Kryesoret UNË, KONTI DHE SHËN VASILJI I OSTROGUT TË MALIT TË ZI

UNË, KONTI DHE SHËN VASILJI I OSTROGUT TË MALIT TË ZI

1800
SHPËRNDAJE

MONIKA SHOSHORI STAFA

Reportazh

Shoferi mund edhe të përshëndeste në atë të nxehtë afrikan, por duket që me gjithë dengun e të huajve që vinin nga Polonia e Çekia së bashku, as nuk donte t’ia dinte për gjahun e majmë të radhës, që në këtë rast ishin eurot e shumta që i ofruan pasagjerët që nuk deshën të prisnin më gjatë në peronin, megjithëse modern të Autobuska Stanica në Ulqin. Por më e keqja për ta kish shkuar. Francezët e ngratë që nuk e duronin të nxehtin sa polakët që kishin nisur ta mbysnin atë me Niksicko Pivo-n e pahesaptë, lusnin me padurim malazezin të nisej. Por kundrejt tyre, ai në qetësinë e vet regjistronte emrat në heshtje. Çfarë pamje idilike! Ca francezë të kamur e aventurierë që vapa e ndoshta shqiptarët apo Shqipëria i kish lodhur prej çmimeve, ca polakë hokatarë tutje, çekë të butë matanë, pak montenegrinë të mësuar me këtë linjë dhe ne, shqiptarët e Shqipërisë londineze, që iu gjetëm të huajve me ca shpjegime lehtësuese. Kështu preferuam këtë vit. Do të udhëtonim me autobus. Sigurisht që kryebashkiaku i ri i Tiranës, nuk na kopjoi ne, në nisjen e ditës së parë të punës në zyrën e tij. Me sa duket ky ishte trendi i kësaj vere të thatë e të nxehtë.

***

Linja me autobus nga Ulqini drejt qyteteve malazeze në vazhdim, spikat të jetë si një nga më të çuditshmet në rajon. Autobusi ecën nëpër tunele të panumërta, gjithmonë skajeve të ca greminave me male rrethuar përqark. Papërshkueshmëria e tyre e thyer në maja që gjarpërojnë, duken se janë krejt të papunueshme dhe ndoshta edhe të pabanuara, një tokë mistike që sa herë i kthehem më ysht dashurinë ta përshkruaj nën vrunduj mendimesh që më çojnë mijëra vite më parë. Lart shumë lart, mes asaj shkretëtire shterpe shkëmbinjsh gri, tek–tuk sheh një kryq të vetmuar mbi një ndërtesë prej guri, rrethuar nga parcelat me bar, pastruar nga gurët për t’i lënë vend kullotjes së deleve apo dhive. Dhe asnjë sy njeriu që duket përtej. Pamja duket e shkretë. Gradualisht malet të duken se shënjojnë rrugën dhe autobusi shtrohet përgjatë detit të gjerë Adriatik në anën tënde të majtë, ndërsa relievi fillon e zbutet me ca fusha të vogla por pjellore që mblidhen sa herë qytetet ndërrohen në stacione. Sa më shpejt lëvizet prej autobusit, i cili mbushet plot me të rinj të zhurmshëm, së shumti pushues nga Serbia në destinacionet ku mund të mbërrihet lehtë nga treni, ndryshimet klimatike janë ato që vërehen të parat. Ajri është thuajse tropikal dhe kjo bën sens sepse jemi shumë afër Mesdheut. Mali i Zi është një vend që shënjon histori sapo e prek. Këtu ngacmimi i një kohe të largët mistike është i pandalshëm në çdo hap. Edhe unë atë çast mora anën e tyre kur një buzëqeshje e lehtë më kaloi përballë, teksa kisha rrëshqitur në përrenj mendimesh. Ishte portreti i një konti me titull të trashëguar prej të parëve si dhe më pohoi më pas, i cili në kohën e duhur ishte shkëputur nga kjo epokë moderne me zgjedhjen e tij të lirë, i shtyrë prej dashurisë së kujtimeve të të parëve të vet, në të rrojturit mes artefaktesh dhe antikuarësh. Plaku simpatik si kish kapur ende dy shtatat e fundme të jetës së tij, si dhe na pohoi vetë ëmbëlsisht.

