Ndryshe Historia Franc-Jozef Shtraus: A ishte spiun i amerikanëve?

Franc-Jozef Shtraus: A ishte spiun i amerikanëve?

1013
0
SHPËRNDAJE
Citroen Oferta 2

Përkujtimore – Në 100-vjetorin e lindjes së një prej politikanëve më karizmatikë të Pasluftës në Gjermani, dalin në dritë dokumente të reja, të cilat hedhin dyshime për rolin e tij si spiun i amerikanëve në vitet e Luftës. Nëse do të ishin të vërteta, do të mund të shtohej edhe në dosjen “shqiptare” të Shtrausit, një element që mund ta katapultonte atë për herë të parë si interlokutor direkt të interesave amerikane në Shqipëri 

Armand Plaka

Në fakt, veç Gjermanisë, emrin e tij thuajse e njohin të gjithë në Shqipëri, sidomos brezi që përjetoi vitet tetëdhjetë e fundin e sistemit të shkuar. Ai përmendet sa herë që Shqipëria kujton rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me RFGJ-në, por jo pak edhe në debatet që lidhen me politikat ekonomike të fundviteve tetëdhjetë, duke e shndërruar kësisoj atë në sinonim të atij që në fjalorin politiko-historik njihet si “shansi i humbur”. Përkrah figurave si Gensher, Kohl, apo Merkel, ai njihet e respektohet shumë nga shqiptarët, padyshim.

Erdhi dy herë në vendin tonë, para dhe pas vdekjes së diktatorit shqiptar, Enver Hoxha, i pajisur me kredenciale të forta për të dialoguar me ish-krerët më të lartë komunistë të kohës për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe lakohet si promotori më i madh i rivendosjes së tyre, por edhe si artikuluesi i ofertave “të majme” ekonomike gjermane për vendin e vogël “kokëfortë” ballkanik.

Debati në Shqipëri, ende i hapur

Debati për kontributet e tij e më konkretisht për ofertat e tij bavareze apo gjermane, si dhe sasinë e shumave që do të duhej të përfitonte Shqipëria, është ndezur shpesh vitet e fundit, duke e hiperbolizuar apo duke e relativizuar atë, sipas rastit. (Ish-lideri i fundit komunist në Shqipëri, Ramiz Alia, duke folur për “shansin e humbur gjerman”, kontestoi në vitet e fundit të jetës së vet, dëshmitë se Shtrausi dhe Gjermania na kishin premtuar e aq më tepër lëvruar shumat marramendëse, për të cilat shpesh është folur në shtypin e ditës në vendin tonë).

Franc-Jozef Shtraus nuk arriti të bëhej kurrë Kancelar i RFGJ-së, edhe pse sot shumëkush, edhe nga gjiri i kundërshtarëve politikë, mendon se ai mund ta kish kryer më së miri këtë detyrë, pasi nuk i mungonte as përvoja, as këmbëngulja e as mbështetja. Por ai e përfundoi karrierën vetëm si kryeministër i Bavarisë, landit më të famshëm e më të zhvilluar gjerman, e njëkohësisht edhe si kreu më jetëgjatë i kristiansocialëve, simotra bavareze e kristiandemokratëve gjermanë, që kanë shënjuar për një kohë të gjatë jetën politike të Pasluftës në RFGJ e që ishin dhe promotorë të Ribashkimit gjerman.

Dje ai shënoi 100-vjetorin e lindjes dhe sigurisht se do ta meritonte të kishte një vëmendje të veçantë ndër shqiptarët, edhe thjesht për këtë fakt, por një lajm që ka mbërritur ditët e fundit në mediat gjermane ka bërë që të mos kemi vetëm një përkujtimore, por me këtë rast hapjen e një debati të gjerë e të ri që lidhet me rolin e një prej politikanëve më aktivë, më karizmatikë e më me ndikim në jetën publike të dekadave të Pasluftës në Republikën Federale Gjermane.

Çfarë pretendon autori i studimit?

Një sërë gazetash prestigjoize si, “Die Welt”, “Die Zeit” e “Der Spiegel”, i bënin jehonë dy ditët e fundit lajmit se Shtraus mund të jetë angazhuar si spiun i amerikanëve në vitet e fundit të Luftës së Dytë Botërore, duke lënë hapur shtegun për aludime që lidhen me të ardhmen e tij politike e mbështetjen që ai mund të ketë pasur në ditët e tij më të mira nga Uashingtoni zyrtar, në një mënyrë “underground”, si shpërblim për “shërbimet” e tij në kohë të vështira.

Sipas “Die Zeit”, Qendra Federale gjermane për Edukimin Politik, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Franc-Jozef-Shtrausit, pretendon se ka hasur në disa dëshmi e dokumente arkivore, sipas të cilave hidhen dyshime të forta rreth angazhimit të ish-kryeministrit bavarez si spiun për llogari të amerikanëve.

