Babë, bir e nip qëllohen në pritë. Konflikti mes familjes Ceku dhe Kora. Autorë, dy vëllezër dhe babai i tyre


Vali Qyrfyçi



viktimaTre persona, babë, bir e nip, janë vrarë në fshatin Thumanë të Krujës pas një konflikti banal të njërit prej viktimave me autorët e dyshuar të ngjarjes. Debati mes tyre ka ndodhur për një person të tretë, mik i njërit prej viktimave që kishte kërkuar mbështetje te Korët pas një sherri që kishte pasur me to më parë. Të shtunën, policia ka mundur të lokalizojë të dyshuarit në zonën kodrinore të Thumanës, po pa arritur në kapjen e tyre. Lajmi për sherrin banal në një lokal të fshatit mes Arben Cekut dhe dy prej vëllezërve Kora kishte mbërritur në shtëpinë e Fran Cekut. Madje, në familje është diskutuar dhe se si të sheshojnë këtë konflikt të pakuptimtë mes djemve, po gjithçka ka ndodhur shpejt. Ndërsa në familjen Ceku mendohej për të shuar gjakrat e ndezur kot mes djalit të tyre, Arbenit 44-vjeçar, djemtë Kora kanë reaguar frikshëm. Kanë rrëmbyer armët e i kanë zënë pritë në rrugën e ngushtë që çonte për në shtëpinë Ceku. Komunikimi aq i dëshiruar nga familja Ceku nuk ka mundur të realizohet për shkak të “forcës” që kanë dëshmuar menjëherë burrat e familjes Kora. Disa orë pas krimit, familja e viktimave ka hapur dyert e zisë, ndërsa ajo e autorëve të dyshuar ka kyçur fort dyert me burra në arrati nga policia dhe gjëma që shkaktuan brenda pak çastesh. Në krimin e afër mesnatës mbeti e plagosur rëndë dhe gruaja e Franit, njëkohësisht nëna e Arbenit dhe gjyshja e Enos, 20-vjeçarit që qe në vendin dhe kohën e gabuar pranë dajës së tij.


Ngjarja


Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive banale që autorët kanë pasur rreth një orë para vrasjes me njërin prej viktimave, Arbenin 44-vjeçar. Autorët e dyshuar i kanë zënë pritë dhe kanë qëlluar mbi Arben Cekun dhe familjarët e tij në rrugën e ngushtë që të çon drejt shtëpisë Ceku. Nga breshëria e plumbave mbetën të vrarë shtetasit Fran Ceku, 79 vjeç, djali i tij Arbeni, 44 vjeç, si dhe nipi i tyre, djali i vajzës së Franit, Eno Rama 20 vjeç, të tre banues në Thumanë. Nga të shtënat ka mbetur e plagosur rëndë dhe bashkëshortja e Franit, Luçie Ceku, 66 vjeçe, e cila ndodhet në reanimacionin e Spitalit Ushtarak Tiranë.

Nga dëshmitë e mbledhura rezulton se Arben Cekut i është ngritur pritë pak para se të merrte kthesën dhe futej në rrugicën para shtëpisë së vet. Në këtë copë rrugë të vogël Arbenit i është bashkuar dhe nipi, Eno që ishte ndarë me shokët e gjithashtu po kthehej në shtëpi. Ndërkohë, prindërit e Arbenit e kishin mësuar se djali i tyre kishte pasur një sherr në lokal me djemtë Kora dhe i kanë dalë para për ta pritur. Kaq ka mjaftuar për të krijuar për autorët, që dyshohet se kanë qenë të dehur, skenën perfekte për të masakruar një familje të tërë.

Në vendngjarje janë gjetur 9 gëzhoja. Të shtënat kanë ardhur nga shumë afër dhe në errësirë duke masakruar Fran e Arben Cekun dhe nipin e tyre, Eno Ramën. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se është qëlluar me dy armë të ndryshme, një automatik dhe pistoletë. Pas të shtënave, autorët janë larguar nëpër natë, ndërsa policia deklaroi se ka identifikuar dhe shpallur në kërkim burrat e familjes Kora si autorë të dyshuar për krimin. Në orët e para të mëngjesit të së shtunës, policia deklaronte se ka identifikuar 2 nga vëllezërit Kora si autorë të krimit, pikërisht ata me të cilët ka debatuar më parë në lokal Arbeni në mbrojtje të mikut të vet, shofer furgoni. Më pas, ndonëse jo zyrtarisht, policia ka bërë të ditur se të përfshirë në ngjarje janë 3 vëllezërit Pëllumb, Daniel, Besnik dhe babai i tyre, Guri Kora. Të katërt janë larguar nga banesa dhe ende nuk mund të përcaktohet saktësisht roli i secilit prej tyre në krim. Pasi një a dy prej tyre mund të jenë larguar për t’i shpëtuar një hakmarrjeje të mundshme nga familjarët e viktimave.

Në Thumanë


Dëshmitarët tregojnë sherrin në lokal: Beni u kërkoi llogari Korëve për rrahjen e shokut


Konflikti ndodhi disa orë para masakrës. Shokët kujtojnë takimin e fundit me Enon


Vali Qyrfyçi

Në fshat thonë se krime të kësaj natyre nuk kanë ndodhur as në vitin ’97 dhe se dy familjet Ceku dhe Kora janë banorë të hershëm të fshatit e nuk kanë pas probleme më parë mes tyre, përveç debatit të Arbenit në një lokal të fshatit me vëllezërit Kora për një sherr të dhunshëm mes tyre dhe një shokut të tij. Ka qenë një sherr mes shoferëve të linjave të furgonëve, që është rikthyer në vëmendje nga Arbeni që u ka kërkuar vëllezërve Kora të mos merren më me shokun e tij. Kjo ndërhyrje ka nxitur Korët drejt krimit që mori tre jetë njerëzish dhe rrezikon një të katërt.

