Kryeministri Edi Rama ka mbështetur Pr/ligjin për arsimin e lartë dhe u ka bërë thirrje deputetëve të opozitës që ta votojnë në seancën e jashtëzakonshme parlamentare.
Rama e ka cilësuar Pr/ligjin e ri si një reformë historike dhe ka akuzuar opozitën dhe qeverinë e drejtuar nga Berisha në 8 vjet se bën propagandë të vajtueshme kur flet për “mbyllje të dyerve të të varfërve në arsimin e lartë”.
“Ky është një proces shembullor, gjithëpërfshirës për këtë reformë historike të arsimit të lartë. Situata para vitit 2013 kur aleanca jonë erdhi në pushtet, ishte e rënduar, që nga spektakli i “part-time”-it të famshëm, deri te vegjetimi i botës së arsyes, – u shpreh kryeministri. – Në kohën e PD-së, Shqipëria diplomonte studentë të shtunave e të dielave me sistemin e famshëm “part-time” një numër të barabartë me atë të studentëve që diplomoheshin në arsimin e lartë”.
Sipas Ramës, “në sistemin “part-time” kishte 28.117 studentë. Ky është sistemi që ngritën këta, dhe kjo ishte një zgjedhje politike, jo arsimore, për të mos u përballur me plagën e papunësisë rinore, duke u thënë të rinjve, ja ku i keni universitetet dhe pastaj çohuni, – shtoi Rama. – Dhe e gjithë propaganda në emër të bujarisë për të varfrit, është një propagandë e vajtueshme. Ajo ka qenë një zgjedhje politike për të blerë kohën në pushtet. Kjo nuk ka sjellë më shumë njerëz të arsimuar, por më shumë njerëz të diplomuar. Diplomoheshin studentë edhe në fundjavë. Ata të varfrit, siç i quani ju, diplomuan fëmijët, por dolën të humbur”.
Berisha: Reformë anti-kombëtare, mbyll dyert për të varfrit
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për Pr/ligjin për arsimin e lartë, ish-kryeministri Sali Berisha ka thënë se sistemi më i mirë është ai i Britanisë së Madhe.
Sipas tij, kjo reformë mbyll dyert e universiteteve publike dhe u mbyll dyert studentëve të varfër. “Shqipëria ka një përqindje të ulët të arsimit të lartë. Më përpara kishin frikë të arsimonin të rinjtë, por unë nuk ua mbylla dyert shtresës së varfër. Në botë numri i studentëve u katërfishua, ndërsa në Shqipëri përmes kësaj reforme është në reduktim. Kjo reformë është anti-kombëtare, jemi vendi më i pashkolluar në Europë. Unë them se ka mekanizma për të rritur cilësinë, por ky që doni të votoni ju nuk është modeli britanik, por një model që i mbyll dyert të rinjve të varfër”, – tha Berisha.
Sipas Berishës, “pr/ligji plotëson dëshirën tuaj për t’u shkolluar sa më pak. Ky pr’ligj është e kundërta e atyre të këshilluar nga Bashkimi Europian. Duhet të respektohet autonomia e pedagogëve. Pa liri akademike nuk ka rezultate”.
21 korrik 2015 (gazeta-Shqip.com)