Historia e Xhabir Shegajt, i cili u vra në atentatin e dytë nga kalaja e Rozafës
Një vit më parë, në një tjetër atentat u vra Enver Barbullushi, u plagos djali i tij dhe Nezir Shegaj
Ekzekutim me snajper nga kalaja e Rozafës në Shkodër për gjakmarrje. Të paktën këto janë dyshimet e para të policisë lokale për ngjarjen e ndodhur mbrëmë në hyrje të Shkodrës, ku ka mbetur i vrarë Xhabir Shegaj, i dënuar më parë për vrasje dhe drogë. Ai është ekzekutuar në atentatin e dytë po me snajper brenda një viti, ndërkohë që në muajin qershor të vitit të shkuar, në një tjetër atentat është plagosur vëllai i tij, Nezir Shegaj. Madje, gjatë atentatit ndaj Nezirit, mbeti i vrarë kushëriri i tij, Enver Barbullushi, dhe u plagos rëndë djali i viktimës, Samet Barbullushi.
Historia e gjakmarrjes
Policia ka dyshime se të tria krimet ndaj familjes Shegaj kanë ndodhur për gjakmarrje, pasi viktima e mbrëmshme ka kryer një vrasje në vitin 2001, bashkë me kushëririn e tij, Kujtim Barbullushi. Bëhet fjalë për vrasjen e Indrit Bajrit, pikërisht më 21 tetor 2001, për të cilën, në vitin 2005, Gjykata e Lartë e ka dënuar Shegajn me 17 vite burg. Pas lirimit nga burgu, familja Shegaj ka qenë objekt i atentateve. Fillimisht është bërë atentat ndaj vëllait të Xhabirit, Nezir Shegajt. Në fillim të muajit qershor të vitit që lamë pas, një atentat është kryer pranë një karburanti, te tregu i makinave në lagjen Bahçallëk të Shkodrës. Nezir Shegaj ka qenë i shoqëruar me kushëririn e tij, Enver Barbullushi dhe djalin e këtij të fundit, Sameti. Në një moment, disa persona të armatosur u janë afruar dhe i kanë qëlluar me breshëri automatiku. Nga ky atentat u vra Enver Barbullushi, 46 vjeç, u plagos i biri dhe Nezir Shegaj, të cilët u dërguan në spital dhe i shpëtuan vdekjes.
Dy muaj më vonë, pikërisht më 10 gusht të vitit 2014 u organizua një tjetër atentat ndaj familjes Shegaj. Këtë herë, atentati u organizua ndaj të liruarit nga burgu, Xhabir Shegaj, i cili kishte vuajtur dënimin me 17 vjet heqje lirie për vrasje dhe mbajtje droge. Në momentin e atentatit, ai ndodhej në shtëpinë e tij, që ndodhet poshtë kalasë së Rozafës, bashkë me të njohurin Sadetin Lohja, 40 vjeç. Nga të shtënat me snajper mbetën të plagosur Shegaj dhe Lohja, ku fillimisht u mendua se ky i fundit ishte objekt atentati, por të nesërmen dyshimet u kthyen ndaj të liruarit nga burgu.
Atentati i dytë me snajper
Kurse mbrëmë, rreth orës 21:30, u organizua atentati i tretë ndaj familjes Shegaj dhe i dyti ndaj Xhabirit, i cili këtë herë mbeti i vrarë po me snajper, teksa qëndronte në oborrin e shtëpisë. Atentati, si herën e parë, mendohet se është kryer nga Kalaja e Rozafës, ndërkohë që menjëherë pas krimit, forca të shumta kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë ngritur postblloqe në të gjitha pikat hyrëse dhe dalëse të Shkodrës. Dyshimet kryesore të policisë kanë të bëjnë me pistën e gjakmarrjes, megjithëse nuk ka asnjë provë konkrete. Burimet policore thanë se pas krimit janë kryer shoqërime të shumta, por deri në orët e vona të natës nuk ka pasur njoftim zyrtar për arrestimin e ndonjë të dyshuari. Po ashtu, policia tha se ka marrë në pyetje familjarë të viktimës për dyshimet e tyre mbi këtë krim të rëndë, por pa mundur të nxjerrë në dritë ndonjë fakt konkret për atentatorët. Re. Rre.
Dosja
Xhabir Shegaj dhe dy të tjerë vranë Indrit Bajrin
Xhabir Shegaj ka qenë i dënuar nga Gjykata e Lartë për një vrasje të kryer në vitin 2001, në bashkëpunim me dy persona të tjerë. Nga dosja e atij viti rezulton se më datë 21 tetor 2001, rreth orës 19:00, në lagjen “Partizani” të qytetit të Shkodrës ka pasur shkëmbim zjarri me armë e për pasojë është vrarë Indrit Bajri. Nga akti i ekspertimit rezulton se në vendngjarje janë përdorur tre armë, dy automatikë dhe një pistoletë. Sipas të dhënave, një nga të dënuarit, Ilmir Hajdari, kishte debatuar me Indrit Bajrin e në grindje e sipër kishin kërcënuar njëri-tjetrin e ishin ndarë të acaruar. Ditën e ngjarjes, Ilmiri, pasi kishte marrë me vete edhe Xhabir Shegën e Kujtim Barbullushin, po udhëtonin me një makinë “Mercedes Benz”. Të tre të pandehurit ishin të armatosur me armë dhe po lëviznin nga qendra e qytetit, në rrugën kryesore, në drejtim të lagjes “Partizani” (Rus). Te kryqëzimi, pranë Shkollës së Muzikës, në trotuarin pranë restorant “Podgorica”, Ilmir Hajdari vë re Indrit Bajrin dhe ky i fundit vë re të pandehurin. Menjëherë ata reagojnë ndaj njëri-tjetrit dhe Ilmiri ka qëlluar në drejtim të tij. Po ashtu, ndaj Bajrit kanë qëlluar Xhabir Shega e Kujtim Barbullushi, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.