Ndryshe Kina – Përtej rrugës së re të mëndafshit 

Kina – Përtej rrugës së re të mëndafshit 

1986
SHPËRNDAJE

Reportazh / Ekskluzive

Një grup gazetarësh nga 16 vende të Europës Qendrore e Lindore, vizituan më 7-17 qershor 2015 Republikën Popullore të Kinës, duke përftuar një imazh të plotë e të aktualizuar të arritjeve të saj. Gazeta “Shqip” sjell ekskluzivisht për lexuesit e saj, përshtypjet e një udhëtimi të paharrueshëm, pjesë e iniciativës së “Rrugës së re të mëndafshit”, nga e cila pritet të përfitojë edhe Shqipëria  

Armand Plaka

Mirëseardhje e përzemërt delegacionit të gazetarëve nga Europa Qendrore e Lindore! Kjo ishte shprehja që na shoqëronte kudo që shkuam bashkë me përkujdesjen e vazhdueshme që programi të përmbushej 100% dhe që të mos mungonte absolutisht asgjë. Dhe në fakt, çdo gjë ishte organizuar në mënyrë perfekte që një grup i madh gazetarësh nga 16 vendet e Europës Qendrore e Lindore (nocioni në anglisht: CEEC), nga Estonia deri në Shqipëri, të përftonin një imazh sa më të plotë, gjithëpërfshirës, të aktualizuar e realist të Republikës Popullore të Kinës. Udhëtimi, i financuar e mbështetur tërësisht nga Ministria e Jashtme e Kinës, ishte pjesë e axhendës së paracaktuar muaj më parë, që lidhet me planet e qeverisë kineze për atë që tashmë prej pak vitesh njihet si “Rruga e re e mëndafshit”, apo iniciativa “Një brez një rrugë”. Parimi i paritetit ishte mbajtur mirë parasysh për të gjitha vendet, duke hedhur pas krahëve diferencat në numër popullsie mes tyre, çka në një situatë tjetër do të bënte që Shqipëria – le të themi – të mos përfaqësohej në të njëjtin numër me Poloninë apo Hungarinë. Pas disa andrallave të vogla në aeroporte, mbërrijmë në Shangai, fama e të cilit nuk ka nevojë për koment. Sidoqoftë, rikonjicioni në terren i atyre që kishim dëgjuar qysh në fëmijëri për Parisin e Lindjes, nisi të jepte frytet e para. Kur u nisa, i bëra një premtim vetes se në reportazhin të cilin me domosdo s’do ta lija pa shkruar në faqet e gazetës “Shqip” pas vizitës 10-ditore në Kinë, do përqendrohesha thuajse tërësisht tek objektivat ekonomikë, bazuar vetëm në shifra e numra të thatë, duke dashur të shmang politizimet, historinë, kulturën apo dhe elozhet e falënderimet e rastit që në këto raste janë thuajse të pashmangshme. Por në mes të udhëtimit tonë, ndërsa mbërrita në kryeqytetin e provincës së Henanit, Zhengzhou, nisa ta rikonceptoj tërësisht idenë fillestare që pata në kokë. Shkak u bënë mbresat që po na linte një qytet, i cili ishte ngritur thuajse plotësisht i ri në dhjetë vitet e fundit, me një imazh tërësisht modern, për të cilin shumë nga kolegët përtej shakave do të thoshin se atë do të ishte e vështirë që ta ndërtoje qoftë edhe në 3D e jo më në realitet.

