Selia blu, e paqartë për rrugën që do të ndjekë për zëvendësimin e Altin Bibës


Herion Mesi

Altin BibaKandidati i propozuar nga Partia Demokratike për Bashkinë e Kurbinit, Altin Biba, një javë pas zyrtarizimit të tij, është dorëhequr nga pjesëmarrja në garë, ku shkak, zyrtarisht, mësohet se është gjendja e tij shëndetësore, që e bën të pamundur angazhimin e Bibës në zgjedhjet e 21 qershorit. Kërkesën e tij, Biba mësohet se e ka depozituar tashmë në KZAZ-në e Kurbinit, por nuk dihet procedura që ka ndjekur me këtë kërkesë. Vetë kandidati i së djathtës, i kontaktuar dje nga gazeta “Shqip” mohoi zërat se tërheqja e tij mund të ketë ardhur si rezultat i presioneve të brendshme, për t’i hapur rrugë ndonjë kandidati tjetër që mund të ketë dhe mbështetje më të fortë në PD, por theksoi se vendimin për tërheqje nga gara ai e ka marrë për arsye shëndetësore. “Nuk mund të komentoj më shumë pa takuar më parë edhe shefin e madh. Por jam pa qejf, sa i përket gjendjes shëndetësore. Pasi të takoj shefin vetë, do të prononcohem më gjatë për sqarimin e këtij vendimi. Për momentin jam duke u trajtuar me serum, pasi nuk jam mirë dhe mezi flas”, shprehet ai. Në prononcimin e tij, Biba hedh poshtë alibinë se ndaj tij mund të jetë ushtruar presion për të dhënë dorëheqjen. “Jo, jo, asnjë lloj presioni nuk kam pasur dhe as nuk mundet njeri që të më bëjë presion, edhe po të dojë njeri që ta bëjë”, deklaroi Biba. Ndërsa i pyetur se kush do të jetë personi që do ta zëvendësojë atë në kandidimin për kryebashkiak të Kurbinit, Biba thekson se nuk ka dijeni se kush do të jetë. “Nuk ia kam idenë se si procedohet më tej, pasi nuk e di anën ligjore për këtë çështje: a do të ngelet vend vakant apo mund të zëvendësohet, nuk e di se si vijon”, tha për gazetën “Shqip”, Altin Biba, kandidati i propozuar nga koalicioni i djathtë në zgjedhjet për kryebashkiak të Kurbinit, i cili mban edhe postin e kreut të degës së PD-së në këtë rreth.

Zëvendësimi

Pas këtij vendimi, askush në PD nuk duket se e di procedurën që do të ndjekë selia blu për të zgjidhur këtë vakancë, e cila mesa duket rrezikon dhe mospërfaqësimin e partisë më të madhe të opozitës në zgjedhjet që do të zhvillohen në Bashkinë e Kurbinit, ku e majta përfaqësohet me kryetarin aktual të Bashkisë së Laçit, Artur Bardhi. Një gjë të tillë e pohon nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho, i cili i pyetur se cila do të jetë rruga që do të ndjekë forca që ai përfaqëson, theksoi se për shkak të fushatës që ai po zhvillon në qytetin e Durrësit nuk kishte dijeni për këtë dorëheqje. “As nuk ia kam idenë se çfarë ka bërë kandidati i Kurbinit dhe as se si do të procedohet, pasi jam në Durrës, ku pritet të fillojë një takim elektoral dhe nuk di ç’të them”, u shpreh Spaho. Ndërkohë, burime nga grupi i posaçëm për hartimin e listave të kandidatëve në selinë blu, theksojnë se jemi para një vakuumi ligjor për sa i përket zëvendësimit të Altin Bibës, pasi vetë ligji zgjedhor, për rastin në fjalë, nuk parashikon tërheqje nga gara të kandidatëve pas miratimit përfundimtar të listës në KQZ apo në KZAZ. “Në Kodin Zgjedhor nuk parashikohet proceduar se si mund të tërhiqesh nga gara. E gjithë ideja është se ligji thotë se kur miratohen listat, qoftë nga KQZ-ja qoftë nga KZAZ-ja, nuk ka ndryshime pas këtyre listave. Kështu që ne nuk mund të shpikim rregulla sipas qejfit dhe s’ka asnjë praktikë të mëparshme, ndaj nuk ia kam idenë se si do të zgjidhet. Dhe nuk është se ka ardhur ndonjë kërkesë nga KZAZ-ja në KQZ për zgjidhje. Kështu që nuk besoj se KZAZ-ja do të bëjë ndonjë kërkesë të tillë për zgjidhje, përderisa nuk ka asnjë parashikim për këtë. Por, edhe sepse nuk mundet që as ne të aplikojmë për ndonjë gjë, për sa kohë nuk ka një procedurë që mund ta aplikojmë. Kështu që unë mendoj se kjo mund të lihet pa veprime”, thanë ekspertët. Por ky vakuum ligjor nuk rrezikon mospërfaqësimin e koalicionit të djathtë me kandidatin e tij në zgjedhjet për Bashkinë e Kurbinit, pasi lista e PD-së është miratuar tashmë nga KZAZ-ja e Kurbinit. Ndërkaq, kërkesa e Bibës për t’u dorëhequr, është e jashtëligjshme, për sa kohë, theksuan ata, që vetë ligji elektoral nuk e njeh një procedurë të tillë. “Zyrtarisht, PD-ja ka paraqitur një listë të sajën për këtë garë brenda afatit ligjor dhe është miratuar kandidimi i Bibës nga KZAZ-ja atje. Ligji është i qartë, kur thotë që pas miratimit, listat nuk ndryshojnë më. Kështu që nuk mendoj se ka ndonjë gjë tjetër për të bërë PD-ja, pasi çfarë ka pasur për ta bërë e ka bërë brenda ligjit”, u shprehën burime pranë grupit të punës të ngritur në selinë blu për verifikimin dhe miratimin e listave të kandidatëve të saj për kryetarë bashkish dhe anëtarë të këshillave bashkiakë.