“Dosjet e reja të ish-Ministrisë për Sigurinë Shtetërore në ish-RDGJ dhe ato të Shërbimit Informativ Shtetëror gjermanoperëndimor, BND, flasin për disa dëshmi të panjohura deri më tani për lidhje të mundshme të Shtrausit me SHBA”, thuhet në punimin shkencor të publikuar nga juristi dhe docenti universitar, Enrico Brissa, punonjës i institucionit të Presidentit të Gjermanisë.

Në dosjet e sipërpërmendura pretendohet se Shtraus në tetor 1944 u ka dorëzuar amerikanëve materiale sekrete mbi mbrojtjen ajrore të qyteteve gjermanojugore, ndër ta edhe të Vyrcburgut. Takimi i Shtrausit me njerëzit e shërbimit të fshehtë ushtarak amerikan “Office of Strategic Services (OSS), paraardhëses së CIA-s, sipas tyre duhet të jetë zhvilluar në një lokalitet në kufirin me Zvicrën, të quajtur St. Margarethen.

“E vërteta do të sillte rishikim të historisë”

“Nëse kjo do të kish qenë e vërtetë, atëherë kapituj të rëndësishëm të historisë së vonë të Gjermanisë, duheshin rishikuar”, shkruan Brissa. Rëndësia e madhe politiko-historike, ndër të tjera bëhet edhe më evidente pas kësaj, “pasi bëhet fjalë për mbrojtjen ajrore të Vyrcburgut, që dihet se ishte bërë në atë kohë, një objektiv primar i amerikanëve në sulmet e tyre të ashpra ajrore”.

Informacionet mbi veprimtarinë e mundshme agjenturore të Shtrausit, studiuesi thotë se i ka hasur në një dokument të ish-Ministrisë gjermanolindore të Sigurisë Shtetërorë (MfS) – ose siç njihet më shumë ndërkombëtarisht: STASI – të cilat datojnë në vitin 1970.

“Vetëkuptohet se dosjet e STASI-t do të jenë trajtuar sigurisht, me kujdes të posaçëm”, shkruan Brissa. Ai ka gjetur diçka edhe në dosjet e shërbimit të fshehtë gjermanoperëndimor (BND), të cilat çojnë ujë pak a shumë në të njëjtin gjykim: “BND-ja, sipas tij, rezulton të ketë qenë në dijeni në thelb për posedimin e dokumenteve që e komprometonin Shtrausin si spiun”.

Nuk është gjetur asnjë gjurmë bindëse

Sidoqoftë, sipas pikëpamjes së vetë autorit të studimit, nuk përjashtohet, që të dyja zyrat apo shërbimet respektive gjermane, të jenë mbështetur në të njëjtin burim. Ka mundësi, sipas Brissas, që si STASI, ashtu dhe BND-ja, t’i kenë marrë materialet apo indiciet nga shërbimi sekret ish-sovjetik, KGB.

Vërtetësia e dokumenteve, sipas “autorit të zbulimit”, pikërisht për këtë arsye, le shumë vend për interpretim. Ka sigurisht “dëshmi konkrete për veprimtari spiunazhi të Shtrausit”, por në shkallën e njohurive që ne posedojmë, deri më tani, ky pretendim as nuk mund të pohohet, e as nuk mund të hidhet poshtë.

Presidenti i Qendrës Federale për Edukimin Politik, dr. Thomas Krüger, një institucion shumë i rëndësishëm federal, i një lloji shumë të veçantë në Europë, që promovon vlerat demokratike e ndërmerr shpesh studime mbi të shkuarën e vonë të Gjermanisë, e arsyetoi publikimin e kësaj teze me rëndësinë historike të politikanit karizmatik bavarez:

“Ne, pas shqyrtimit të hollësishëm të materialeve, vendosëm ta botonim atë, pasi pikëpamja e përftuar për një person të rëndësishëm në historinë politike bashkëkohore, pasurohet me një aspekt që deri më tani, nuk ishte aspak i njohur”, tha ai për gazetën gjermane “Welt am Sonntag”.

Dyshimet e bazuara të “Der Spiegel”

Platforma e mirënjohur mediatike gjermane, e shquar sidomos për impulse investigative e gërmim të thellë në jetën e politikanëve vendas e të huaj, shkruante dje se për këto pretendime ngrihen pikëpyetje të mëdha, pasi dokumentet origjinale të OSS-së nuk zotërojnë asnjë dëshmi të vetme ku të përmendet veprimtaria e Franc-Jozef Shtrausit si spiun në shërbim të amerikanëve, duke përmendur më konkretisht rezultatet e studiuesve të tjerë që janë marrë, apo kanë prekur këto periudha të historisë së vonë të Gjermanisë:

1- Historianët Jürgen Heideking dhe Christoph Mauch, i kanë hetuar të gjitha dosjet e OSS-së amerikane që kanë lidhje me Gjermaninë dhe nuk kanë gjetur në to asnjë rresht që të lidhej apo ku të përmendej emri i Franc-Jozef Shtrausit.

2 – Në edicionin e dosjeve të Neal H. Petersen, i cili i ka studiuar me kujdes dosjet e Gjenevës të të dërguarit të OSS-së, Allen Dulles, sërish nuk haset kurrkund emri i Shtrausit.

