Aktualitet Policia rrit me 21% numrin e punonjësve

Policia rrit me 21% numrin e punonjësve

731
SHPËRNDAJE

Objektivi

Brenda 5 viteve, totali do të shkojë në 12 mijë efektivë, përfaqësimi i femrave 19%

Haki CakoPër periudhën afatmesme, numri total i punonjësve të policisë shkon në 11 mijë veta

Brenda pesë viteve, policia pritet të rrisë numrin e funksioneve të saj me 21%, duke e çuar limitin organik në 12 mijë punonjës policie. Ky është një ndër synimet e policisë për menaxhimin e burimeve njerëzore, pasi numri aktual i punonjësve është cilësuar i pakët në krahasim me numrin e popullsisë. Gjatë kësaj periudhe pritet të rritet ndjeshëm edhe përfaqësimi i femrave, minoriteteve dhe grupeve etnike.

Në dokumentin strategjik deklarohet se policia shqiptare është e organizuar në nivelin qendror e atë vendor me struktura të veçanta. Deri në vitin 2014, policia shqiptare administronte një limit organik prej 9915 punonjësish ose 1 punonjës policie për 438 banorë, shifër kjo e lartë në raport me vendet e tjera në rajon e BE. Me shtesat në limitin organik të mbështetura nga buxheti 2015, limiti organik arriti në 10 998 punonjës ose 1 punonjës policie për 398 banorë. Por numrit të vogël të punonjësve të policisë, në vite i është shtuar edhe keqpërdorimi i personelit. “Shkurtimi jashtë studimit të faktorëve dhe nevojave të limitit organik të policisë, si dhe përdorimi i 23% të efektivit të nivelit bazë në shërbimet e vetësigurimit, kanë ndikuar negativisht në kontrollin e territorit, zbatimin e ligjit dhe garantimin e sigurisë për qytetarët”, thuhet në dokument. Po ashtu deklarohet se implementimi jo i mirë i gradave profesionale duke i dhënë ato shpesh jashtë vlerave e treguesve të punës dhe duke kthyer në qëllim përfitimi, ka krijuar një hierarki të zhdrejtë në raportin epror–vartës dhe midis niveleve.

Për këtë arsye, veç ndryshimeve të ndryshme në strukturat e policisë, qeveria ka menduar që për pesë vjet, numri total i punonjësve të policisë të shkojë në 12 mijë, ose e thënë ndryshe të rritet me 21% nga numri aktual. Për periudhën afatmesme, pra deri në vitin 2017, ky numër pritet të shkojë në 11 mijë, ndërsa një mijë punonjës të tjerë do të shtohen në vitet 2018-2020.

Ky nuk është i vetmi objektiv në këto vite, pasi do të rishikohet edhe numri i femrave në polici. “Synimi ynë është edhe rritja e numrit të punonjëseve të policisë femra deri në vitin 2020 ku ato do të përbëjnë 19% të punonjësve të Policisë së Shtetit”, thuhet në strategjinë për rendin publik. Aktualisht punonjëset femra përbëjnë 6.5% të punonjësve të policisë dhe deri në vitin 2017 pritet që ky nivel të shkojë në masën 12.5%, ndërsa deri në vitin 2020 synohet të arrihet niveli 19%.

Po ashtu, policia synon të ketë vëmendje më të veçanta edhe për minoritetet dhe grupet etnike. Aktualisht, ky grup përbën vetëm 0.5% të totalit të punonjësve, ndërkohë që për pesë vjet synohet niveli prej 1.9%.