Pavijoni i etnografisë, së shpejti hapet në Muzeun Historik Kombëtar
Melsi Labi: Ky pavijon do ta bëjë më të plotë trashëgiminë tonë historike
Shqipëria është një ndër vendet më të pasura për etnografinë. Vetëm veshjet popullore mund të shihen në 140 forma të ndryshme. Format e mrekullueshme të xhubletës, por dhe fustanellat, xhamadani, veshjet e femrave dhe burrave vazhdojnë të shihen sot, si pjesë e një tradite të çmuar, e cila duhet pasuruar në kërkime. Së shpejti një koleksion që do të përfaqësojë këtë pjesë të identitetit tonë kulturor, do të mund të shihet në pavijonin e etnografisë, që pritet t’u bashkohet pavijoneve të tjera të Muzeut Historik Kombëtar. Tashmë një vizitor që do të hyjë në muze, nuk do të shohë vetëm historinë e Luftës Nacionalçlirimtare, pavijonin e gjenocidit komunist, pavijonin e lashtësisë, mesjetës apo rilindjes kombëtare, por dhe pavijonin e ri të etnografisë. Sipas drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar, Melsi Labi, shumë shpejt ky pavijon do të hapë siparin për vizitorët. “Është një projekt që ka vonuar disi rrugës, që me konkretizimin e idesë për ndërtimin e tij, por tashmë grupet e punës janë në punë e sipër dhe në një moment të afërt do të jetë gati për publikun”, thotë Labi. Sipas tij, ky pavijon e pasuron më shumë muzeun, duke sjellë në të një pjesë të rëndësishme të identitetit tonë. Në të do të prezantohet trashëgimia jonë shpirtërore dhe materiale ndër shekuj. Do të jetë një vitrinë nga ku do të shihet mirë një pasuri e jashtëzakonshme, siç janë veshjet tona të traditës. Sipas specialistëve, mozaiku i veshjeve popullore në vendin tonë përbëhet nga mijëra pjesë elementesh, që te veshjet për fëmijë, veshjet për festa, për të punuar, dalje në pazar, sipas zonave të ndryshme krahinore, deri te veshjet e dasmës. Veshjet e vajzave shqiptare, të cilat të joshin dhe teksa i sheh sot do të jenë të të gjitha dimensioneve të tyre, bashkë me këmishën prej bezeje të bardhë, mëngët e gjata e pa zbukurime. Nuk do të mungojnë as llojet e xhamadanëve, që tek ato me jelekun prej shtoje të mëndafshtë, deri te kostumet popullore plot ngjyra të malësisë së Gjakovës. Ky pavijon do të jetë si një kthim pas në histori, për të parë përmes veshjeve të ekspozuara doket dhe zakonet apo dhe mënyrën e jetesës në kohë të ndryshme në vendin tonë. Pasi askush më mirë sesa veshjet nuk e tregojnë nivelin e jetesës së një vendi. Ideja për hapjen e një pavijoni të etnografisë ka nisur që në vitin 2008, për t’u konkretizuar në vitin 2010, kur Këshilli Kombëtar i Muzeve vendosi ndërtimin e tij me një financim prej 400 mijë dollarësh nga PNUD-i. Ndërtimi i pavijonit ka marrë kohë dhe për shkak të kushteve që kërkohen për ekspozimin e objekteve njëshekullore. Veshjet e ruajtura në kohë kërkojnë kushtet e duhura për t’u ekspozuar, në mënyrë që të ruajnë autenticitetin. Sipas Labit, një grup specialistësh është duke punuar që gjithçka të jetë në kushtet e duhura për objektet që priten të ekspozohen aty. Ky pavijon pritet të zëvendësojë dhe atë çfarë ka sjellë mungesa e një Muzeu të Etnografisë në Tiranë. Prej kohësh specialistët apo njerëz të lidhur me kulturën kanë kërkuar që etnografia të jetë pjesë e trashëgimisë së këtij qyteti. Kohët e fundit, Muzeu Historik Kombëtar u mor me rikonceptimin e linjave muzeore. Në vitin 1996, këtij muzeu iu shtua pavijoni i gjenocidit komunist që është dhe një ndër pavijonet më të vizituara. Në të paraqiten momente të historisë sonë nga viti 1943 deri në rënien e komunizmit në vitin 1990. Fotografi apo dokumente sjellin momente sesi ka funksionuar komunizmi në vend, nga sloganet deri te krimet e bëra në emër të filozofisë së tij. Për Labin tashmë ka ardhur koha që muzeu të mbartë të gjitha elementet që duhet të ketë një muze kombëtar, ku etnografia është një pjesë e rëndësishme e identitetit tonë shpirtëror dhe kujtesës historike të këtij vendi.