Ndryshe Historia Holm Sundhaussen – historiani model që frymëzon brezat e rinj

Holm Sundhaussen – historiani model që frymëzon brezat e rinj

1022
0
SHPËRNDAJE
Citroen Oferta 2

Requiem

Holm Sundhaussen (1942-2015) është një nga historianët e pakët perëndimorë që me argumente shkencore rrëzon pretendimin serb se Kosova ka qenë ndonjëherë pjesë e Serbisë nga aspekti legal e kushtetues i të drejtës ndërkombëtare.

Sylë Ukshini

Me 21 shkurt të këtij viti, në moshën 72-vjeçare, papritmas iku nga kjo botë historiani i njohur gjerman, studiuesi për Europën Juglindore, Holm Sundhaussen. Iku atëherë kur po punonte me shumë zell për realizimin e disa projekteve për historinë e Europës Juglindore. Ky shkencëtar, me interpretimin e historisë së Europës Juglindore në dekadat e fundit ka lënë gjurmë. Është një numër madhor i veprave dhe i studimeve të botuara, shumica e të cilave kanë shërbyer si orientim për trajtimin e problemeve të Europës Juglindore, prandaj edhe janë cituar disa herë nga çdo studiues serioz. I madh është jo vetëm numri, por edhe gjerësia dhe thellësia tematike e veprave të Sundhaussen. Ai, deri në fund i mbeti besnik mendimit se shkrimi i historisë ka rëndësi edhe politike, sepse nëse operohet si duhet me të, ajo mund të ndihmojë që të mos përsëritet sërish. Kam pasur fatin të mësoj shumë nga profesori Sundhaussen gjatë leksioneve të tij tejet interesante, të bisedoj shumë herë për çështje të ndryshme nga historia e shqiptarëve dhe ajo e Ballkanit. Që në takimin tonë të parë, më 16 shtatori të vitit 2001, në Akademinë Federale të Wolffenbüttel-it në Gjermani, më bënë përshtypje qetësia dhe thjeshtësia e tij njerëzore si dhe thellësia, qartësia, fuqia e argumentimit të mendimit shkencor gjatë trajtimit të çdo teme. Ishte vërtet një njeri i thjeshtë, modest dhe i mirë, por në të njëjtën kohë, edhe historian i madh. Mendimet e tij gjithmonë kishin vlerë dhe ishin një lloj sinteze, e sa herë fliste, i jepte ton debatit. Për më tepër, ajo çfarë ai thoshte, gjithmonë kishte peshë.

