Raporti – Parashikimet e Bankës Botërore, Shqipëria do të ulë fondet për shëndetësinë
Varfëria – Shqipëria e ka nivelin e varfërisë 47.5%. Rreth 2% e popullsisë jeton me 1.25 dollarë për frymë në ditë
Në mitologjinë greke, “mosha e artë” i referohej një periudhe idilike të paqes dhe stabilitetit kur njerëzit jetonin gjatë, të shëndetshëm, aktivë dhe me jetë të begatë. Prometeu thuhet se ka premtuar se do të vijë një “moshë e artë”, e ndritshme, më e mirë se deri tani. Në të kundërt me legjendën, në ditët e sotme, shoqëritë në plakje janë parë shpesh më tepër si një sfidë apo kërcënim sesa një mundësi. Raporti i djeshëm i Bankës Botërore analizon problematikën e plakjes së popullsisë në rajon. Rritja e moshës së plakjes ka ndodhur nga ulja drastike e fertilitetit. Vendi ynë brenda 34 vitesh ka normën e fertilitetit 1.5 nga mbi 5 fëmijë për grua, rënie e cila kërkon vëmendje. Vendi ynë renditet i pari në Europë me rënie kaq të theksuar, ndjekur më pas nga Armenia dhe Maqedonia. Emigracioni mund të kompensojë efektet e plakjes së popullsisë, pasi emigrantët janë kryesisht të rinj. Megjithatë, në shumë vende si Shqipëria, Armenia, vendet baltike, Bullgaria, Gjeorgjia, Republika e Kirgistanit, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë dhe Moldavia, emigrimi ka trende negative demografike. Sipas BB-së, plakja ka qenë e nxitur nga rënia e shkallës së fertilitetit, më shumë sesa nga ulja e moshës së vdekshmërisë, situatë e cila duket se vlen edhe për Shqipërinë. Sipas raportit, Shqipëria ka një rritje të moshës mesatare të jetës në vitet e fundit, por ulja e normës së fertilitetit e bën këtë thuajse të papërfillshme. Shqipëria, Armenia, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia dhe Turqia në periudhën 2020-2060 pritet të zvogëlojnë barrën e shpenzimeve buxhetore të kujdesit shëndetësor (me një mesatare prej 2.5 për qind të shpenzimeve publike). Gjithashtu, Shqipëria parashikohet që në dy dekadat e ardhshme të ulë në rreth 50% subvencionet për skemën e pensioneve. Ndër shoqëritë në plakje, ato me sistem progresiv të pensioneve, të tilla si Shqipëria, Armenia, Bjellorusia, Bosnja dhe Hercegovina, Gjeorgjia, Hungaria, Maqedonia, Moldavia dhe Rusia, kanë një rrezik më të ulët të rritjes së pabarazisë. Raporti shton se primet e tyre të pagave nuk ndryshojnë shumë në mesin e punëtorëve të rinj dhe atyre të vjetër. Sipas raportit, Shqipëria e ka nivelin e varfërisë 47.5%, nivel i lartë në rajon. Rreth 3% e popullsisë jeton me deri në 2 dollarë për frymë në ditë, ndërsa rreth 2% e përballon jetën me 1.25 dollarë për frymë në ditë.