Henan, aty ku nis historia e Kinës

Jo vetëm kaq, por provinca qendrore me popullsinë më të madhe në Kinë, rreth 106 milionë banorë, ishte dhe zemra e kulturës dhe historisë kineze. Do ta kujtoj tashmë vazhdimisht shprehjen e shoqëruesit të grupit tonë në Henan, Guo Yang, i cili, sapo mbërritëm, na pohoi se “nëse doni të mësoni historinë 100-vjeçare të Kinës, shkoni në Shangai, nëse doni të njihni atë 1000-vjeçare, shkoni në Pekin e nëse doni të mësoni historinë e vërtetë të Kinës, atë mijëra e mijëra vjeçare, atëherë shkoni në Henan”. 40 mijë objektet e trashëgimisë kulturore kombëtare të ekspozuara në njërin ndër tre muzetë më të mëdhenj të Kinës, që binte menjëherë në sy për arkitekturën e tij të veçantë, në Zhengzhou, e që përfshinin periudha shumë të hershme arkeologjike, i jepnin tërësisht të drejtë kolegut kinez. Jo rastësisht, në atë rajon ishte çelur edhe tempulli i parë budist i Kinës (“Kali Bardhë” ose BaiMa), religjion të cilin kinezët dhe Lindja e Largët e importuan në fakt nga India, nga e cila morën filozofinë e meditimit “ekstrem”. Jo më kot, atje gjendet edhe tempulli më i madh budist e më i vizituar në botë, Shaolin, dhe pak kilometra pranë tij edhe shkolla më e madhe e arteve marciale, atdheu i kung-fusë së famshme, në fakt vetëm njëra ndër 34 të tilla në mbarë territorin e Republikës Popullore.

Gjigantë të teknologjisë e ekonomisë

Një risi e vërtetë teknologjike që na u paraqit ishte dhe zona ekonomike aeroportuale e Zhengzhou-së, duke na e bërë edhe më të qartë riorientimin ekonomik të Kinës, e cila po lëviz tashmë nga ajo e orientuar drejt investimeve dhe eksporteve, te zhvillimi endogjen që bazohet në konsum. Zona aeroportuale e Zhengzhou-së, e nisur të ndërtohet në vitin 2013, me një sipërfaqe prej 415 kilometrash katrorë, tashmë nën këtë projekt madhor, merr një rëndësi të veçantë në lidhjet mes Kinës dhe Europës. Duke thyer tabunë e vjetër se Kina qendrore pa akses në det e kufij ndërkombëtarë, nuk mund të prodhojë prosperitet, ky projekt është domethënie e zhvillimeve të reja në ekonominë kineze. Provinca Henan, gjatë vitit 2014, me një rritje në raportet eksport-import prej më shumë se 10%, rritje investimesh në nivel prej 6.5% dhe rritje të PBB-së prej 1.6% përbën tashmë një shembull të politikave vizionare. Po ashtu, shembuj të potencës së madhe ekonomike ishin edhe kompania e madhe shtetërore “Citic Heavy Industries”, apo ndërmarrje të mbështetjes logjistike e faciliteteve të tjera hekurudhore në qytetin e Zhengzhou-së si “China Railway Engineering Group Co., Ltd”, që mendohet se do t’i shërbejnë sidomos rrugës tokësore të iniciativës së re kineze, duke përshkuar shumë rajone e shtete të Euroazisë. Po ashtu, një bilanc për t’u pasur zili përmban edhe kompania e famshme Huawei, të cilën grupimi i gazetarëve nga CEEC pati rast ta vizitojë, e themeluar me një kapital fillestar fare modest në fillim të viteve ’80, e që tashmë është një lider në fushën e inovacionit e teknologjisë, duke u bërë e njohur sidomos në prodhimin e smartfonëve e pajisjeve elektronike të fjalës së fundit.