Leksionet në Universitetin e Lirë të Berlinit

Asokohe Holm Sundhaussen, i cili në vitet 1966-1972 kishte studiuar histori, sllavistikë dhe gjermanistikë dhe ishte promovuar më 1973 “Rreth ndikimit të Herderit mbi konformizmin”, ishte profesor i historisë së Europës Juglindore në Institutin e Europës Lindore të Universitetit të Lirë të Berlinit, ku punoi nga viti 1988 e deri në pensionimin e tij me 2007. Sundhaussen së bashku me kolegun e tij historian prof.dr. Wolfgang Höpken, nga Universiteti i Leipzig-ut, për tre vjet bashkëdrejtoi programin për historinë, i cili në fokus kishte bashkëpunimin midis historianëve të rinj të rajonit të Europës Juglindore dhe njohjen me përvojat, metodat dhe rezultatet më të avancuara në fushën e historiografisë. Takimet në kuadër të këtij projekti, sikurse edhe leksionet në Universitetin e Lirë të Berlinit, zinin një vend qendror në debatet intensive, kritike dhe ndonjëherë edhe kontroverse për historinë e rajonit dhe mënyrën e të shkruarit të historisë. Ai ka merita në mbështetjen dhe përgatitjen e një numri të madh studentësh drejt karrierës së suksesshme shkencore. Edhe në kuadër të programit të lartshënuar, Sundaussen bëri përherë një punë të palodhshme, mbajti një seri ligjëratash dhe seminaresh në Gjermani dhe në vendet e rajonit, ku shumica e studiuesve përfituam njohuri, metodologji dhe një qasje të re në fushën e studimeve historiografike. Përmes këtij programi, ai synonte që nga njëra anë, arritjen e një përqasjeje ndaj studimeve historike në kuadër të rajonit dhe nga ana tjetër, një përçapje drejt studimeve historike në pjesën tjetër të Europës. Ai mendonte se historiografitë e vendeve të rajonit tonë duhet të kenë në fokus të tyre edhe trajtimin e historisë së vendeve fqinje dhe të mos mbeten peng vetëm i temave nacionale e shtetërore, ngase kjo përbën një arsye të fortë, përse popujt e rajonit dinë fare pak për njëri-tjetrin dhe përqendrimi vetëm në historinë nacionale kushtëzon mosnjohjen mes popujve të rajonit, domethënë nuk dihet çfarë mendojnë fqinjët për njëri-tjetrin. Një eksperiencë e papërsëritshme për mua ishte ndjekja e leksioneve të profesor Sundhaussenit gjatë një semestri në pranverë të vitit 2003 në Universitetin e Lirë të Berlinit. Ndërsa kryeja hulumtime në Arkivin Politik të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë për temën “Diplomacia gjermane dhe çështja shqiptare në Konferencën e Londrës 1912/1913”, profesor Sundhausssen përherë tregoi kujdes, vëmendje dhe me këshilla e ndihmë për mënyrën e përdorimit të metodikës historike. Pa dyshim se njohja, puna dhe mentorimi i tij më hapën një rrugë dhe vizion të ri në formimin tim si historian dhe për mënyrën e shkrimit të historisë jashtë klisheve të vjetra dhe interpretimit etno-romantik. Leksionet e profesor Sundhaussenit ishin një shkollë e veçantë për secilin nga ne. Ai ishte një profesor me një qasje shumë të hapur, por që kërkonte shumë edhe në debatin e gjallë që zhvillonte me studentët, duke këmbëngulur gjithmonë të vinte në sprovë formimin teorik dhe eksperiencën shkencore të çdo studiuesi të ri. Me profilin e tij, ai ka ndikuar te shumë breza të studentëve dhe të shkencëtarëve të rinj. Ai nuk të frymëzonte vetëm për historinë e Europës Juglindore, por në radhë të parë ai tregonte çfarë do të thotë të jesh historian i mirë. Për mua, ai gjithmonë mbetet historian model për mënyrën e tij demokratike të vetëreflektimit, si dhe për gatishmërinë për të rishikuar mendimet e veta. Ishte mbresëlënëse dituria dhe serioziteti i tij i jashtëzakonshëm. E kishte zakon të mirë që të interesoj për kandidatët që i mentoronte gjatë formimit të tyre akademik. Në korrespondencat e tij ishte i shkurtër, por gjithmonë kurioz në pyetjet e tij për ecjet tona në rrugën profesionale. “Unë gjithashtu ju uroj shumë të mirat. Unë shpresoj se ju keni arritur të realizonin planet tuaja të jetës”, më shkruante ai në letrën e fundit për Krishtlindjet e vitit të kaluar. Më mbetet peng mosrealizimi i idesë sime që ai një ditë të vinte në Kosovë dhe të mbante një seri leksionesh për historinë para studentëve dhe intelektualëve shqiptarë, edhe pse propozimin tim e kishte mirëpritur shumë.

