Kryeministri Rama: Lufta ndaj informalitetit, ul taksat rrit rrogat
“Lufta e përbashkët me informalitetin do të na japë mundësinë të rritim rrogat dhe të ulim taksat”, deklaroi dje Kryeministri Edi Rama në një postim në Facebook. “Shembujt dhe shifrat ndihmojnë për të kuptuar se sa shumë kemi bërë në 20 muaj në luftën kundër informalitetit, por edhe se sa e madhe është mundësia që na jep më tutje një luftë frontale, e përbashkët, e çdo qytetari që do rritje rrogash dhe e çdo biznesi që do ulje taksash, kundër atyre që vjedhin konsumatorin duke mos dhënë kuponin fiskal për atë që shesin, si edhe atyre që u bëjnë konkurrencë të pandershme bizneseve të rregullta duke shmangur taksat”, deklaron Rama. Postimi shoqërohej me një tabelë mbi rritjen e përdorimit të kasave fiskale në këta 20 muaj. Sipas të dhënave të ofruara nga Kryeministri, më 1 tetor 2013 ishin vendosur 60869 kasa fiskale, më 31 dhjetor 2014 ishin 74235 pajisje të tilla në përdorim dhe më 20 gusht 2015, kjo shifër arriti në 84121. Ndërkaq, kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, ngre dyshime në lidhje me mungesën e 1.3 miliardë dollarëve të ardhura që kanë munguar gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Sali Berisha, pikërisht në një periudhë që kap vitet 2009 – 2013. Në profilin e tij në Facebook, Braçe drejton gishtin tek ish-kryeministri dhe ish-ministri i Financave, Ridvan Bode. “Kush i vodhi mbi 1.3 miliardë dollarë të ardhura që mungojnë në buxhetin e shtetit nga 2009-a deri në shtator 2013?! Sali Berisha apo Ridvan Bode?! Mungonin kur ne kishim taksat më të ulëta në botë! Lulzim Basha duhet t’i përgjigjet pyetjes, ai ishte në qeveri dhe i drejton të dy në parti”, thotë Braçe, duke iu drejtuar kreut të PD-së, Lulzim Bashës. Ai kërkon reagimin e tij teksa, parashtron prova për mungesën e të ardhurave nga tatimet dhe taksat. “Nuk do e bëj kurrë që të justifikoj qoftë edhe një qindarkë të vetme që mungon në buxhetin e shtetit si e ardhur nga tatimet dhe taksat. Asnjëherë! As sot, edhe pse ka argumente të mbështetura në prova. Për një arsye të thjeshtë: për mua duhet mbledhur çdo qindarkë e përcaktuar si vlerë e tatimeve dhe taksave, vendosur ligjërisht për qytetarët dhe bizneset”, thotë Braçe, duke parashtruar edhe një plan konkret për mënyrën se si duhet të realizohet. “Plani? Nuk do ta kuptoj kurrë, ndaj mendoj se të ardhurat ligjore mund të jenë gjithnjë më shumë se plani. Por (gjithnjë ka një ‘por’), për ditë të tëra me radhë po dëgjoj dy ‘argumente’: i artikulon ‘më i krehuri’ në politikë, madje dhe më i lustruari me dhjam, Lulzim Basha; i pari, ‘janë vjedhur 160 milionë dollarë që mungojnë në buxhetin e shtetit nga tatimet e doganat’; i dyti, ‘rënia e të ardhurave fryt i dështimit të politikës së majtë të taksave'”, thotë Braçe. Duke iu referuar shifrave konkrete të ndryshimit të të ardhurave të mbledhura ndër vite, kreu i Komisionit të Ekonomisë i rendit ato nga viti 2009 deri në 2013-n. “Në vitin 2009 (viti i parë kur nisi të rishihet buxheti me ulje të të ardhurave) mungonin në buxhetin e shtetit 15 miliardë lekë të reja të ardhura. Ndër to 4.8 miliardë lekë në TVSH, 3.3 miliardë lekë në tatimfitimi, 7.8 miliardë lekë në akciza; në vitin 2010, mungonin në buxhetin e shtetit 36.2 miliardë lekë të reja të ardhura. Ndër to, 12.9 miliardë lekë në TVSH, 1.7 miliardë lekë në tatimfitimi, 2.9 miliardë lekë në akcizë, 6.8 miliardë lekë në të ardhura personale; në vitin 2011, mungonin në buxhetin e shtetit 18.1 miliardë lekë të reja të ardhura ndër to; 16 miliardë lekë në TVSH, 2.3 miliardë lekë në akcizë, 2.5 miliardë lekë në të ardhura personale; në vitin 2012 mungonin në buxhetin e shtetit 23 miliardë lekë të reja të ardhura ndër to; 8.2 miliardë lekë TVSH, 5.4 miliardë lekë në tatimfitimi, 6.2 miliardë lekë në akcizë, 1.6 miliardë lekë në të ardhura personale; deri këtu, për katër vite të qeverisjes së Sali Berishës; mungonin në buxhetin e shtetit 92.3 miliardë lekë të reja gjithsej: mbi 1 miliard dollarë!! (referuar kursit të periudhës)”, i drejtohet Braçe, Bashës, ku ndër të tjera ngre pyetjen se “si ka mundësi që nuk realizoheshin të ardhurat kur ju kishit “taksën e sheshtë”, më të ulëtën në botë, akcizat më të ulëta gjithashtu?”.
Artemisa Hoxha