Kulturë Gurëzeza – Qyteti i panjohur ilir

Gurëzeza – Qyteti i panjohur ilir

3222
SHPËRNDAJE

Udhëtim në gjurmët e arkeologëve

Ilirjan Gjika

U nisëm drejt Gurëzezës në një ditë marsi me shi. Së bashku me Marin Memën dhe ekipin e tij të “Shqipëria tjetër” u takuam në Fier. Me makinën e tyre përshkruam nëpërmjet arteries së re rrugore Levan-Tepelenë ato 17 kilometra që ndajnë Fierin nga Cakrani, një nga vendbanimet më të vjetra dhe më të njohura të krahinës së Mallakastrës. Pikërisht aty do të përqendroheshim për të parë nga afër tre “stacionet” arkeologjike të tij të harruara tashmë, si Thikëzën, Mashkjezën dhe atë më të rëndësishmin, Gurëzezën.

Pas një udhëtimi prej njëzet minutash mbërritëm në Cakran, njëri prej fshatrave më të mëdhenj të Rrethit të Fierit. Me një pozitë gjeografike të favorshme midis Vjosës dhe Gjanicës, Cakrani përmendet edhe për kontributet e rëndësishme në historinë e shekullit XX, si dhe për personalitetet e shumta që ka nxjerrë nga gjiri i komunitetit të tij. Por, ai fsheh në nëntokën e tij të pasur edhe artefakte të rëndësishme, të cilat deri diku janë lënë jashtë vëmendjes së kujtesës sonë kolektive. I vendosur në fushën me të njëjtin emër, ai është banuar pa ndërprerje që nga parahistoria e deri në ditët tona. Pikërisht këtë vendosëm të shohim nga afër megjithëse “vizitën” na e vështirësoi deri diku shiu, i cili atë mesditë nisi të binte shtruar dhe pa ndërprerje.

E ndërsa ai nisi të vetën, ne e filluam turin e udhëtimit tonë në gjurmë të arkeologëve në Thikëz, që ndodhet në pjesën jugore të Cakranit, pranë fushës së sotme sportive. Quhet kështu për shkak të mjeteve prerëse prej guri që dilnin herë pas here në sipërfaqen e tokës. Por vendbanimi i periudhës neolitike doli në dritë vetëm në vitet ‘60, të shekullit të kaluar pas punimeve bujqësore që nisën të bëheshin me traktor përgjatë fushës. Kjo bëri të mundur zbulimin e vendbanimit neolitik në vitet 1969-’70 nga arkeologët, i cili dokumenton deri tani gjurmët më të vjetra të shfaqjes së njeriut në rajonin e Mallakastrës. Vendbanimi fushor i Thikëzës i përket periudhës së neolitit të mesëm. Në të u gjetën një sërë banesash me planimetri katërkëndëshe dhe vegla pune prej guri si thika, sëpata, maja shigjetash, vegla kruese, mokra bluarjeje, si dhe një inventar i pasur enësh qeramike që i përkisnin disa formave, ngjyrave dhe stileve të ndryshme të punimit. Nuk i mungonin edhe ato mjetet prej kocke apo stolitë si unaza dhe rruaza (M. Korkuti – Zh. Andrea. Iliria. III. 1974).

Pasi e vëzhguam zonën dhe fokusuam në objektivin e kamerës edhe disa copëza guri dhe qeramike që kishin dalë rishtazi në sipërfaqen e tokës, nisëm ngjitjen drejt kodrës së Cakranit, Gurëzezës. Për këtë qëllim morëm rrugën e hapur disa kohë më parë që anën lindore të saj. Vetëm pas disa metrash ngjitjeje e kuptuam se ishte e pamundur të vazhdoje më tej. Të detyruar nga balta dhe rrëketë e ujit që zbrisnin në të dyja anët e rrugës u detyruam të linim makinën dhe të vijonim rrugën në këmbë. Duke ecur e kuptuam se me makinë në Gurëzezë mund të shkohet vetëm në kohë të thatë. Diku në gjysmë të rrugës u ndalëm dhe prej aty nisëm të kundronim kodrën e afërt të Mashkjezës, të cilën prej Gurëzezës e ndan veçse një luginë e vogël.