Gjithmonë më ka prekur karakteri luftarak dhe i përulur i kësaj toke. Faqet e historisë shkruajnë për të se toka e ndarë përgjysmë, u përgjak dhjetëra herë që të ruante pavarësinë e saj nga Perandoria panosmane. Por historia moderne e vendit të vogël tani njeh protagonistë të tjerë. Gjatë luftës ai ishte i mbushur plot me mafiozë. Nafta, cigarja dhe armët u kontrabanduan nga jashtë përmes Podgoricës në Serbi dhe diçka nga kjo lloj atmosfere e së paligjshmes së atyre kohëve, ende ndihet në ajër. Podgorica është një qytet ku njerëzit flasin me zë të lartë, të paqtë në përgjithësi, të kudogjendur për të të ndihmuar, por dhe një qytet i lirë në të njëjtën kohë. Mali i Zi nuk mund të quhet aspak një tokë sharmante për shkak të shtrirjes gjeografike, por sigurisht me misticizmin e vet “të pabesë” duket sikur nget timonin drejt një qyteti kufitar në Wild West-in e largët. Dhe kjo është e njëjtë pothuajse në të gjitha qytetet e tjera të rajonit tonë, Ballkanit, ku çdo njeri prej tyre që pas rënies së perdes së hekurt në Berlin, vazhduan të notojnë pashmangshmërisht në para të zeza. Këto do të dëgjoja nga Andreji, kont i moçëm malazez, ulur në sediljen e tij të përcaktuar në biletën që e mbante në dorë me aq delikatesë, teksa udhëtimi vazhdonte. Shpjegimin e tij do ta mbaja gjatë në mendje sepse aventura tej asaj çfarë shihje më kish bërë aq shumë kureshtare. Përshkrimi i tij në serbisht kish vlejtur, për një rajon që ende vuan kthetrat politikë të ca fuqive okulte. Pasi lamë Jadran Sea, kaluam përmes maleve për të shëtitur pak në Podgoricë, dhe pak orë më tej hipëm në një tjetër autobus që shkonte në drejtim të Nikshiqit. I mbushur plot me njerëz, i nxehti vazhdonte të shënonte gradë të larta. Duke lënë Podgoricën autobusi u ngjit drejt maleve shkëmbore dhe djerre. Nëse të ndodh ndonjëherë të mos ngopesh me male të larta e të pafundmë, shtoi konti, eja në Mal të Zi. Në asnjë vend nuk ka aq shumë shkëmbinj, sa çka në këtë vend. I gjithi shkëmb, ndërsa nuk kalon nëpër të, asnjë pikë ujë. Zbritja në një udhëkryq të pashënuar është ndalesa e radhës për të marrë rrugën drejt një manastiri të shenjtë për malazezët, manastiri i Ostrogut. Ky manastir është një nga më dramatikët në Europë. Çfarë e bën atë të tillë, veç vendosjes spektakolare qepur në fytyrën e një shkëmbi të pathyeshëm, është dhe qëndrueshmëria ndaj çdo force pushtuese, një bllok i përjetshëm ndaj çdo lloj armiku, më i egri ai turk. Rruga drejt tij, harkuar në dredha dhe krejt e pluhurosur jep menjëherë përshtypjen e një zone të banuar me njerëz të ashpër, ku konti shpjegon se dikur popullohej çuditërisht vetëm nga barinj shqiptarë. Shqiptarë? – shqeva sytë dhe gojën, njëherësh. Po, po shtoi ai dhe madje aq të zotë ishin sa thonë se i stërvitnin qentë –ujq, të fluturonin në ajër ndaj të huajve armiqësorë. Por historinë se si barinjtë shqiptarë gjendeshin në Ostrog nuk ma tregoi pavarësisht këmbënguljes sime. Të jetë ndoshta kompleksi i fqinjit vonë në këto male shkëmbinjsh?