3 – Në vitin 2002, Shërbimi i sotëm Sekret amerikan, CIA, deklasifikoi të gjitha dosjet e materialet sekrete të OSS-së, e më konkretisht bëhej fjalë për një milion burime e dosje operative në vitet 1941-1947(“Sources and Methods Files, 1941-1947”). Edhe në to, sipas revistës prestigjioze gjermane, “Der Spiegel”, nuk gjendet askund ndonjë informacion për Shtrausin.

4 – Në atë kohë u deklasifikuan edhe rreth 24.000 dosje personale të OSS-së, ku sërish nuk u gjet diçka që mund të komprometonte Shtrausin në veprimtari spiunazhi, përmbyll arsyetimin e vet “Der Spiegel”. Si argument shtesë, ajo madje sjell edhe vetë mëdyshjen e autorit të studimit, sipas të cilit, “sidoqoftë të tilla gjurmë, as e dëshmojnë e as nuk e mohojnë dot veprimtarinë prej spiuni të ish-kryeministrit bavarez, Franc-Jozef Shtraus”.

Të dielën do të mbushte 100 vjet nga lindja

Shtraus dje do të mbushte 100 vjet nga lindja. Vila në “Rott am Inn”, në Bavari, ku gjenden edhe eshtrat e ish-shefit karizmatik e më jetëgjatë të CSU-së bavareze dhe bashkëshortes së tij, u bënë dje pjesë e ceremonisë përkujtimore për të cilën shkruan qysh më parë gjatë javës të gjitha mediat gjermane, duke vënë në dukje edhe cilësitë e pazëvendësueshme prej lideri dhe humanisti të ish-politikanit më të njohur bavarez.

Por, fundjava ngriti fort pyetjen: A i ka dorëzuar Franc-Jozef-Shtraus shërbimit të fshehtë amerikan materiale sekrete gjatë Luftës së Dytë Botërore? A punoi ai edhe më tej në shërbim të tyre? A përfitoi ai si këmbim mbështetje politike, çka mund të justifikojë deri diku statusin e tij shumë të lartë e të padiskutueshëm ndër gjermanët, sidomos në vitet ’70 e ’80?

Padyshim se duke u pozicionuar fort në gjirin e një partie që shtyllën më të fortë të saj ka konservatorizmin, ai shquhej shpesh dhe dilte hapur në qëndrimet tij proamerikane, çka shkaktonte vazhdimisht kundërshti apo antipati të forta në kampin e socialdemokratëve e majtistëve të formateve të tjera më ekstreme, që zakonisht në atë kohë ushtronin një veprimtari ekstraparlamentare e shpesh antiligjore në Gjermani. Por e gjitha kjo mund të ishte për shumëkënd edhe një koperturë e mirë për të përmbushur synimet e paracaktuara pa rënë në sy.

Shtesë në dosjen “shqiptare” të Shtrausit?

Sidoqoftë, kjo s’mbaron me kaq, pasi edhe nga pikëpamja e marrëdhënieve shqiptaro-gjermane, mund të shtohej për herë të parë sot edhe pyetja: A erdhi Shtraus në Shqipëri duke përmbushur “fshehtazi” dhe në radhë të parë porosinë e Uashingtonit, përpara se të përmbushte atë të Bonit?

Dihet tashmë se në vizitën e tij të parë, ai erdhi privatisht, dhe në dukje i distancuar edhe nga vetë Boni zyrtar, por kjo ia shton edhe më shumë enigmën pyetjes që u shtrua më lart.

Sidoqoftë, nuk është ndonjë zbulim të themi se objektivat e Bonit e të Uashingtonit në atë kohë përkonin tërësisht në aspektin gjeostrategjik e gjeopolitik, dhe fare hapur mund të besojmë se RFGJ po mundohej të kryente një “rikonjicion në terren” e të maste pulsin e shqiptarëve edhe për llogari të Uashingtonit, e pse jo edhe për Londrën, duke pasur parasysh se aksesi për këto dy vende, ende ishte i bllokuar në “vendin e skipëtarëve”, të cilët dukej se donin të rizbulonin dashurinë e tyre të vjetër për Gjermaninë e nëpërmjet saj, më pas edhe atë për SHBA e Perëndimin.

Në këtë kontekst, sigurisht se edhe në këtë rast, Shtraus ishte padyshim, zgjedhja e duhur. Parë nga kjo perspektivë, përveç një shtese të vogël në dosjen “Shtraus dhe Shqiptarët”, sensacioni nuk do të zinte shumë vend në këtë mes, pavarësisht zellit mediatik që mund ta shoqëronte qysh në titull këtë përpjekje, pasi në thelb, Shtraus dhe përpjekja e tij do të vijojnë të shihen përjetësisht me mirënjohje nga shqiptarët edhe më tej në histori, duke e renditur figurën e tij edhe më tej si një ndër njerëzit më të shquar që kanë regjistruar kontribute konkrete në miqësinë mes dy popujve.