Ekonomi Qeveria synon të mbledhë 330 milionë dollarë shtesë, do të rriten pagat dhe pensionet

Qeveria synon të mbledhë 330 milionë dollarë shtesë, do të rriten pagat dhe pensionet

1249
0
SHPËRNDAJE

Operacioni

Ministri: Realizimi i planit, 10.5 miliardë lekë më pak

Zamir Alushi

Kasa-fiskale_1Rreth 330 milionë dollarë është efekti pozitiv në buxhetin e shtetit i llogaritur nga qeveria për operacionin kundër informalitetit. Ministri i Financave deklaroi dje, se ulja e taksave dhe rritja e pagave janë qëllimi kryesor i luftës kundër informalitetit, çka do të thotë më shumë të ardhura. Kreu i financave tha se programi pritet të sjellë shtesë të ardhurash në buxhet deri në 2.8 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. “Nuk është sekret. Natyrshëm aksioni do të synojë rritje të të ardhurave. Ka edhe përllogaritje sesa do të jetë rezultantja e kësaj fushate: 330 milionë dollarë ose afërsisht 40 miliardë lekë. Ky është synimi”, deklaroi ministri i Financave. Cani tha se realizimi me sukses i këtij programi do të bëjë të mundur një sërë masash në ndihmë të ekonomisë dhe qytetarëve. “Kjo do të sjellë disa efekte dhe kemi synime. Rritja e të ardhurave do të na ndihmojë në disa drejtime. Qëllimi final është ulja e nivelit të taksave, ulja e nivelit të borxhit publik dhe investime në shëndetësi e arsim. Kjo do të krijojë mundësi edhe për rritjen e pagave dhe pensioneve”, deklaroi Cani.

Mungesa e të ardhurave

Duke folur për nivelin e realizimit të planit buxhetor, ministri Cani pranoi se të ardhurat nga tatimet janë më pak nga sa ishte planifikuar, por më shumë se viti i kaluar. “Të ardhurat janë 215 miliardë lekë, 10,5 miliardë më pak se plani, por 10 miliardë më shumë se viti i shkuar”, u shpreh ministri Cani. Ministri u shpreh se plani nuk është realizuar për faktorë që nuk varen nga dikasteri që drejton. Ministri i Financave sqaroi zërat që rezultojnë me humbje, të ardhura që mungojnë në arkën e shtetit. Kreu i Financave tha se ky nivel informaliteti është i trashëguar dhe nuk u krijua nga qeveria e majtë. Madje, sipas tij, pjesa dërrmuese e mosrealizimit prej 15.5 miliardë lekësh nuk ka lidhje me tatimet dhe doganat apo administrimin fiskal, por buron nga faktorë që nuk janë në dorën e qeverisë, si rënia e çmimit të naftës, ulja e importeve të energjisë dhe rënia e interesit të depozitave. “Nëse do t’i mblidhnim, ne këtu na dalin 11 miliardë lekë që nuk janë faktorë të cilët kanë sjellë dëm në ekonomi, përkundrazi, kanë ndihmuar ekonominë, duke ju përmendur edhe shmangien nga tatimet, taksat dhe TVSH të makinerive, pajisjeve, çimentos e të tjera, që kanë ndihmuar ekonominë, por në të njëjtën kohë kanë sjellë efekte në të ardhura”, deklaroi ministri i Financave. Duke shpjeguar taksën e lartë të karbonit për karburantet, ministri Cani tha se “BE-ja dhe Eurozona nuk kanë sistem të njëjtë taksash, po kështu edhe SHBA-ja, ku nuk taksohet karburanti, por taksohet rreth 600 dollarë apartamenti, përkundrazi, në Shqipëri është vënë taksë e lartë për karburantin, por taksohen shumë pak banesa”, theksoi Cani. Ndërsa lidhur me taksimin e duhanit që prodhohet në vend, Cani tha se është sa gjysma e vlerës së taksës së cigareve të importit, por duhet gjetur mënyra për ta marrë atë. Rritja e prodhimit vendas të duhanit është një nga faktorët e uljes së të ardhurave nga akciza në dogana. Megjithëse muaji korrik vlerësohet më i mirë për tatimet dhe doganat, vlerësohet se mungesa në raport me planin është rreth 2.5 miliardë lekë më pak. Cani u ka dhënë dje përgjigje edhe kërkesave të biznesit për ulje të taksave. Ministri Cani tha se taksat do të ulen vetëm pasi ndërhyrja të japë efekt. Për rikthimin e taksës së sheshtë, të cilën e propozon opozita, ministri tha se nuk është në planet e qeverisë.

