me Sokolin për t’iu kundërvënë atij. “Ky debat nuk është real. Nuk kishte ndonjë gjë reale përveçse fjalë. Ne i japim shumë rëndësi fjalës e jo numrave. Dhe meqë fjala është baza e ndërgjegjes sonë është shumë e rëndësishme nëse dikush ta thyen fjalën. Më vjen shumë keq që ndodhi e gjitha”, tha Moza Ahmeti. Ajo e pyeti Sokolin në do e donte Edisonin brenda e mos të ndodhte kjo. Përgjigjja e tij ishte “po”.

Dhe në fund ishte vëllai i madh ai që do të jepte vendimin final për Sokolin, në duhet që ai ta vazhdonte lojën. Vendimi i tij ishte fatal për Sokolin, i cili e la shtëpinë pa mundur të çonte më tej ëndrrën për të cilën u fut, çmimin e madh. Gjatë spektaklit është folur dhe për flirtet e para që kanë nisur të shihen brenda shtëpisë. Banorët nuk e kanë fshehur simpatinë apo tërheqjet që kanë ndaj njëri-tjetrit.