Ningbo, aty ku nis rrugëtimi detar  

Ndërsa përshkuam mijëra kilometra, duke prekur qytete të bregut lindor e juglindor të Kinës si Shangai, Ningbo, Jiwu, kryeqytetin e provincës së Zhejiang-ut, Hangzhou, atë të Henanit, Zhengzhou, bashkë me lokalitetet që mbartin vlera të trashëgimisë kulturore botërore si Luoyang, Shaolin, Dengfeng dhe së fundmi edhe kryeqytetin e vendit, Pekinin, sytë na shohin shumë panorama të gjelbëruara, por edhe një infrastrukturë gjigante, të re e moderne, duke na bërë të besojmë se puna e atyre njerëzve tashmë me kohë i ka dhënë frytet e veta.  Udhëtimi nis nga Shangai e për tri ditë me radhë nuk na ndahet shiu e mjegulla që na jep një ndjenjë bezdisëse, por një sërë aktivitetesh të zhvilluara në qytetin e Ningbo-së, njëri ndër qytetet më të zhvilluara të Kinës dhe qendër e disa ekspozitave e panaireve, të cilave u parapriu një konferencë speciale për investimet kineze në vendet e Europës Lindore e Qendrore, ku mori pjesë edhe një delegacion shqiptar i kryesuar nga zëvendësministri i Jashtëm, z. Selim Belortaja, i kishin dhënë qytetit një atmosferë të veçantë e tepër miqësore. Shkojmë në pavijonin shqiptar dhe gjejmë të ekspozuara produkte kryesisht agrokulturore, si ftesë paraprake për konsumatorin kinez, për të pranuar e përthithur më shumë nga prodhimet tona. Pala kineze ishte kujdesur që të aplikonte norma falas për evidentimin e ekspozimin e artikujve dhe pjesëmarrja e zyrtarëve të lartë kinezë dhe mediave lokale e atyre qendrore, bënë që të gjitha aktivitetet të përcilleshin në mënyrën e duhur. Në fund, seria e aktiviteteve u mbyll me një mbrëmje gala, ku në shenjë respekti për mysafirët nga Europa, u luajtën pjesë muzikore klasike e tradicionale nga 16 vendet tona, nga një orkestër e njohur filarmonike vendase, e cila me virtuozitetin e saj, ndezi dukshëm atmosferën në një sallë ku të gjithë pohuan se po ndiheshin “si mbretër”. Moderniteti i atij qyteti dhe hapësirat e mëdha, si dhe zgjerimi i aktivitetit portual, e kanë bërë këtë qytet tashmë një lider jo vetëm rajonal, por edhe simbol të bashkëpunimit ndërkombëtar, nga i cili do mund të përfitonte edhe Shqipëria e rajoni, si pjesë e rrugës detare të iniciativës “një brez, një rrugë”.  Në një takim me lidershipin e qytetit të Jiuu-së u njohëm gjerësisht me arritjet dhe planet për ta bërë këtë qytet që shënon tashmë një rekord botëror në shitblerjen e këmbimet e mallrave e artikujve tregtarë industrialë, një simbol të paharrueshëm të zhvillimit.

Zhejiangu i bukur

Në fakt, e gjithë provinca Zhejiang ishte një rajon shumë i zhvilluar e interesant, ndërsa veçmas na bëri përshtypje kryeqyteti i saj, Hangzhou, i cili bashkë me kohën e bukur që na shoqëroi, natyrën e papërsëritshme, shëtitjet me anije në Liqenin Perëndimor, pagodat e statujat e perandorëve të dinastive të moçme kineze, tregun apo pedonalen e famshme të mëndafshit, por edhe me ndërtesat e mirësistemuara, rrugët, sheshet e gjera e parqet e gjelbëruara – si dhe vizitën në selinë e platformës më të madhe të shitjeve online, tashmë një nga krenaritë kineze, AliBaba –  riformatuan një imazh të ndryshëm nga ai që hasëm në qytetet paraardhëse, apo edhe nga ai që do të shihnim në Pekin, ku rëndom do të hasnim edhe në një trafik të rënduar e një vapë bezdisëse. Në këtë qytet ndodheshin edhe plantacionet e çajit më të famshëm kinez, Longjing, që cilësohet si nga më të mirët në botë. Sipas asaj që më pohoi një koleg nga Europa Qendrore, në Zhengzhou po shihnim vërtet “njerëz të lumtur”, që shëtisnin apo vraponin në natyrën e mrekullueshme të një qyteti që fshihte shumë më tepër se aq. Krerët e provincës që rezervuan një pritje të veçantë për grupin tonë, ku fjala e përshëndetjes në emër të gjithë pjesëmarrësve, iu la kreut të delegacionit shqiptar, pohuan se qyteti tashmë njihte edhe disa partneritete konkrete me shumë qytete e kryeqytete në rajonin tonë, duke vlerësuar se bashkëpunimi kulturor e turistik sidomos, do të ishte një vektor i mirëpritur.