Krahasimi

Ministri Cani e krahasoi aksionin me atë që ndërmori qeveria vitin e kaluar në sektorin e energjisë, por nuk e përmendi operacionin kundër informalitetit në fushën e prodhimit, importit dhe tregtimit të naftës. “Mbi 140 milionë dollarë në vit humbje për buxhetin e shtetit, si pasojë e evazionit fiskal në këtë sektor. Nga ana tjetër, qytetarët shqiptarë nuk marrin cilësinë që do të duhet të merrnin për çmimin që paguajnë për naftën që konsumojnë”, kështu deklaroi në nisje të operacionit ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj. Rezultati në fund ishte i papërfillshëm për buxhetin e shtetit. Këto qindra milionë dollarë nuk u kthyen në arkën e shteti, por edhe çmimi në treg u ngrit më tepër. Nga ana tjetër, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar një evazion të lartë në këtë sektor, për të cilin ka njoftuar autoritetet më të larta të shtetit, por këto të ardhura nuk po mblidhen. Kontrolli i Lartë i Shtetit informoi Kuvendin se koncesionarët që shfrytëzojnë naftën e nëntokës shqiptare kanë kryer evazion deri në pesë për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Duke paraqitur raportin vjetor të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2014 dhe gjysmën e parë të këtij viti, kryetari Bujar Leskaj u shpreh në Komisionin e Ekonomisë së “gjatë kësaj kohe, dëmi ekonomik i zbuluar është 27 miliardë lekë, nga të cilat 11 miliardë vetëm për 2014-n dhe 16 miliardë për gjashtëmujorin e parë të këtij viti”. Megjithatë, ndryshe nga operacioni në sektorin e naftës, fushata e shtatorit ka pritshmëri më të lartë, edhe për faktin se do të monitorohet nga FMN-ja. Mosrealizimi i të ardhurave është arsyeja kryesore e shtyrjes së bisedimeve nga misioni i FMN-së, i cili kthehet në Tiranë në vjeshtë.

Basha: Ku janë paratë që i mungojnë buxhetit?

Kryedemokrati Lulzim Basha ka ironizuar qëndrimet e Kryeministrit Edi Rama për rritjen ekonomike dhe vjeljen e taksave, duke i kërkuar atij që të japë shpjegime se ku janë paratë nëse ka rritje të të ardhurave. “Kryepërgjegjësi për vjedhjen e 160 milionë dollarëve nga tatimet dhe doganat sapo deklaroi se numri i pajisjeve fiskale qenka rritur me plot 25 mijë gjatë qeverisjes së tij. Pra numri i kasave qenka rritur. Taksat u rritën. Tarifat u rritën. Akcizat u rritën. Faturat e energjisë u rriten. Çmimi i naftës në qiell. Atëherë ku janë paratë që i mungojnë buxhetit? Dridhen e përdridhen me lloj-lloj përrallash, por e vërteta është se miliona dollarë që i mungojnë arkës së shtetit kanë përfunduar në xhepat e qeveritarëve. Vjedhin taksat e qytetarëve dhe u tregojnë burgun atyre që luftojnë për bukën e gojës. Kjo është e vërteta e tmerrshme që nuk mbulohet dot me shoshën e propagandës bajate”, shkruan Basha në Facebook.