“Është turp për fshatin tonë kjo që ndodhi. Të dyja janë familje të mira pa probleme. Korët mezi kanë mbushur barkun me bukë. Nuk e di pse shpërthyen. Jetojnë jo larg njëra-tjetrës dhe kanë pasur shoqëri mes tyre. Vetëm pse Beni kërkoi sqarime se i patën rrahur një mikun e vet dy nga djemtë Kora, të ndodhë e gjithë kjo?!”, thonë bashkëfshatarë të viktimave dhe autorëve të dyshuar. Për gratë e fshatit, kjo është një fatkeqësi e madhe, që u kujton se jeta nuk qenka asgjë. “Një udhëtim që pritet në mes atëherë kur nuk e pret dhe nga kush s’e pret”. Shumë të tjerë në fshat, për shkak se palët në ngjarje i kanë fqinjë a të afërt njësoj, thonë se nuk dinë asgjë mbi ngjarjen. Nuk duan të përzihen pasi larja e hesapeve mund të vazhdojë. Thonë se nuk kanë dëgjuar e as dinë gjë kush mund të ketë vrarë. Të gjithë presin nga policia të kapë autorët dhe të vendoset drejtësia.

Ndërsa fshati është në zi dhe e ka të vështirë të gjykojë mbi atë që ka ndodhur, shërbime policore të Krujës dhe Durrësit, si dhe forca speciale të ardhura nga Tirana kanë ngritur postblloqe në rrugë dhe vijojnë kontrollet në zonë për të kapur autorët e dyshuar, të cilët pas krimit janë larguar me shpejtësi nga fshati. Kërkimet janë përqendruar në zonën kodrinore ku dy antenat e telefonisë celulare kanë diktuar sinjalin e aparatit celular të njërit prej viktimave. Sinjali i telefonit të Pëllumb Korës që ka qenë i hapur vinte nga zona kodrinore e Thumanës, që konsiderohet një terren mjaft i vështirë kërkimi për shkak të tuneleve të shumta dhe shkurreve e ferrave të papastruara që vështirësojnë lëvizjen.


Vrasja e Enos

Vetëm pak metra rrugë fshati, nga lokali në shtëpi i morën jetën edhe 20-vjeçarit Eno Rama. Shoku i ngushtë i Eno Ramës tejet i tronditur për fundin tragjik që pati jeta e tij tregon se sapo ishte ndarë me të kur ka dëgjuar të shtënat që i morën jetën: “Bashkë me Enon rrimë çdo mbrëmje deri vonë te ky lokali këtu tani në kohë fushate dhe pa kaluar as 10 metra pasi u ndamë dëgjova të shtënat. Jam shumë keq për këtë që i ndodhi Enos. Ishte djalë i mirë dhe që punonte ku të mundej herë pas here”. Eno Rama, rrugës për në shtëpi ishte bashkuar me dajën e tij, Arbenin, që gjithashtu kthehej në shtëpi. Së bashku kanë rënë në pritën e burrave të familjes Kora që kanë reaguar me armë zjarri ndaj kërkesës për sqarim të Arbenit për rrahjen e një mikut të tij rreth një muaj më parë. Nëna e Enos ka humbur ndjenjat nga tragjedia që e ka goditur. Në një çast të vetëm ka humbur djalin e vetëm Enon, babanë dhe vëllain e saj, ndërsa e ëma qëndron në spital në luftë mes jetës e vdekjes.


Intervista


Xhaxhai i viktimave: Nuk i kemi bërë njeriu keq

Ka një dhembje të heshtur mes familjarëve të viktimave deri para mbërritjes së trupave të tyre në shtëpi nga e cila hyjnë e dalin në heshtje burra e gra për ngushëllim. Vaji shpërthen me mbërritjen e tri kufomave rreth mesditës. Deri atëherë ato i janë nënshtruar ekspertizës mjekoligjore për të përcaktuar goditjet fatale dhe distancat nga u qëllua. Në portën e madhe të shtëpisë vargun e pritësve për ngushëllim e kryeson vëllai i Franit, Frrok Ceku, një burrë i urtë e fisnik, që nuk di t’i japë shpjegim fatkeqësisë që i goditi, pasi Cekët nuk kishin probleme me askënd.


Çfarë ndodhi dhe pse?

Nuk i kemi kujt hak. As kemi pas probleme me njeri. I dëgjova plumbat dhe m’u dukën pushkë të këqija. Kur dolëm nga shtëpia ne i gjetëm të vdekur të tre. Nuk mund të bënim asgjë.

Po gruaja që u plagos?

Kunata është dërguar në Tiranë. Nuk është mirë. Mjekët nuk na kanë dhënë shpresë për jetën e saj pa kaluar 24 orët e para. Kemi lënë dy nga njerëzit tanë atje që t’i ketë pranë.

Si i keni pasur marrëdhëniet me familjen Kora, djemtë e së cilës dyshohen si autorë të ngjarjes?

Nuk kemi pasur asnjë përplasje me ta. Jemi bashkëfshatarë. Ne jemi me origjinë nga Malësia, po unë kam lindur këtu. Kemi mbi 70 vjet në Thumanë pa pasur gjë me askënd. Nëse ka qenë nga një sherr çasti… nuk di ç’të them. Nuk bëhet kjo, moj bijë. Unë kam 5 vajza e 2 djem. Dhe fëmijët e vëllait janë si të mitë, po që në asnjë rast nuk duhej të përfundonte me viktima. Po shiko ç’ndodhi. Krim i madh.