Sundhaussen mohon që Kosova të ketë qenë pjesë e Serbisë

Ai s’pati mundësi të vinte në Prishtinë, në kryeqytetin e shtetit të ri europian, në Kosovë, për të cilin kishte shkruar shumë herë, së fundi edhe në kuadër të një libri voluminoz për Jugosllavinë dhe shtetet që u krijuan nga shpërbërja e saj (Jugoslawien und seine Nachfolgenstaaten 1943-2011: Eine ungewöhnliche Geschichte des Gewöhnlichen). Në disa pjesë të këtij libri, çështjen e Kosovës Sundhaussen e trajton në rrafshin e tri modeleve që në argumentim i bëjnë konkurrencë njëri-tjetrit: thirrja në të “drejtën historike”, “e drejta moderne e vetëvendosjes” dhe “thirrja në të drejtën ndërkombëtare”. Për sa i përket të drejtës ndërkombëtare, do të flasim në kontekst të Deklaratës së Kosovës për pavarësi të vitit 2008. Nisur nga ky prizëm argumentues, Sundahussen konstaton se “gjatë luftërave ballkanike të viteve 1912/’13, Kosova, e cila deri atëherë ishte osmane, u pronësua nga trupat serbe. A ishte ky çlirim apo pushtim? Nga perspektiva e serbëve, përgjigjja ishte e qartë. Retorika e tyre çlirimtare i referohej dhe i referohet faktit se Kosova rreth dy shekuj e gjysmë (prej fillimit të shekullit të 13-të deri nga mesi i shekullit 15-të) i kishte takuar Perandorisë mesjetare serbe të dinastisë së Nemanjiçëve dhe shteteve të tyre pasardhëse, para se për katër shekuj e gjysmë të binte nën “zgjedhën turke”. Kosova ka qenë (dhe është) – shprehimisht nga pikëpamja e Kishës Ortodokse Serbe – tokë “e shenjtë”, “zemra e Serbisë mesjetare”. “E drejta historike”, të cilës ai thotë se i referohen nacionalistët serbë, rrëzohet nga fakti se kjo referencë bëhet e paqëndrueshme për shkak se në rrjedhën e shekujve, Kosova u ka takuar shumë shteteve: Perandorisë lindore romake/bizantine, Perandorisë mesjetare bullgare, Perandorisë mesjetare serbe dhe pastaj Perandorisë Osmane. Më së gjati, i ka takuar Perandorisë Bizantine dhe asaj Osmane. Atëherë, ai shtronte pyetjen thelbësore shkencore, se si mund të argumentohet që përkatësia e Kosovës në Serbinë mesjetare, është vendimtare për atë se kush ka sot të drejtë pretendimi ndaj këtij territori? (fq.219-220). Sundhaussen është një nga historianët e pakët perëndimorë që me argumente shkencore rrëzon pretendimin serb se Kosova ka qenë ndonjëherë pjesë e Serbisë nga aspekti legal e kushtetues i të drejtës ndërkombëtare. ”E padiskutueshme është se Kosova ishte pjesë integrale e ish-Jugosllavisë. Jugosllavia ishte shtet sovran, kufijtë e së cilës (përfshirë edhe Kosovën) ishin të njohur ndërkombëtarisht, ndonëse “Anschluss”-i i Kosovës në Serbi – si pjesë e Jugosllavisë së mëvonshme – kurrë nuk ishte ratifikuar përmes një Traktati Paqeje mes Mbretërisë së Serbisë dhe Perandorisë Osmane”, konstaton Sundhaussen, duke nënvizuar se fuqitë e mëdha europiane para Luftës së Parë Botërore, duke sakrifikuar principet etnografike, respektivisht linguistikë për konsideratat gjeostrategjike dhe viset kompakte shqiptare, i mbajtën përgjithmonë jashtë kufijve të shtetit shqiptar”. (fq.483). Një mendim të tillë argumentues shkencor ai e kishte shprehur prej kohësh edhe në punimin (“Eine Konfliktgeschichte”), në të cilin ai fliste për historinë e problemit të Kosovës dhe me argumente rrëzonte pretendimet mitologjike serbe ndaj Kosovës. (“Eine Konfliktgeschichte“, te Konrad Clewing dhe Jens Reuter: Der Kosovo Konflikt. Ursachen, botuar në München, 2000). Duke folur për rëndësinë që ka Kosova dhe për pretendimet nacionaliste serbe, Sundhaussen thotë se ky mit serb ofron shumë ngjashmëri me “territoret perëndimore” që (pas Luftës së Dytë Botërore) iu bashkëngjitën Polonisë në narrativin polako-socialist pas mbarimit të Luftës. Ndërsa, kujtimin për betejën e Fushë-Kosovës të vitit 1389, e vë në paralele me betejën e Tannenberg-ut të vitit 1410, si dhe me synimin për “rikolonizimin” përkatësisht “riserbizimin” e territoreve të rifituara (polonisht: Zemie odzyskane), të cilat ndjekin një model të njëjtë argumentues.

