Muent Holger_1Muent Holger: BERZH mbështet një treg të përbashkët rajonal në Ballkanin Perëndimor


Projektet – Banka punon ngushtë me Western Balkans Investment Framework (WBIF) e cila është një mekanizëm koordinues i rëndësishëm që bashkon të gjitha palët e interesuara.


Investimet – “BERZH mbështeti krijimin e Këshillit të Investimeve me pjesëmarrjen e biznesit”.


Energjetika – “Po shohim mundësitë e investimit në interkonjeksionin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë”.


Biznesi – “Ne mund të ofrojmë financim direkt bizneseve të vogla dhe të mesme (SME-ve)”.


Bankat – “Ne ofrojmë financim indirekt SME-ve nëpërmjet bankave lokale dhe unioneve financiare”


Bujqësia – “Po punojmë me bankat për të krijuar një linjë për financimin e agrobiznesit”


Rudina Hoxha


Drejtori Rajonal i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Muent Holger, pranon në një intervistë ekskluzive për gazetën “Shqip” se banka po punon aktualisht rreth një strukture të re e cila do të përmirësojë aksesin e bizneseve shqiptare në sektorin e bujqësisë ndaj financimit nga bankat lokale. “Ne besojmë se në këtë sektor, ka shumë potencial të pashfrytëzuar për zhvillim dhe punësim. Nëpërmjet Fondit Kombëtar të Garancisë në Shqipëri, ne po punojmë së bashku me bankat dhe institucionet financiare për të krijuar një linjë për financimin e agrobiznesit”, thotë Holger. Gjithashtu, eksperti gjerman, i cili iu bashkua BERZH-it në vitin 1999, njofton se banka do të ishte e interesuar të merrte në konsideratë mbështetjen e autostradës Adriatiko-Joniane, e cila është një projekt rajonal që po promovohet nga qeveritë e Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe Shqipërisë.


Nga pikëpamja juaj, kush janë mundësitë që ofron Shqipëria duke marrë parasysh pozicionin e saj gjeografik?


Shqipëria është e pozicionuar në zemër të Ballkanit Perëndimor – një rajon me një rëndësi strategjike për nga lidhjet tregtare me Bashkimin Europian dhe pikat e rëndësishme të aksesit me Detin Adriatik. Si për shumë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përafrimi me BE-në mbetet forca shtytëse kryesore prapa reformave ekonomike dhe strukturale. Kjo është një mundësi në vetvete dhe nevojitet të shfrytëzohet, sepse reformat do ta ndihmojnë Shqipërinë të realizojë potencialin ekonomik, si dhe të thellojë bashkëpunimin e saj rajonal. Së fundmi, ne publikuam parashikimet tona ekonomike rajonale me një PPB të parashikuar prej 2.5 për qind në Shqipëri në 2015, ndërsa mund të arrihet më shumë.


Si e mbështet BERZH sektorin privat në Shqipëri?


Mbështetja e zhvillimit të sektorit privat në Shqipëri është një nga qëllimet kryesore të BERZH. Ne ndjekim disa mënyra për të mbështetur sektorin privat në Shqipëri. Ne mund të ofrojmë financim direkt bizneseve të vogla dhe të mesme (SME-ve) më të fuqishme si me kapital aksionar ashtu edhe me borxh. Ne gjithashtu po ofrojmë financim indirekt SME-ve nëpërmjet bankave lokale dhe institucioneve mikrofinanciare. Aktualisht, ne po punojmë rreth një strukture të re e cila do të përmirësojë aksesin e bizneseve në sektorin e bujqësisë ndaj financimit nga bankat lokale. Ne besojmë se në këtë sektor, ka shumë potencial të pashfrytëzuar për zhvillim dhe punësim. Ne jemi të kënaqur tek shohim përpjekjet e qeverisë për ta shfrytëzuar këtë potencial me anë të National Guarantee Fond (Fondit Kombëtar të Garancisë.)Nëpërmjet këtij Fondi, ne po punojmë së bashku me bankat dhe institucionet financiare për të krijuar një linjë për financimin e agrobiznesit. Forcimi i zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit privat dhe mbështetja e konkurrencës së tij, si për shembull, fuqizimi i segmentit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, është një nga prioritetet tona në Shqipëri. Kjo do ta ndihmojë vendin të bëhet më fleksibël ndaj faktorëve të jashtëm ekonomikë si paparashikueshmëria në Eurozonë dhe çmimet e mallrave.


Kush mendoni se janë sektorët e veçantë që Shqipëria duhet të zhvillojë në kontekstin rajonal?


