Leku


Bilanci i departamentit ku u vodhën 713 milionë lekë. Bilanci i auditimit, u rritën kostot


Zamir Alushi


save-moneyNjë në tre monedha del jashtë përdorimit brenda një viti në riciklimin e parasë në qarkullim që kryen Banka e Shqipërisë. Pikërisht në këtë proces, në Departamentin e Emisionit të parasë, vitin e kaluar u vodhën nga vetë punonjësit e bankës 713 milionë lekë. Kjo shumë u konfirmua, edhe sipas raportit të auditimit të jashtëm, që është publikuar këto ditë nga BSH. Sipas raportit, gjatë vitit 2014, u përpunuan 127 milionë copë kartëmonedha, të cilat u kontrolluan për autenticitet dhe përshtatshmëri për riqarkullim. Nga përpunimi, rreth 36,6 milionë copë kartëmonedha (28.8% e totalit të përpunuar) rezultuan të papërshtatshme për përdorim, dhe u tërhoqën nga qarkullimi. Kartëmonedhat e saposhtypura dhe monedhat të cilat nuk janë vënë në qarkullim, njihen si aktive me kosto të blerjes dhe klasifikohen si kartëmonedha dhe monedha stok. Kostot e shtypjes së kartëmonedhave dhe të prerjes së monedhave amortizohen respektivisht me 2.5 vjet dhe 10 vjet, që nga data e njohjes së tyre. Sasia e kartëmonedhave në qarkullim, në fund të vitit 2014, ishte 130,654,519 copë, me vlerë rreth 222.896 miliardë lekë. Në krahasim me vitin 2013, rezulton pothuajse i njëjti numër kartëmonedhash, ndërkohë që vlera regjistron një rritje në masën 9.06%. Kjo rritje pasqyron shtimin e kartëmonedhave me vlerë nominale 5000 lekë dhe 2000 lekë. Gjithashtu, sipas raportit vjetor të BSH, vëllimi i kërkesave nga bankat e nivelit të dytë për pagesa pati rritje. Pra, megjithëse raportohet rritje e transaksioneve online dhe e blerjeve me kartë, nuk ka reflektim në nivelin e parasë në qarkullim. Në këtë kuadër, koeficienti i qarkullimit të parasë në BSH në vitin 2014, rezultoi 0.568, ndërkohë që ky koeficient për vitin 2013 ishte 0.535. Vlera mesatare e një kartëmonedhe në qarkullim në fund të vitit 2014, arriti në 1706 lekë, nga 1566 lekë që ishte në fund të vitit 2013. Në fund të vitit 2014, rezultuan 147,222,518 copë monedha metalike në qarkullim me vlerë 3.511 miliardë lekë. Në krahasim me vitin 2013, rezulton një rritje e numrit të monedhave metalike me 5.1% dhe një rritje me 3.45% e vlerës së tyre.


 Falsifikimi


Gjatë vitit 2014, numri i kartëmonedhave dhe monedhave metalike të falsifikuara ka rezultuar pothuajse në të njëjtin nivel me vitin 2013. Në përgjithësi, numri i kartëmonedhave dhe monedhave metalike të falsifikuara vlerësohet të jetë i vogël dhe, në raport me sasinë në qarkullim, i papërfillshëm. Kartëmonedhat e evidentuara si të falsifikuara, sipas analizës teknike, janë kryesisht riprodhime me “inkjet-toner” (skanimi apo fotokopjimi) me ngjyra, si dhe në pak raste me offset, të kombinuara me aplikimin e metodave artizanale për imitimin e elementeve të sigurisë të natyrës vizuale apo me rrathë fluoreshentë.


Vjedhja


Vjedhja në Departamentin e Emisionit u kontabilizua në zërin “shpenzime të tjera” dhe në këtë mënyrë është llogaritur edhe nga kompania audituese e kontraktuar nga BSH. Pra, kjo vlerë ul fitimin e bankës, rrjedhimisht rëndon taksapaguesit shqiptarë. Pas verifikimit të kryer fillimisht nga BSH, dhe më pas me veprimet procedurale të kryera nga organi i prokurorisë, u konstatua se në arka mungonin vlera monetare në ngarkim të punonjësve, në shumën 713 milionë lekë. BSH ka depozituar në gjykatë një padi civile me qëllim rikuperimin e vlerave monetare të përvetësuara, prej personave të akuzuar për vjedhjen. Banka e Shqipërisë deklaron se ka ndërmarrë një sërë rregullimesh për të minimizuar rrezikun operacional në të gjitha hallkat që veprojnë për magazinimin, përpunimin, shkatërrimin, kontrollin dhe sigurinë fizike të parasë së gatshme. Sipas raportit, ka pasur mangësi dhe dështime në sistemin e kontrollit të funksionit “Emetimi dhe administrimi i parasë”.


U dyfishuan kostot e bankës


Sipas raportit të auditorit të jashtëm për vitin 2014 pati rritje të dukshme për disa shpenzime që vitet e tjera kishin qenë më të ulëta. Me rritje të lartë janë shpenzimet për koston e amortizimit dhe të zhvlerësimit. Shpenzimet për zhvlerësimin ishin 519 milionë lekë kundrejt 244 milionë lekëve në 2013. Ndërsa shpenzimet e amortizimit arritën në 269 milionë lekë kundrejt 126 milionë lekë në 2013. Këtu hyjnë kostoja e shtypjes së parasë, rinovimi i makinave, i programeve kompjuterike, etj. Pjesa e fitimit të BSH që i transferohet qeverisë nga viti 2014, llogaritet 1.3 miliardë lekë, ndërsa një vit më parë ishte 3 miliardë lekë.


Floriri


Ari u mbiçmua, u rrit rezerva e Bankës


Ari dhe metalet e tjera të çmuara vlerësohen duke u bazuar në çmimin e Tregut të Arit në Londër (London Bullion Market). Më 31 dhjetor 2014, vlera e arit të Bankës, të vendosur në depozita dhe llogari rrjedhëse në bankat jashtë vendit, e përfshirë në aktivet në monedha të huaja ishte 9,569 milionë lekë (2013: 8,474 milionë lekë). Ndërsa, vlera e arit në vend ishte 4,483 milionë lekë (2013: 4,021 milionë Lekë) ku përfshihen gjendjet jomonetare të arit, platinit dhe të argjendit të mbajtura në arkat vendase. Rritja vjetore në total prej 1,557 milionë lekësh (2013: rënie prej 5,506 milionë lekë), rezulton nga mbiçmimi i arit dhe metaleve të çmuara.