Histori e komplikuar e popujve të Europës Juglindore

Sundhaussen nuk ishte nga ata historianë europiano-perëndimorë që shihte me përbuzje rajonin e Europës Juglindore dhe studiuesit nga ky rajon, por përmes projekteve dhe programeve të caktuara, ai synonte të ndihmonte shkencën dhe shkencëtarët e rinj të këtij rajoni, i cili sapo kishte dalë nga lufta e Kosovës që shënonte edhe fazën e fundit të shpërbërjes së Jugosllavisë. Ai zotëronte një njohje më gjithëpërfshirëse për rajonin e ish-Jugosllavisë. Ai vlerësonte se historia e popujve të Europës Juglindore, kishte qenë shumë e komplikuar dhe se shtetet e tanishme u krijuan relativisht vonë dhe disa vende ndodhen akoma në procesin e formimit të shteteve nacionale. Dhe një fakt i tillë – sipas tij – e bënte rajonin e paqëndrueshëm dhe në të njëjtën kohë shtronte dilemën e historianëve se çfarë vjen dhe çfarë do të ndodhë pas krijimit të shteteve nacionale. Sundhausen të mësonte për mënyrën e konfrontimit me mitet, me pasojat e historisë reale, bënte diferencën argumentuese midis historisë dhe kujtesës. Në një nga studimet e tij të shumta, ai fliste për ndryshimin e paradigmave në zgjidhjen e konflikteve etniko-kombëtare nga dispozitat e konventës greko-turke të Lozanës më 1923 e deri te Marrëveshja e Dejtonit më 1995, duke bërë paralele dhe krahasime historike me aspekte të së drejtës ndërkombëtare. Studimet e tij i takonin kryesisht hulumtimeve për historinë e Ballkanit në shekujt e 19 dhe 20. Ndërsa në dizertacionin e tij “mbi ndikimin e Herderit në formimin e kombeve te popujt e Austro-Hungarisë” ai ishte ende i orientuar në idetë historike, ai e përfundoi habilitacionin e tij në vitin 1981 në Göttingen me një tezë mbi historinë ekonomike të Kroacisë gjatë sundimit nazist 1941-1945. Ai mbeti i interesuar në çështjet ekonomike dhe sociale, në mënyrë të veçantë në lidhje me migrimin, tensionet etnike dhe rajonale. Por mbi të gjitha, interesi i tij u përqendrua në historinë e ndërtimit të kombeve dhe të nacionalizmave, të krijimit dhe shpërbërjes së shteteve në Europën Juglindore në periudhën e përfundimit të bipolaritetit Lindje-Perëndim. Ai ishte këmbëngulës për të përmendur me emër përgjegjësit e shpërthimit të luftërave në ish-Jugosllavi. Në pjesën më të madhe, si shkaktar të luftërave në ish-Jugosllavi, protagonist kryesor për të ishte nacionalizimi serb. Teza e tij kryesore ishte se njerëzit në mijëvjeçarin e fundit nuk ishin bërë as më të zgjuar dhe as më të mirë. Ata, edhe në vijim zhvilluan luftëra dhe e lanë veten të manipulohen nga ideologët. Sidoqoftë, njerëzimi ia ka dalë që përmes një rrjeti të institucioneve dhe rregullave, të ruajë veten. Megjithatë, kjo shtresë e civilizimit ndodhet e kërcënuar, siç e tregon edhe shembulli i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, çështje me të cilën Sundhaussen u mor në mënyrë permanente për dekada me radhë. Gjatë dekadës së kaluar, ai ka shkruar vepra që paraqesin një sintezë në shkallë të gjerë dhe ato mund të konsiderohen si vepra inovative dhe vështirë të kalueshme. Në këto vepra, ai provon të japë përgjigje ndaj pyetjes se si shoqëritë ia dolën të organizonin diversitetin e tyre dhe përse vazhdimisht puna erdhi deri aty sa të shkatërrohen dhunshëm themelet e bashkëjetesës. Me krijimtarinë e viteve të fundit, “Historia e Serbisë: Nga shekulli 19–21. (2009)“Jugosllavia dhe shtetet e saj pasardhëse 