Sapo mbërrin pranë kompleksit të manastirit pret të kalosh nëpër një parking plot me autobusë turistikë që përcjellin pelegrinë serbë dhe malazezë. Aty sheh gjithashtu kabina druri plot me suvenire si kryqe, ikona apo dhe shumë objekte të tjera që kundërmojnë erë temjani dhe kishash të lashta. Më tutje një kafene që pret për të të gostitur me ujë të ftohtë mali fillimisht, nën tingujt e një narodna musikë malazeze dhe serbe. Pastaj, drejt një udhe të ngushtë dredha-dredha, anash mbuluar nga hijet e selvive dhe ullinjve, ngjitemi drejt destinacionit tonë, manastirit, priftërinjtë e të cilit për nga historia, duken të jenë ndër të më devotshmit në rajon. Manastiri duhet të jetë ndërtuar në një nga shpellat që gjendet në këtë shkëmb të madh guri. Më pas shkëmbinjtë u latuan për t’i dhënë formë manastirit me qelat dhe kapelat e nevojshme. Ndërtimi i tij daton rreth vitit 1665. Brenda tij qëndron trupi i balsamosur i Shën Vasiljit, peshkopit asket që e kaloi jetën e tij në një nga këto shpella dhe vdiq këtu në vitin 1671. Sipas legjendës shpjegon konti, pas vdekjes së Shën Vasiljit, një parfum i ëmbël filloi të lëshohet prej eshtrave të tij. Që atëherë shumë mrekulli i janë atribuuar emrit të tij ndërsa reliket u vizituan gjatë shekujve jo vetëm nga pelegrinë ortodoksë, por dhe sllavë apo shqiptarë myslimanë. Një murg qëndron në krye të arkivolit dhe aty mund të kërkosh një lutje për veten dhe të afërmit tuaj nën dritën e zbehtë të qirinjve. Pas kësaj, thuhet se e mira të ndjek pas. Si një soditëse kureshtare, mes dëshirës për të vjelë sa mundja ritualet e dikujt atypari, dhe prekjes së shpejtë të sarkofagut që të këndonte në vesh edhe nëse ti s’e kishe mendjen, bëra pas në hyrje të ndërtesës mistike, ku i premtova vetes, veç thurjes së planeve të një të ardhmeje “të përndritur”, me domosdo natyrisht dhe kthimin sërish në këtë vend me njeriun e butë, që kushedi çfarë ka pasur në mend kur ka vendosur të jetojë në këtë shpellnajë të gurtë, Shën Vasiljin e brishtë.

Malet gjatë gjithë udhëtimit, jo pak të shkurtër, nuk na lanë sakaq të çliroheshim nga çartjet e së kaluarës, kuisje tingëllimash kambanoresh që ti i merr vetëm në kësi vendesh, të cilat historia e jetës i krijoi për tokësorë me shpirt mjelme. E gjitha në një, -i thashë vetes nën zë. Molim? – më erdhi zëri nga pas. Konti i dy shtatave, me gjoksin disi të futur dhe shpatullat e përkulura lehtas, me autoritetin e padiskutueshëm të hundëmëdhenjve, nën dy sy të errët, por të ndezur nga një zjarr i trishtuar, i largët dhe i afërt në të njëjtën kohë nuk pëlqeu si duket çfarë kisha reflektuar. Jo asgjë, – i thashë. Kjo botë është e bukur dhe kaq. Sta to znaci? – pyeti konti. Unë nuk fola më, ishte e kotë. Çdokush do të duhej ta ndiente këtë vend në mënyrën e tij. Jeta vetë, vazhdoi ai si të më zbuste bezdisjen, është një strategji e tërheqjes dhe këtë e kanë ditur të gjithë pasanikët e kësaj bote, piratët e deteve dhe ata të rrugës. Që këtej, e përforcoi ai mendimin, u shpik dhe turizmi. Jeta e njeriut si qenie në vetvete është e tëra një vepër djallëzore. Refleksione të një vere të nxehtë të një konti të harruar, i fola vetes pa zë sakaq. Më pëlqeu. Një aristokrat ka të drejtë të parapëlqejë të shkuarën. Në mendjen e tyre, vdekja mbetet diçka klasike, një çast i ndalur i ciklit të brezave. Kur lë pas manastirin e Ostrogut arrin të kuptosh se besimi mund të lëvizë realisht edhe shkëmbinjtë. T’u mbijetosh atyre e madje t’i bësh ata të flasin, si ndodhi me Shën Vasiljin ishte gati aq e pamundur sa t’i çosh ato prej vendit ku janë. Por me kohën thonë ndodh dhe shpirtëzimi i materies dhe kështu pjesët përbërëse të manastirit, latimet mbi shkëmbinj, qela apo dhe kapelat tani kanë marrë formën e fytyrës së murgut të butë. Po, – shtoi konti të gjitha në një dhe me zërin e ngjirur nuk mund ta linte pa përfunduar aksiomën e përbotshme të çastit tim, “të gjitha në një sepse në botë asgjë nuk ndalet”. Unë se kuptova nëse i vinte keq apo ndihej i lehtësuar kur e pohoi një gjë të tillë.