Spektakle të paharrueshme

Rrugës drejt shkollës së Kung-Fu-së në Luoyang, hasim edhe oxhaqe të mëdha që padyshim se çlirojnë në atmosferë gazra të dëmshëm, por ngjyra e tymit që ato nxjerrin është e bardhë, çka sigurisht se është indeks i filtrimit të tij dhe na bën të besojmë se bashkë me gjelbërimin masiv ndër qytete e fshatra, përbëjnë përpjekje të lavdërueshme për të balancuar apo reduktuar nivelet e emetimit të gazrave serë, të cilat i kanë dhënë Kinës në fakt një emër jo të mirë e që akoma bëjnë që qiejt e saj në shumë rajone, të mos shquhen dot tërësisht. Sidoqoftë, shkolla e arteve marciale SongShan e tempullit Shaolin, na rezervon një spektakël të vërtetë sportivo-artistik që i mahnit të gjithë pjesëmarrësit e për të cilin na u tha se u rezervohej shpesh personaliteteve më të mëdha nga bota që vizitonin shkollën me mbi njëmijë studentë që i nënshtroheshin një disipline formale ushtarake. Prej tyre furnizoheshin shpesh edhe njësitë speciale të policisë e ushtrisë kineze. Një surprizë e vërtetë dhe e paimagjinueshme e pret grupin e 49 gazetarëve nga vendet e Europës Lindore, ndërsa në mbrëmjen e 14 qershorit, pas vizitës në tempujt Baima, Shaolin dhe statujat e Budave në Luoyang, u jepet mundësia të jenë dëshmitarë të një spektakli artistik që shpaloste më së miri traditën jo vetëm muzikore e koreografike kineze, realizuar në faqet e dy maleve ndanë një tempulli të madh budist, çka la gojëhapur të gjithë të pranishmit që rëndom nisën të përsërisnin me vete fjalët “O Zot, kjo është e paimagjinueshme”, apo “A mos ndodhemi në një ëndërr?!”. Në fakt, bëhej fjalë për një performancë me pjesëmarrjen e qindra valltarëve e artistëve, të cilët nën ritmet e një muzike që mbart vlera jo vetëm muzikore, por më së shumti shpirtërore, kishte si mision paraqitjen e vlerave të moçme kulturore të popujve që jetojnë në Republikën Popullore të Kinës.

Pekini, aty ku mund të humbasësh

Stacioni i fundit i udhëtimit tonë ishte Pekini, kryeqyteti i Republikës Popullore të Kinës. Programi nuk kishte si të mos përmbante vizitën në “qytetin e ndaluar” që gëlonte nga turistët, “Pallatin e Verës” apo dhe sheshin Tien An Men, të cilin “ia grabitëm dhunshëm” organizatorëve në momentet e fundit, por ndërsa po niseshim drejt një konference të organizuar nga Departamenti i Europës në Ministrinë e Jashtme kineze, patëm rastin të shihnim edhe ndërtesën e Ambasadës Shqiptare, e cila, ndryshe nga ç’kisha dëgjuar, nuk ishte ndërtesa më e madhe e një ambasade të huaj në Kinë, por me siguri se mund të renditet pa mëdyshje si ndërtesa më dinjitoze që një përfaqësi shqiptare ka sot për sot në botë. Me një staf modest në numër që i duhet të mbulojë edhe detyra ekstra që përfshijnë aktivitet rutinor e shpesh të ngjeshur diplomatik edhe në vende të tjera të Azisë e Oqeanisë, anëtarët e saj nën drejtimin e ambasadorit me eksperiencë, z. Kujtim Xhani, u panë të ishin prezentë – jo vetëm në Pekin – e të interesoheshin për objektivat ekonomikë kinezë në Europën Lindore dhe gjetjet e misionit të gazetarëve të rajonit mbi arritjet e fundit të Kinës. Zyrtarët kinezë pohuan me këtë rast me keqardhje se investimet kineze në mbarë rajonin e Europës Lindore, asaj Qendrore e Juglindore, nuk i kalonin në vlerë ato që Kina kishte bërë në Suedi, apo anasjelltas, se Austria për shembull, kishte bërë më shumë investime në Kinë sesa të gjitha vendet e CEEC-së të marra së bashku, duke shpresuar e uruar njëkohësisht që kjo situatë të ndryshojë sa më parë. “Pallati i Verës” dhe “Qyteti i ndaluar”, bënë që disa nga anëtarët e grupit edhe të humbitnin në një lumë turistësh, ku veç europianëve binin në sy turma latinoamerikanësh. Nxitimi i orëve të fundit për të mos humbur asgjë nga një destinacion që jo vetëm për shqiptarët, mund të konsiderohet si “i jashtëzakonshëm”, për pak na bëri të harrojmë se na duhet të ktheheshim në atdhe, duke besuar se tashmë kemi vënë edhe një gur tjetër në miqësinë sa të vjetër aq edhe të re mes dy popujve që më së shumti ndajnë si tipar të përbashkët, mikpritjen dhe përpjekjet për një jetë më të mirë.