1943-2011: Një histori e pazakonshme e të zakonshmes” (2012) dhe librin e fundit monografik “Qyteti i Sarajevës”(2014), Sundhausen na ka lënë pas vepra standarde dhe model për historianët aktualë dhe ata që do të vijnë. Edhe pse fusha e tij kërkimore e Europës Juglindore për studiuesit perëndimorë llogaritet si një terren i vështirë për studimet historike, sepse zakonisht has në keqkuptimet e popujve të këtij rajoni, ai ishte i vendosur dhe i guximshëm në kauzën e tij shkencore. Ai kishte aftësinë e argumentimeve empirike në një kontekst më të gjerë – për të shqyrtuar dhe për ta parë historinë e Europës Juglindore në kontekstin e historisë së Europës. Në librin “Historia e Serbisë”, që merret me historinë dyqindvjeçare serbe, që nga kryengritja e parë serbe kundër sundimit osman në 1804, e deri në fillim të epokës post-Millosheviçiane, për herë të parë janë të lidhura me një lloj simbioze, historia politike dhe ngjarjet me historinë sociale, kulturore dhe atë ekonomike. Pa dyshim se pikë kthese në trajtimin e historisë së Serbisë, paraqet mënyra e trajtimit që Sundhaussen i bën këtu edhe pushtimit të Maqedonisë së Vardarit gjatë luftërave ballkanike 1912-’13. Por, pikërisht për këtë qasje, siç do të merret vesh më vonë nga kolegë historinë europianë, Sundhaussen do të pritej me agresivitet nacionalist nga elita e ndarë intelektuale dhe politike në Serbi, e cila me reagimin kundër historianit gjerman, tregoi se ende nuk është gati për të bërë korrigjimet e nevojshme në mënyrën e shkrimit dhe interpretimit të historisë në raport me popujt fqinj. Sapo libri u përkthye edhe në serbisht, në shoqërinë serbe të kontaminuar me urrejtje nacionaliste, filloi një fushatë e egër kundër historianit gjerman dhe librit të tij për historinë e Serbisë, që më në fund hidhte poshtë shtrembërimet mitologjike të historisë dhe kontestonte glorifikimet e historianëve serbë për shumë ngjarje dhe ndodhi historike. Si gjithmonë, kritikat më të forta në Serbi kundër Sundhaussenit, ashtu si për Oliver Schmitt te shqiptarët, për Ulf Brunbauer te bullgarët, erdhën nga njerëz që fare nuk e kishin lexuar librin e tij. Sundhaussen në këtë libër arrin në përfundimin se Serbia do të ishte një shtet krejt tjetër, nëse elitat politike të këtij vendi në shekullin e 20-të nuk do të kishin qenë të orientuara në radhë të parë drejt ekspansionit territorial të shtetit serb, për krijimin e Serbisë së Madhe dhe në bashkimin e serbëve në një shtet. Zërave irracionalë në Serbi, që pyesnin se përse një gjerman duhej të shkruante historinë e Serbisë, Sundahussen u ishte përgjigjur se në Gjermani, askush nuk kishte shtruar një pyetje të tillë, se përse historiani anglez, Ian Kreshaw, kishte shkruar disa libra për historinë e gjermanëve gjatë periudhës së nazizmit. Prandaj, libri “Historia e Serbisë”, ashtu si dhe librat e tjerë të tij, ia vlen të përkthehen edhe në gjuhën shqipe, sepse ndihmon për njohjen më reale të historisë të një vendi fqinj të shqiptarëve dhe janë një lëndë e mirë në debatet për historiografinë e Europës Juglindore. Për më tepër, një literaturë e tillë do t’i ndihmonte studiuesit e rinj, që ata t’i rezistojnë me sukses diskursit të formëzimit të miteve nacionale dhe modeleve të vjetra të narracionit, si dhe të interpretimit të historisë, e cila te një pjesë e madhe e publikut tonë, akoma perceptohet si disiplinë e shpërfaqjes patriotike.

