Maklen Misha


Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian, Elmar Brok, nuk është një figurë e panjohur për publikun shqiptar. I pranishëm prej vitesh në politikën shqiptare me deklaratat dhe qëndrimet e tij, z. Brok është një nga ata lloj personazhesh, të cilët nuk është fare e nevojshme t’i dëgjosh për të ditur se çfarë kanë për të thënë për zhvillimet politike në Shqipëri. Sepse z. Brok është, në fakt, pjesë e një tradite mbështetjeje të verbër për Partinë Demokratike, që ndër vite është përfaqësuar nga personazhe si Doris Pack apo i famshmi Grossruck.


Deklarata e tij për zgjedhjet lokale që sapo kemi lënë pas është një shprehje tipike e kësaj tradite. Nëse gjysma e raportit të OSBE-ODIHR është e vërtetë, tha ai, atëherë mund të themi se zgjedhjet janë të falsifikuara, duke shtuar më pas se fakti që Edi Rama humbi 20% të votave të përgjithshme është drejtësi!


Është padyshim një deklaratë absurde, që do të kishte qenë normale po të dilte nga goja e Edi Palokës apo Arben Ristanit, por jo kur shqiptohet nga një përfaqësues i lartë i së djathtës në Parlamentin Europian. Në gojën e një përfaqësuesi kaq të lartë të së djathtës europiane, kjo deklaratë nuk sjell asgjë pozitive. Përkundrazi, veç sa i dëmton të gjithë, si forcën që z. Brok përfaqëson, ashtu edhe atë që supozohet të ndihmojë.


Së pari, kjo sjellje e z. Brok konfirmon sërish një nga problemet kryesore me të cilat përballen sot segmente të caktuara të Partive Popullore, të cilat në vijimësi kanë treguar një gatishmëri thuajse imorale për të shkelur me këmbë çdolloj parimi e vlere në emër të një solidariteti ideologjik me partitë simotra kudo në Europë. Duket gati-gati si një lloj refleksi sa pavlovian aq dhe donkishoteskt të trashëguar nga koha e Luftës së Ftohtë e të gdhendur fort e thellë në ADN-në e asaj pjese të së djathtës ku bën pjesë z. Brok. Ka plot raste që e ilustrojnë dominimin e këtij instinkti për të shtrënguar radhët mbi çdolloj shqetësimi për të mbajtur qëndrime parimore apo objektive. Mjafton të kujtojmë qëndrimin e grupit parlamentar të Partive Popullore ndaj partisë së Kryeministrit hungarez, Orban, dhe refuzimin për të përjashtuar përfaqësuesit e kësaj force thjesht e vetëm nga frika se do kumbisnin ca vota në Parlamentin Europian. Ose, për t’u rikthyer në Shqipëri, le të kujtojmë reagimet e po këtij zotërie, apo edhe disa të tjerëve, ndaj raporteve të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 2009, e veçanërisht atyre të 2011, përballë të cilave, problematikat e identifikuara në raportin paraprak të zgjedhjeve lokale të 2015 janë fare sporadike e minore. Për shembull, si mund të skandalizohet një politikan si z. Brok nga raporti paraprak për zgjedhjet e 2015, por të quajë të pranueshme e demokratike (siç edhe ka ndodhur) mënyrën sesi u zgjodh Kryetari i Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet e vitit 2011? A nuk e dëmton imazhin dhe besueshmërinë e të djathtës së moderuar në Parlamentin Europian një hipokrizi e tillë nga një përfaqësues kaq i lartë?


Së dyti, deklarata si ajo e z. Brok dëmtojnë më shumë sesa thjesht imazhin e Partive Popullore. Zotëria në fjalë është para së gjithash një përfaqësues i lartë i Parlamentit Europian. Për shumë vite me radhë, në mënyrë padyshim shumë naive, shqiptarët i kanë parë institucionet e Bashkimit Europian, e posaçërisht Parlamentin Europian, si institucione që mishërojnë standardet më të larta të demokracisë, etikës, e sjelljes parimore në politikë. Por a është vallë i tillë standardi i z. Brok? A është vallë e denjë për Parlamentin Europian që Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të sillet si të ishte ndonjë version gjerman i Arben Ristanit?


Sidoqoftë, dëmin më të madh z. Brok po ia bën vetë Partisë Demokratike, të cilën po përpiqet të ndihmojë, sepse e vetmja vlerë reale që mund të ketë deklarata e tij është si titull për të hapur Rilindjen Demokratike. Në 21 qershor u regjistrua një disfatë dramatike e Partisë Demokratike, e cila nuk erdhi si rezultat i manipulimeve apo abuzimeve të pushtetit, por në radhë të parë, si rezultat i paaftësisë së Partisë Demokratike për të nxjerrë mësime nga humbja e vitit 2013, për t’u reformuar e për të sjellë përpara publikut një ofertë të re e të shkëputur nga e shkuara e saj e afërt në pushtet. Kjo është në fakt ajo çka po fillon të dëgjohet gjithnjë e më shpesh edhe nga radhët e disa prej figurave kryesore të kësaj force, të cilët janë të vetëdijshëm se Partia Demokratike ndodhet sot në një qorrsokak nga i cili nuk mund të dalë kurrsesi nëse vazhdon të sillet siç është sjellë deri më sot. Por deklarata si ajo e z. Brok, duke krijuar alibi të paqena e duke krijuar shtigje për shmangien e përgjegjësive apo reflektimit mbi atë që ka ndodhur dhe mbi derexhenë ku është katandisur kjo forcë, nuk po i bëjnë asnjë nder Partisë Demokratike. Përkundrazi.