Ministria e Drejtësisë: Astrit Shema i dha pronësinë J. Qiricit vetëm me një vendim të vërtetimit të faktit juridik të vitit 1998
Faksimile – Vendimi i Gjykatës Administrative të Vlorës është dhënë më 17 dhjetor 2014 nga gjyqtari Astrit Shema. Në këtë vendim, kullota prej 30 hektarësh në gjirin e Llamanit i ka kaluar në pronësi një shtetasi 100-vjeçar nga Himara
Sokol Çobo

Tjetërsimi i pronës shtetërore vazhdon të jetë një problem madhor, veçanërisht në bregdet, ku çmimi për metër katror është shumë i lartë. Institucionet “kujdesen” për t’u kthyer individëve prona, megjithëse nuk janë pajisur me dokumente pronësie, por vetëm me disa vërtetime të dyshimta. Rasti i fundit ka ndodhur në Himarë, e cila ka pasuar problemet e shumta të pronave shtetërore në Vlorë. Gjykata Administrative e Vlorës i ka kthyer një qytetari pronën rreth 30 hektarë, në afërsi të një prej plazheve më të bukura në rivierën e Jugut. Pronat, sipas vendimit gjyqësor që disponon gazeta “Shqip”, ndodhet në gjirin e Llamanit, pak kilometra larg qytetit të Himarës, me një peizazh piktoresk. Burime zyrtare nga Ministria e Drejtësisë pohojnë se në drejtim të kësaj gjykate në Vlorë ka shkuar një grup kontrolli, që do të verifikojë vendimmarrjen e gjyqtarit Astrit Shema. Ministri Naço ka dyshime se vendimi është i paligjshëm, pasi personi që ka fituar pronësinë ka paraqitur në gjykatë vetëm një vërtetim fakti të vitit 1998. Gjyqtari Shema ka pranuar kërkesën e 100-vjeçarit J. Qirici, duke urdhëruar Hipotekën e Vlorës ta regjistrojë këtë pronë në emër të tij.
Inspektimi
Ministria e Drejtësisë tha dje zyrtarisht se ka marrë në dorë një raport të Task-Forcës, i cili verifikon ligjshmërinë e mënyrës së tjetërsimit të pronave të paluajtshme shtetërore. Kjo strukturë ka kërkuar procedimin disiplinor të gjyqtarit Astrit Shema, gjyqtar pranë Gjykatës Administrative së Shkallës së Parë Vlorë. Pas raportit, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, ka urdhëruar nisjen e inspektimit të menjëhershëm të rastit pranë kësaj gjykate.
“Nga shqyrtimi i akteve bashkëngjitur kërkesës së kësaj Task-Force, rezulton se më herët se Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë kishte vendosur refuzimin e regjistrimit të pronës, me një sipërfaqe prej 29.28 ha, pranë gjirit të Llamanit, Himarë, për shkak të mungesës së titullit të pronësisë, kur kërkuesi dispononte vetëm një vendim të vërtetimit të faktit juridik të vitit 1998”, thotë Ministria e Drejtësisë.
Vendimi
Gazeta “Shqip” ka siguruar vendimin e Gjykatës Administrative të Vlorës, me numër vendimi 1860, i dhënë në datën 17 dhjetor 2014. Sipas këtij vendimi, gjyqtari Astrit Shema ka shqyrtuar në seancë publike çështjen civile me numër 2001. Paditësi në këtë proces, të paktën sipas vendimit, është shtetasi J. Qirici, i datëlindjes 9 mars 1915, 100 vjeç. Në proces, ai është përfaqësuar nga avokati Elton Malaj. E paditur, në këtë rast, ka qenë Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, e përfaqësuar nga Suela Kocia, e cila është autorizuar nga regjistruesja Ina Luçaj. Megjithatë, në vendimin e 17 dhjetorit, Hipoteka e Vlorës nuk është paraqitur në seancë gjyqësore, duke hedhur të tjera hije dyshimi.
Objekti i padisë ka qenë “shfuqizimi i urdhrit të ZVRPP-së Vlorë me numër 10207, protokoll të datës 27 tetor 2014. Gjithashtu, objekti ishte detyrimi i palës së paditur për regjistrimin në regjistrat e pasurive të paluajtshme, të pasurisë e llojit kullotë, me sipërfaqe 29.28 ha, e ndodhur në numrin kadastral 1952, në zonën me emër Sinavar 6.44 ha, Agrimith 8.24 ha, Skllavarozhë 12.4 ha dhe Llogar 2.2 ha (në total 29.28 ha)”.
Gjykata, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, pasi administroi provat, dëgjoi pretendimet e palës paditëse dhe vendosi pranimin e kërkesë-padisë së J. Qiricit. “Detyrimin e palës së paditur, ZVRPP-ja Vlorë, të kryejë veprimet e nevojshme paraprake për regjistrimin e pasurisë së paluajtshme në regjistrat e saj për pronësinë e llojit kullotë me sipërfaqe 29.28 ha, me kufizimet dhe gjendjen e faktit pasqyruar në aktin e ekspertimit të kryer nga ana e ekspertit të caktuar prej gjykatës për këtë çështjes, znj. Gjyzela Alibehaj (Murataj), akt-ekspertimi i cili është pjesë e këtij gjykimi”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Prona 30 ha
Hipoteka – E Vlorës nuk e ka pranuar kërkesën e J. Qiricit për regjistrimin e një prone prej 30 hektarësh në afërsi të gjirit të Llamanit në Himarë
Gjykata – Në dhjetor të vitit të kaluar, gjyqtari Astrit Shema urdhëroi Hipotekën të regjistrojë këtë truall në emër të 100-vjeçarit J. Qirici
Ministria – Ditën e djeshme, ministri i Drejtësisë, urdhëroi inspektimin e gjyqtarit Shema, pasi ka dyshime për tjetërsim të pronës publike