Konvertimi i veçantë i shqiptarëve

Nga Sundhaussen mund të mësoje shumë, madje qoftë edhe gjatë një bisede të çastit. E kujtoj mirë edhe sot se gjatë udhëtimit tonë të përbashkët me tren nga Leipzig-u për në shtëpinë e poetit të madh gjerman, Johann Wolfgang von Goethe në qytetin e Weimar-it, ndërsa po diskutonim për probleme të ndryshme historiografike në rajonin e Ballkanit, e pyeta edhe për çështjen e konvertimit të shqiptarëve nga besimi i krishterë në mysliman, pas pushtimit të Ballkanit nga Perandoria Osmane dhe arsyes se përse ky fenomen është më i veçantë se te popujt e tjerë të rajonit. Sundhaussen kishte një përgjigje sintetike. Sipas tij, ky konvertim masovik i shqiptarëve duhet parë edhe në kontekstin e ndodhjes gjeografike, pasi fakti se gjendej në vijën ndarëse mes besimit të krishterë katolik dhe atij ortodoks, sidomos pas ndarjes së Kishës në shekullin 11, bëri që shqiptarët të mos arrijnë asnjëherë të kenë një kishë të fuqishme, një kishë e cila do të ishte në gjendje t’i bënte ballë depërtimit të kulturës islame dhe më pas edhe konvertimit masovik. Dhe jo rastësisht, ky identifikim fetar dhe kulturor me miletin osman, do të vonojë ndërgjegjen kombëtare shqiptare dhe realizimin e idesë për krijimin e shtetit shqiptar. Siç e përmendëm edhe më lart, Sundahaussen kishte si orientim studimor edhe çështjen e shtetformimit. Pikërisht vetëm pak muaj pasi Kosova kishte deklaruar pavarësinë, ai mori pjesë në një diskutimin për çështjen e formimit të shteteve, ku hodhi poshtë mundësinë e krahasimit dhe të tërheqjes së çdo paraleleje midis njohjes së Kosovës nga vendet perëndimore, me çështjen e Osetisë së Jugut dhe ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë me luftën agresive të Rusisë kundër Gjeorgjisë, dhe më pas njohjes së Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut nga Rusia. Ai mendonte se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk përbënte precedent, meqë ajo që vlen për Kosovën, nuk vlen edhe për Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë. Një tjetër dallim që Sundhausen sheh edhe te njohja, është se njohja e kushtëzuar e Kosovës është e lidhur me Planin e Ahtisarit; ndërsa nga ana tjetër, Rusia ka hequr dorë nga çfarëdo kushti me njohjen e Osetisë Jugore dhe Abkhazisë.

Miti për marrëdhëniet shqiptaro-serbe

Kur flet për marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve, ai thotë se është mit të besohet se që nga kohët e lashta, ato janë karakterizuar nga urrejtja e ndërsjellë. Në të kundërtën, deri në mesin e shekullit të 19-të, ka pasur shumë faza gjatë të cilave të paktën ka pasur bashkëpunim të pjesshëm shqiptaro-serb. Ekzistenca e dallimeve të caktuara në gjuhë, fe apo në format e organizimit shoqëror, nuk ka pasur të njëjtin kuptim të ngjashëm si tani, siç u atribuohet atyre sot. Situata në këto marrëdhënie, sipas Sundhaussen, ka ndryshuar në çerekun e fundit të shekullit të 19-të, duke nënvizuar se për këtë ndryshim përgjegjës ishin kryesisht dy faktorë: së pari, fillimi apo rritja e etnicizimit të kombit, shtetit, fesë dhe konfliktet politike e socio-ekonomike, si dhe e politikës në përgjithësi dhe së dyti; riorganizimi i hartës politike të Ballkanit në prag të Krizës së Lindjes 1875-1878, respektivisht në kuadër të Kongresit të Berlinit pas 1878. Tani që ai nuk është më në këtë botë, mbeten veprat dhe studimet e tij të shumta shkencore, të cilat do të jenë frymëzim për shumë breza të rinj të historianëve, edhe për shkak se përbënin një linjë mes mënyrës rigoroze të përdorimit të metodikës historike dhe shtysës iluministe. Holm Sundhaussen ka qenë pa dyshim, një ndër historianët më të rëndësishëm gjermanë pas Luftës së Dytë Botërore që për shumë dekada u mor intensivisht me historinë e Ballkanit. Sundhaussen ishte përherë një historian i palodhshëm, me vullnet të madh për punë, dhe në të njëjtën kohë, ai ishte një studiues i guximshëm dhe i jashtëzakonshëm, i cili ngaherë na ofroi dorën dhe eksperiencën e tij në rrugëtimin tonë në fushën e dijes. Në fund, dua të shtoj se takimi dhe mësimet e profesor Sundahussen, kryen një kthesë të jashtëzakonshme në formimin tim si studiues dhe për këtë do t’i detyrohem përgjithmonë. Prandaj, guxoj të them se isha me fat që u njoha me të dhe ai do të jetë përherë për mua një udhërrëfyes dhe model në fushën e studimeve historiografike.