Sociale Nis pastrimi i Liqenit Artificial në kryeqytet

Nis pastrimi i Liqenit Artificial në kryeqytet

1279
SHPËRNDAJE

Projekti parashikon heqjen e mbetjeve, barishteve dhe llumit që ka pushtuar këtë liqen

liqeni artificialKa nisur dje pastrimi i Liqenit Artificial në Tiranë. Më në fund një lajm i mirë për kryeqytetasit dhe veçanërisht për ata që janë frekuentues të rregullt të parkut të Liqenit Artificial. Liqeni Artificial i Tiranës do të njohë një pastrim rrënjësor, duke filluar që nga shtrati i tij e deri te çdolloj mbetje e hedhur në të. Do të hiqen nga shtrati i liqenit papastërtitë e grumbulluara në vite. Nga fundi i liqenit do të largohen mbetjet plastike dhe një pjesë e llumit të krijuar. Projekti gjithashtu parashikon edhe heqjen e barishteve të shumta që kanë zaptuar shumë pjesë të liqenit dhe që kanë kthyer atë në moçal. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me një prej fituesve të projektit “ëndrra ime”, iu bashkuan aksionit për pastrimin e liqenit.  Me anë të një statusi në rrjetet sociale, kryebashkiaku ka njoftuar edhe nisjen e këtij projekti. “Faleminderit Shkëlzenit dhe stafit, një ndër fituesit e ‘Ëndrra ime 2015’ projekt që konsiston në pastrimin e liqenit të Tiranës”, shkruan Veliaj.  Projekti “Ëndrra ime” u shpall nga Kryeministri i vendit, Edi Rama, ku të rinjtë do të shprehnin dëshirat dhe mënyrën e realizmit të tyre. Pas konkursit të zhvilluar u përzgjodhën edhe fituesit dhe një prej tyre ishte edhe Shkëlzeni me ëndrrën për të pastruar Liqenin Artificial të Tiranës. Pastrimi i liqenit ka qenë edhe një prej premtimeve të mbajtura tashmë të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Prej vitesh, liqeni i Tiranës ishte lënë në harresë të plotë dhe nuk ishte kryer asnjë lloj investimi. Liqeni ishte drejt tharjes, pasi niveli i tij ishte ulur shumë. Në të vërtetë të krijonte idenë sikur ishte një kënetë. Edhe pse ish-kryebashkiaku Lulzim Basha e ka renditur si një prej sfidave kryesore dhe problemeve që duhet të merrnin zgjidhje të menjëhershme, nuk u ofrua një zgjidhje konkrete. Mangësitë dhe degradimi i tij fillojnë me derdhjen e ujërave të zeza të banesave dhe lokaleve përreth në Liqenin Artificial, të cilat shkaktojnë një dëm ekologjik. “Problemet mjedisore që dua të përmend janë të shumta. Së pari, kemi një cenim të territorit dhe urbanizim të pakontrolluar. Gjithashtu, çdo ditë e më tepër po pakësohet niveli i rezervave ujore në këtë habitat. Kemi edhe derdhje të ujërave të zeza në liqen, çka ndikon në cilësinë e ujit dhe dëmtim të botës ujore. Këtu mund të them se ndërtimet përreth liqenit i derdhin ujërat e zeza aty dhe asnjë institucion nuk kryen monitorim të cilësisë së ujit dhe as nuk merr masa”, ka shpjeguar më herët për gazetën eksperti i mjedisit, Xhemal Mato. Parku i Liqenit Artificial është një prej hapësirave të gjelbra të pakta që ka kryeqytetit. Mirëpo, pavarësisht kësaj mungon mirëmbajtja dhe kujdesi ndaj këtij parku. Vitet e fundit, ai është betonizuar, duke rrudhur ndjeshëm edhe sipërfaqen e gjelbër.