***

Mashkjeza është një kodër në pjesën verilindore të Cakranit, në të cilën arkeologët gjetën rrënojat e një fortifikimi me sipërfaqe 0.25 ha. Vendasit e njohin me emrat “Gorë” ose “Qytet”. Gjurmët e jetës datojnë nga shekulli VII p.K, që i përkasin periudhës paraqytetare dhe vazhdojnë deri në shekullin XIII. Gërmimet e zhvilluara në vitin 1983 nga Neritan Ceka dhe Skënder Muçaj nxorën në dritë fakte të ndryshme nga periudhat antike dhe mesjetare. Antikitetit i përkasin disa banesa që ndodhen në shpatin jugor të kodrës, qeramikë vendase dhe të importuar nga Apolonia, si dhe monedha të Dyrrahut dhe të Apolonisë.

Ajo u shndërrua në një qendër të vogël të fortifikuar, që kontrollonte rrugën që lidhte fushën e Cakranit me luginën e lumit Gjanica, e cila të çonte drejt fortesës së Belishovës dhe qytetit të Margëlliçit. Ndërsa periudhës së Mesjetës i takojnë rrënojat e mureve rrethuese, një stere, një kulle, një furrë, qeramika, si dhe monedha të shekujve X-XIII, kohë kur mendohej se kështjella në Mashkjezë i përkiste selisë së një feudali lokal.

Pasi folëm diçka rreth saj dhe pritëm Denianin të filmonte planet e tij nisëm ngjitjen në pjesën më të “fortë” të së përpjetës që të çonte në akropolin e Gurëzezës. Mes terrenit rrëshqitës në baltën argjilore të rrugës, arritëm së fundmi në majë. Aty na u shfaq pjesa e sipërme e qytetit, me muret rrethuese, sterrën e ujit, bazilikën mesjetare, ndërtesat rrënoja dhe teqenë e mëvonshme të Baba Refatit.

E kështu pas asaj ngjitjeje emocionuese nuk e kishim të vështirë të flisnin për qytetin antik dhe mesjetar, emri i të cilit edhe sot ka mbetur i paidentifikuar. I pari që e vizitoi atë ishte arkeologu austriak, Prashniker, gjatë Luftës së Parë Botërore. Ai e quajti atë Gurëzezë për shkak të gurëve bituminozë me ngjyrë të errët që ndodheshin në faqet e kodrës apo të malit të Cakranit.

Më pas Gurëzezën e përfshinë në studimet e tyre arkeologët shqiptarë Neritan Ceka dhe Skënder Muçaj, në studimet e të cilëve mbështetim edhe në referencat tona. Duke u bazuar në to, theksojmë se qyteti në Gurëzezë kishte një sipërfaqe prej 23 ha dhe ngrihej mbi shpatin jugor të kodrës prej 508 m të lartë. Ai kishte një planimetri katërkëndëshe dhe rrethohej nga mure me gjatësi prej 2100 metrash. Gurëzeza kishte si funksion të kontrollonte rrugën Apoloni-Bylis, fushën e sotme të Cakranit dhe luginën e Gjanicës dhe zotëronte një ekonomi të zhvilluar zejtare-tregtare. Kjo duket nga mbetjet e shumta të punishteve të qeramikës dhe te gjetja në vitin 1978 e një thesari prej 2500 monedhash antike që i përkisnin Apolonisë, Dyrrahut dhe Orikut. Ndërkohë, rreth emrit të Gurëzezës ekzistojnë disa hipoteza. Njëra prej tyre e formuluar nga arkeologu Neritan Ceka thekson se qyteti në Gurëzezë mund të ketë qenë Barguli, por deri më sot nuk janë gjetur mbishkrime që ta zgjidhin përfundimisht këtë problem.