Në kontekstin rajonal, ekonomia shqiptare është krahasueshmërisht e vogël dhe për të tërhequr investime private ka nevojë të jetë e lidhur mirë me tregjet më të mëdha në rajon, si në aspektin e infrastrukturës ashtu edhe në atë të harmonizimit të rregullave kundrejt fqinjëve. Kjo është arsyeja se përse integrimi rajonal është një nga prioritetet kyçe të punës sonë në Shqipëri. Në Ballkanin Perëndimor, për shembull, BERZH, në bashkëpunim me Komisionin Europian, IFN të tjera, dhe autoritetet qeveritare, është duke investuar në rehabilitimin dhe ndërtimin e rrugëve kyçe dhe seksioneve hekurudhore të cilat janë pjesë e korridoreve të transportit (si për shembull, Korridoret V, VIII dhe X) që lidhin Ballkanin Perëndimor me BE-në. Aktualisht, Banka po merr në konsideratë financimin dhe rehabilitimin e seksioneve të rrugëve dhe hekurudhave në Kosovë, rehabilitimin dhe ndërtimin e rrugëve në Bosnjë-Hercegovinë dhe Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Në Mal të Zi, BERZH po merr në konsideratë investime të tjera në sektorët e aeroportit dhe porteve detare. Banka punon ngushtë me Western Balkans Investment Framework (WBIF) e cila është një mekanizëm koordinues i rëndësishëm që bashkon të gjitha palët e interesuara dhe krijon projekte me rëndësi prioritare të një interesi të përbashkët. Projekte të tilla rajonale kanë një efekt mbi politikat e rëndësishme si rregullat tregtare dhe doganore për të thjeshtëzuar bashkëpunimin ekonomik midis vendeve fqinje në Ballkanin Perëndimor. Banka do të ishte e interesuar të merrte në konsideratë mbështetjen e autostradës Adriatiko-Joniane, e cila është një projekt rajonal që po promovohet nga qeveritë e Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe Shqipërisë. Kjo autostradë do të lidhë Europën Qendrore dhe atë perëndimore me Greqinë nëpërmjet Ballkanit Perëndimor, duke forcuar kështu bashkëpunimin dhe integrimin rajonal.


Kush janë projektet që BERZH ka realizuar në Shqipëri ose që po realizon në mbështetje të integrimit të saj rajonal?


BERZH ka realizuar një sërë projektesh që kontribuojnë në integrimin rajonal të saj, sepse kjo është një nga prioritetet kyçe të punës sonë në Shqipëri. Për shembull, Banka po financon aktualisht, së bashku me BE-në dhe European Investments Bank (Bankën Europiane e Investimeve) ndërtimin e rrugëve të unazës së Fierit dhe Vlorës. Këto projekte janë pjesë të Korridorit VIII dhe përfitojnë nga granti i konsiderueshëm i Fondeve të IPA-s. Më parë, projektet e BERZH-it kanë përfshirë rehabilitimin e seksionit të rrugës Elbasan-Librazhd e cila është pjesë e Korridorit VIII, ndërtimin e një terminali të ri në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, ndërtimin e seksioneve të rrugëve Levan-Vlorë dhe Levan-Tepelenë (gjithashtu pjesë e Korridorit VIII) si dhe terminalin e pasagjerëve në Portin e Durrësit. Ne gjithashtu kërkojmë të mbështesim sigurinë energjetike rajonale dhe po shohim mundësitë e investimit në interkonjeksionin midis Shqipërisë dhe Maqedonisë. Forcimi institucional është njësoj i rëndësishëm për të tërhequr investitorët në vend. Përmirësimi i klimës së biznesit është tashmë në qendër të axhendës ekonomike të qeverisë. BERZH mbështeti Shqipërinë në krijimin e Këshillit të Investimeve, për të krijuar një platformë për dialogun midis sektorit publik dhe atij privat, si dhe për të përmirësuar klimën e investimeve.


A e mbështesni një Beneluks Ballkanik?


Më tepër do të flisja për një treg të përbashkët rajonal. BERZH mbështet fort bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor, i cili është i domosdoshëm për perspektivat dhe stabilitetin e rajonit. Kjo është përgjigjja më e mirë ndaj sfidave të shumta të tij. Kur ne organizuam takimin e parë me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Selinë e BERZH-it një vit më parë, ne, pikësëpari, kërkuam të promovojmë rajonin si një destinacion investimesh. Por ky takim ishte edhe një mesazh i fortë politik për stabilitetin dhe maturinë e sapoarritur të rajonit. Intensifikimi i bashkëpunimit rajonal midis kombeve në rajon është midis arritjeve më të mëdha së fundmi të Ballkanit Perëndimor.


Kryeministri Edi Rama ka theksuar shpesh se sa më parë Ballkani të jetë në BE, aq më mirë do jetë për sigurinë dhe zhvillimin e tij.


Axhenda e reformave të BE-së dhe reformat ekonomike janë një katalizator i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe vendi duhet të vazhdojë në këtë rrugë. Ne jemi vërtet të inkurajuar nga iniciativa e qeverisë drejt kryerjes së reformave. Zbatimi i këtyre reformave do të jetë kyç për përmirësimin e klimës së investimeve dhe për forcimin e zhvillimit dhe punësimit. Kështu Shqipëria është padyshim duke lëvizur në drejtimin e duhur. Por disa nga sfidat e saj janë të rrënjosura thella si dobësitë në sistemin e drejtësisë dhe në administratën publike dhe kështu ato kërkojnë shumë këmbëngulje. Përafrimi me BE-në është një maratonë, jo një sprint.