***

Demokracia në Kinë, jo një tabu!

Zyrtarët kinezë e definojnë vendin e tyre dhe sistemin mbi të cilin kanë arritur të jenë ekonomia në zhvillim më e madhe në botë dhe ekonomia globale e dyta në rruzull pas asaj amerikane, si një “vend socialist me karakteristika kineze”, duke mos ngurruar aspak që atë që përjetojnë ta cilësojnë edhe si një “demokraci” në mënyrën që ata e konceptojnë këtë term. Pasi në fakt, ndryshe nga ç’mund të mendohet, atje tashmë flitet lirisht edhe për sfida të mëdha që përndryshe rezultojnë të jenë sa globale aq edhe lokale, si: varfëria, demokracia, të drejtat e njeriut, ndotja e ajrit etj. Qysh para se të niseshim, ambasadorja e re kineze në Tiranë, Zonja Jiang Yu, theksoi në një takim me gazetarët e medias së shkruar, se: “Ne jemi të ndërgjegjshëm se kemi shumë sfida të mëdha përpara, se na duhet të ndeshemi me varfërinë, të ngremë mirëqenien individuale në atë shkallë që performon edhe shteti”, duke shpalosur objektiva të qartë, të detajuar e që do të duhet të përmbushen në një afat kohor me shtrirje afatmesëm hap pas hapi, duke përmendur si kufi, 100-vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës dhe po ashtu edhe 100-vjetorin e themelimit të Partisë Komuniste kineze. Më duhet të përmend këtu edhe një fakt sa rrëqethës, aq edhe domethënës. Ndërsa po udhëtonim me njërën nga linjat e brendshme ajrore kineze për të shkuar drejt kryeqytetit të provincës së Henanit, lexova në faqet e “China Daily” një lajm që fliste për një vetëvrasje të fëmijëve të një familjeje në një provincë kineze, ardhur si pasojë e varfërisë ekstreme, por përshtypje më bëri fakti se lajmi ishte botuar duke pohuar të vërteta shumë të hidhura, për më tepër në një gazetë, e cila rëndom lexohet nga të huajt, pa bërë asnjë përpjekje për ta fshehur. Ndërkaq, një zyrtar i Ministrisë së Jashtme kineze në provincën e Henanit, mik i shqiptarëve dhe njohës i mirë i çështjeve ndërkombëtare, në bisedë me grupin tonë u dha përgjigje disa pyetjeve që lidhen me rajonin e Tibetit, atë të debateve më të fundit rreth Detit të Kinës Jugore, apo dhe nivelit të demokracisë në vend, duke pohuar se Dalai Lama në rastin e parë, nuk përfaqëson apriori vullnetin e popullit të Tibetit, provincës autonome në perëndim të vendit, pjesë e Kinës shumë kohë para se të themelohej Republika Popullore, duke përmendur nga ana tjetër se investimet kineze atje kanë sjellë përmirësim të ndjeshëm të jetës së banorëve. Po ashtu, në lidhje me argumentin e dytë, zoti Yang Weibin u shpreh se Kina po mundohet ta zgjidhë problemin në mënyrë diplomatike, duke pohuar gjithsesi të drejtën sovrane të Kinës mbi ato territore detare. Gjithashtu, ai tha se çdo individ apo grupim, ka të drejtë të ankohet, aplikojë ose kërkojë që çështja e tij të shqyrtohet në të gjitha rrugët e mundshme institucionale e gjyqësore, duke përjashtuar dhunën si mjet për zgjidhjen e problemeve. Nga ana tjetër, duhet pohuar se nëpër qytetet ku ne kaluam, shpesh shihnim billborde e tabela të mëdha që reklamonin fjalët “demokraci, dinjitet, solidaritet” etj, çka flet për një shkallë të re ndërgjegjësimi e reformimi të shoqërisë kineze.

