Sport Skënderbeu dhe Partizani nisin duelin për kreun

Skënderbeu dhe Partizani nisin duelin për kreun

762
SHPËRNDAJE

Korçarët, “poker” ndaj Bylisit, të kuqtë nuk gabojnë në Pukë. Tirana mposht Teutën në “Qemal Stafa”

ERION ABULE
Lojtaret e Skenderbeut, duke festu

SUKAJ
Sulmuesi i Partizanit, Xhevahir Sukaj, është golashënuesi më i mirë i Superiores shqiptare me 5 gola të shënuar, në po kaq javë kampionat

SALIHI
Goli ndaj Bylisit është i pari për sulmuesin e Skënderbeut Hamdi Salihi, i cili në fazën eliminatore të Championsit-it, shënoi 5 gola

Pas pesë javësh kampionat, Skënderbeu nuk ndalet. Kampionët e Shqipërisë kanë arritur dje fitoren e pestë radhazi në Kategorinë Superiore, duke shkatërruar Bylisin 4-1 në Ballsh. Në Pukë, Partizani ka fituar 2-1, falë golave të Sukajt dhe Bicajt dhe tashmë renditet i dyti me 2 pikë pas kryesuesve. Tirana është rikthyer te fitorja pas humbjes në Korçë një javë më parë. Bardheblutë kanë mundur bindshëm Teutën në “Qemal Stafa” 2-0 me gola të qendërmbrojtësve Muça dhe serbit Karan.

Tërbuni – Partizani
Vazhdon momenti i mirë i Partizanit, i cili arrin një fitore të vështirë kundër debutuesve të Superiores, Tërbunit. Në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Ismail Xhemali”, të kuqtë sigurojnë një sukses të rëndësishëm, të katërtin radhazi në prag të derbit të kryeqytetit ndaj Tiranës. Ndeshja është zhbllokuar nga i përhershmi Sukaj, i cili ka shënuar në minutën e 27-të, duke përfituar nga një gabim i Danajt në mbrojtje. Ky është goli i pestë në kampionat për sulmuesin shkodran, i cili rrezikon të shënojë sërish pak më vonë me një goditje të bukur nga jashtë zone që përfundon mbi traversë. Në minutën e 37-të, Plaku lë fushën i dëmtuar dhe në vend të tij futet italiani Morini. Në pjesën e dytë pukjanët barazojnë në minutën e 58-të, falë një autogoli të Ditmar Bicajt, i cili devijon në portën e tij një goditje dënimi të vendasve. Skuadra e Nikajt nis të sulmojë në kërkim të golit të fitores, por Partizani dyfishon rezultatin me Bicajn, i cili këtë herë shënon në portën kundërshtare pas një rrëmuje në zonë, duke korrigjuar gabimin e mëparshëm. Skuadra e Starovës ruan ritmin dhe vjen në prag të derbit të javës që vjen e frymëzuar dhe optimiste.

Bylis – Skënderbeu
Skënderbeu ruan kryesimin e kampionatit pas fitores së thellë të arritur në Ballsh, me gola të Olainkës, Lilajt, Salihit dhe Latifit. Në stadiumin “Adush Muça” kanë triumfuar kampionët e Shqipërisë, të cilët fitojnë me një “poker” dhe kryesojnë me pikë të plota në renditje, duke regjistruar 15 pikë në 5 ndeshje. Skuadra korçare ka thyer edhe një tabu, pasi rikthehet te suksesi në Ballash pas 17 vjetësh. Bylis rikthehej të luante në shtëpi për të parën herë në këtë sezon në stadiumin “Adush Muça” që kishte marrë një tjetër formë pas rikonstruksionit, por ballshiotët edhe pse u mbështetën fuqishëm nga publiku, nuk arritën të shmangin dot humbjen e 4-t në kampionat kjo edhe për faj të Skënderbeut që zhvilloi një ndeshje shumë të mirë. Olianika ka shënuar pas 2 minutash e 30 sekondash, duke gjunjëzuar mbrojtësit dhe portierin vendas me një veprim spektakolar. Nigeriani nuk festoi, ashtu siç kishte premtuar para ndeshjes, për respekt të tifozëve të ish-ekipit të tij. Në pjesën e dytë skuadra e Josës thellon rezultatin me golat e Lilajt, Salihit dhe Latifit. Bylisi ka shënuar golin e derbit me brazilianin Kalheira. Me 5 fitore radhazi, 10 gola të shënuar dhe 2 të pësuar, korçarët tregojnë se edhe këtë vit janë pretendentët absolutë për titullin kampion.

Tirana – Teuta
Kanë mjaftuar dy gola të qendërmbrojtësve Gentian Muça dhe Dejan Karan për t’i dhënë fitoren Tiranës kundër Teutës. Bardheblutë nuk e kanë pasur të vështirë për të arritur këtë sukses të rëndësishëm ndaj skuadrës së Maganit, i cili dje rikthehej si kundërshtar në “Qema Stafa”. Ndeshja është zhbllokuar që në minutën e tretë, kur Bakaj nga një goditje dënimi ekzekuton bukur, duke shërbyer saktë për Muçën, i cili e devijon topin në portë. Tifozët nisin festën në shkallët e stadiumit, por Teuta nuk demoralizohet dhe hidhet në sulm, ku në disa raste portieri Frashëri ishte vendimtar. Në minutën e 27-të, skuadra e Muçës fiton një goditje këndi, ku sërish Bakaj kroson saktë dhe këtë herë serbi Karan dyfishon rezultatin. Për Tiranën kjo është fitorja e parë në kryeqytet në këtë sezon, duke dhënë sinjalet e rikthimit në luftën për titull.

 

KATEGORIA SUPERIORE
Java e 5-të
Dje

Tërbuni – Partizani 1-2
Bicaj 58’(aut)/ Sukaj 27’, Bicaj 76’

Bylis – Skënderbeu 1-4
Kalheira 81′ /Olainka 3′, Lilaj 53′, Salihi 64′, Latifi 84’

Tirana – Teuta 2-0
G.Muça 3, Karan 27’

Sot
Vllaznia – Laçi (13:00)
Kukësi – Flamurtari (16:00)

RENDITJA
Skuadra Nd. P.
Skënderbeu 5 15
Partizani 5 13
Teuta 5 9
Tirana 5 8
Kukësi 4 6
Laçi 4 6
Flamurtari 4 4
Tërbuni 5 3
Bylis 5 1
Vllaznia 4 0