Koalicionet e partive
Skema e opozitës, e njëjtë me atë të zgjedhjeve parlamentare
HERION MESI
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, do të ndjekë të njëjtën skemë që ndoqi me aleatët e tij të djathtë lidhur me përzgjedhjen e listës për kandidatët për kryetarë të bashkive. Në marrëveshjen e koalicionit që pritet të nënshkruhet këto ditë, krerët e partive të vogla do të shprehen pro listave të njëjta për anëtarët e këshillave të ri bashkiakë që do të krijohen nga zgjedhjet e 21 qershorit. Duke marrë parasysh reduktimin e njësive vendore në 61 të tillë, aleatët shpresojnë që tashmë të kenë akses më shumë te këshilltarët e këshillave të këtyre bashkive, të cilët, sipas ndarjes së re, shtohen në çdo njësi. Ndërkaq, mësohet se i vetmi kriter i përfaqësimit të partive të djathta në këshillat bashkiakë do të jetë pikërisht vota që ato do të mund të mbledhin në 61 garat që do të zhvillohen më 21 qershor në të gjithë vendin. Sipas burimeve nga selia blu, mësohet se në bazë të këtij kriteri, ajo parti e koalicionit të djathtë që do të përfitojë më shumë vota në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të 21 qershorit, pritet që të ketë edhe një numër më të lartë përfaqësimi në rang këshilltarësh në njësitë vendore. Një tjetër pikë e negociatave të këtyre ditëve ka qenë dhe shikimi i mundësisë që në zona të caktuara, ashtu si dhe dy vite më parë, emrat e partive të vogla të jenë në listën e këshilltarëve të PDsë. Në zgjedhjet e 23 qershorit të vitit 2013, u përdor nga ish-kryetari i atëhershëm, Sali Berisha, një skemë e tillë për përfshirjen e aleatëve në listat shumemërore të deputetëve, por ajo u praktikua vetëm për krerët e partive aleate dhe jo në mënyrë masive. Ndërkohë që mbetet për t’u parë nëse Basha do të bëjë përjashtime për parti të veçanta apo do t’i qëndrojë besnik kriterit të vendosur nga ai vetë, atë të votës që do të grumbullojnë secili nga të vegjlit e djathtë.
Zgjedhjet e 2011-s
Nëse për kryetarët e bashkive dhe komunave koalicioni i majtë “Aleanca për të Ardhmen” do të fitonte masivisht, situata ishte e ndryshme për këshillat bashkiakë, pasi koalicioni i djathtë “Aleanca për Qytetarin” do të merrte më shumë këshilltarë. Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, rezulton se “Aleanca për Qytetarin” do të drejtonte në 167 njësi, ndërsa “Aleanca për të Ardhmen” në 117 njësi. Shifra këto që do të ndryshonin dy vjet më vonë, pas kalimit të LSI-së në kampin e majtë, një kalim që do të ndryshonte edhe balancat e drejtimit të këshillave bashkiakë e komunalë në të gjithë vendin.
Pretendimet
Sa u përket kërkesave për një përfaqësim të opozitës me kandidatët e propozuar nga të vegjlit, gjatë këtyre dy javëve që ka nisur procesi i negociatave me PD-së, janë të paktën gjashtë parti politike që kanë shprehur interesin për të pasur kandidatin e tyre në garën për kryetarë të bashkive. Kështu, republikanët kanë kërkuar të kenë kandidatin e tyre në Durrës, ku është propozuar emiri i Agron Dukës, Sarandë, Shijak, Vorë dhe Kukës, por deri më tani, republikanët duket se kanë marrë Vorën, Shijakun, Librazhdin dhe Elbasanin. Demokristianët e Nard Ndokës shprehën interesin për të paraqitur kandidaturën në Pukë, FushëArës, Lezhë, Sarandë, Rrëshen e Kurbin, por që u refuzuan nga kryedemokrati Basha. PLL-ja e Sulejman Gjanës, gjatë këtyre ditëve, ka kërkuar që të garojë për Bashkinë e Matit, kërkesë kjo që nuk u mor parasysh nga demokratët. Ndërsa Bashkimi Liberal Demokrat kërkoi që të garojë në Elbasan me kryetarin e saj, Arian Starova, kërkesë kjo që nuk u pranua nga Basha, i cili vendosi të rikthejë Ardian Turkun në këtë qytet. Ndërsa Balli Kombëtar Demokrat i Artur Roshit, do të ishte partia e parë e vogël që negociatat do t’i mbyllte më herët se partitë e tjera, ku arriti të bindë Bashën që t’i besohet kandidati i saj në Delvinë dhe në Këlcyrë.
Partitë e koalicionit të djathtë
Partia Demokratike e Shqipërisë
Partia Republikane
Lëvizja për Zhvillim Kombëtar
Partia Agrare Ambientaliste
Partia Lëvizja e Legalitetit e Shqipërisë
Partia Bashkimi Liberal Demokrat
Partia Balli Kombëtar Demokrat
Partia e të Drejtave të Mohuara e Re
Partia Konservatore Shqiptare
Partia Ora e Shqipërisë
Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar
Partia Rruga e Vërtetë Shqiptare
Partia e Emigracionit Shqiptar.
Partia për Europianizimin dhe Integrimin e Shqipërisë
Partia Popullore Kristian Demokrate