***

Çfarë është iniciativa “Një brez, një rrugë”

Iniciativa në fjalë i ka fillimet e veta tre vjet më parë kur Presidenti kinez, Xi Jinping, gjatë një vizite që zhvilloi në vendet e Azisë Qendrore e Juglindore, propozoi ndërtimin me kontributet e përbashkëta të vendeve pjesëmarrëse të të ashtuquajturit “brezi ekonomik i rrugës së mëndafshit” për shekullin e 21-të ose siç njihet ndryshe edhe si “një brez, një rrugë” ( One belt, one road). Kjo iniciativë përshkon kontinentin aziatik, europian e atë afrikan, duke lidhur sidomos dy qarqe aktive ekonomike, atë të Europës e Azisë Qendrore me dy mënyra: atë detare e atë tokësore. Kjo nisëm trashëgon në fakt frymën e rrugës së vjetër të mëndafshit, të përshkuar 2000 vjet më parë, në përputhje me kërkesat e kohës së cilën po jetojmë. Janë rreth 60 vende tashmë që i janë përgjigjur kësaj iniciative dhe shteti kinez në dokumentet e fundit zyrtare që parashtrojnë këtë orientim, flet për respektim të zgjedhjeve e vendimeve të pavarura të çdo vendi e qeverie pjesëmarrëse në të, duke i kushtuar rëndësi të veçantë integrimit dhe strategjive të zhvillimit e nxitur bashkëpunimin rajonal e më gjerë. Dokumenti me pesë pika, është bërë tashmë i njohur gjerësisht prej kohësh edhe në mediat shqiptare, duke përbërë kësisoj një ftesë konkrete për ekonominë shqiptare e grupimet e interesuara për të përfituar nga një plan që në themel të tij ka vetëm zhvillimin dhe bashkëpunimin, ku të gjithë mund të ndihen pa u diskriminuar, si të parë mes të barabartëve.

***

Një copëz Shqipërie në Radion e Jashtme të Kinës

Një tjetër surprizë e këndshme për grupin tonë ishte dhe vizita në Radion e Jashtme të Kinës, e veçanërisht në seksionin shqip të saj, i cili përfshinte një staf të përzier shqiptaro-kinez prej më shumë se 20 vetash, që na rezervoi një pritje tejet miqësore e që na bëri të ndihemi si në shtëpi. Ndërsa ofron programe në disa gjuhë, nuk ke se si të mos ndihesh krenar që shqipja ka lënë pas gjuhë të tjera, duke mbajtur më këmbë një seksion njerëzish tejet të pasionuar të udhëhequr nga një drejtuese e talentuar e njohëse e shkëlqyer e traditave e gjuhës shqipe, zonja Vera, siç njihej ajo me emrin shqiptar. Themeluar qysh në vitin 1941, në tymin e Luftës së Dytë Botërore, ajo ka njohur një kreshendo të admirueshme, duke zgjeruar programacionin dhe gamën e shërbimeve e shërbyer më së miri si një platformë e vërtetë, jo vetëm e arritjeve të Kinës, por edhe atyre njerëzore në të gjitha fushat.

***

Fotot

  1. Gazetarët nga 16 vendet e Europës Qendrore e Lindore, gjatë vizitës në “China Railway Engineering Group Co., Ltd.” në Zhengzhou, kryeqyteti i provincës së Henanit, në Kinën Qendrore më 12 qershor 2015
  1. Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Pekin
  1. Gazetarët nga 16 vendet e Europës Qendrore e Lindore, gjatë vizitës në kompaninë “Huawei”, në Pekin
  1. Vullnetarët kinezë përshëndesin delegacionin e gazetarëve nga CEEC që vizitoi portin e qytetit të Ningbo-së