Të gjitha këto biseda i zhvilluam përgjatë kreshtës së Akropolit.

Arkeologët mendojnë se qyteti që ndodhej në Gurëzezë dhe ai që ndodhej në territorin e Margëlliçit fqinj, pranë Patosit të sotëm, mund të kenë qenë së bashku pjesë e një koinoni tjetër dhe jo atij bylin. Ky koinon mund të ketë qenë ai i Balaitëve. Prania e monedhave të Apolonisë dhe qeramika e shumtë vendase janë disa prova në këtë drejtim. Këtë e përforcon edhe gjetja e objektit antik siç është “Hallkoma e Balaitëve”, një pllakë bronzi e shkruar që i përket gjysmës së parë të shekullit II p.K. Sipas saj, pleqësia dhe këshilli i Balaitëve i jepte një kurorë të artë peripolarhut Aristen Parmenit, komandantit të trupave kufitarë të Apolonisë fqinje (N. Ceka. Iliria. II. 1987).

Po kështu, historia thekson se ky qytet mund të jetë shkatërruar gjatë luftës së tretë iliro-romake, diku në vitin 167 p.K, ashtu si pjesa më e madhe e qyteteve të Epirit fqinj. Ndërkohë, në antikitetin e vonë, ai mund të jetë rimëkëmbur në një hapësirë më të vogël. Këtë e dëshmojnë fortifikimet e vona antike. Po kështu, të dhëna të tjera që na vijnë nga periudhat e mëvonshme e Mesjetës pohojnë ekzistencën e një qyteti të fortifikuar që korrespondon deri diku me rrënojat e Gurëzezës, që i ndeshim tek “Aleksiada” e Ana Komnenës. Aty përmenden luftimet midis normanëve dhe Bizantit në vitin 1108, të cilat janë zhvilluar në territoret midis Gllavinicës (Bylisit) dhe fushës buzë Vjosës, në të cilën ndodheshin të ankoruara anijet flotës normane. Midis të tjerave, kronistja bizantine shkruan se kur komandanti bizantin Kantakuzeni, duke iu larguar Gllavinicës iu afrua një qyteze që quhej Myli që ishte pranë Vjosës, të cilën më pas e rrethoi dhe e dogji. Në këtë pikë duket se ka vlerë edhe ideja e hedhur herët nga Ceka se kështjella e Mylit mund të identifikohet me atë të Cakranit, në të cilën janë gjetur gjurmë të ndërtimeve mesjetare. Kështjella mund të jetë edhe përdorur edhe më vonë, pasi është meremtuar edhe prej anzhuinëve, gjatë vendosjes së tyre në këtë trevë diku në vitet 1272-1280. Objektet e gjetura së fundmi nga ekspedita arkeologjike e vitit 2009, ku mund të përmendim praninë e një bazilike dhe të një kulle vrojtimi i japin një farë domethënie kësaj teze.

***

Sapo nisëm zbritjen prej Gurëzezës shiu pushoi. Kjo gjë na dha mundësinë të shijonim tashmë peizazhin përreth, ku shquheshin qartë Cakrani, kodrat e Mallakastrës, lugina e Vjosës, ajo e Shushicës fqinje, malet e Labërisë, deri më tej gjiri i Vlorës dhe Karaburuni. Ecnim dhe bisedonim. Zbritja na çlodhi dhe temat e bisedave tona u bënë shumë të larmishme. Ato çuditërisht u endën që gërmimet e arkeologëve, për të vijuar me gurët e zinj të kodrës, pozita e fortifikuar e saj apo ekskursionet përvitshme të shkollave të Cakranit. Së fundmi u ndalëm te rrugëtimi ynë i sotëm. Pavarësisht se ai na doli paksa “jashtë planit” u bindëm tashmë se trendi më i ri i turizmit këtu do të jenë ekskursionet, por jo si i yni në këtë ditë me shi, ku së bashku me Marinin dhe grupin që e shoqëronte vizituam Gurëzezën, qytetin e harruar ilir.