Ndryshe “Sparta” moderne në Indi, ku burrat janë vetëm muskulozë

“Sparta” moderne në Indi, ku burrat janë vetëm muskulozë

2878
0
SHPËRNDAJE
Citroen Oferta 2

Reportazh – Një fshat indian promovon ushqimin e shëndetshëm dhe stërvitjen rigoroze për t’u ofruar burrave të fshatit një mundësi punësimi, por edhe vazhdimin e një tradite 

Fshati Asola-Fatehpur Beri është më i forti në Indi. Prej brezash, burrat kanë organizuar stërvitje dyorëshe çdo mëngjes dhe në mbrëmje në këtë komunitet rural në jug të Delhit.

Nga fëmijët te burrat e moshës 50-vjeçare, badibillderët kanë djersitur shumë për një nga sportet më të njohura në vend, Akhada, që është një fjalë indiane, e cila do të thotë “arenë mundjeje”.

Në këtë vend, burrat përleshen në baltë, ngjiten me litarë dhe bëjnë disa qindra ulje-ngritje, balancojnë qëndrimin mbi duar në tulla dhe e mbajnë njëri-tjetrin mbi shpatulla; të gjitha këto veprime janë pjesë e mënyrës tradicionale indiane të stërvitjes. Madje, ndonjëri mund të ngrejë një motoçikletë 350 kilogramëshe edhe në kraharor.

Grupi i përbërë nga rreth 40 meshkuj, stërvitet jashtë, ku secili mban veshur një brez prej cope.

“Ata hanë ushqime të shëndetshme dhe në kohën e duhur. Stërviten këtu çdo ditë dhe kjo është arsyeja përse janë kaq të fortë”, thotë Vijay Tanuar, kryetrajneri i këtij sporti.

Burrat muskulozë të fshatit Asola-Fatehpur Beri po përfitojnë nga trupi i tyre duke punuar në klubet dhe baret e Nju Delhit, si roja sigurie.

Teksa më tepër klube nate hapen në kryeqytetin indian, ka një nevojë në rritje për burra që do të ruajnë dyert dhe muskulozët nga ky fshat po përmbushin shumicën e kërkesës.

Të përfitosh nga muskujt

Tanuar ka marrë meritën si personi që e ka filluar këtë tendencë. Pesëmbëdhjetë vjet më parë, humbi mundësinë të ishte në skuadrën e mundjes që do të përfaqësonte Indinë në Lojërat Olimpike. Ai thotë se po kërkonte për një mënyrë që të përdorte muskujt dhe fuqinë e tij. Kështu që u punësua si rojë sigurie.

“Isha i pari në fshatin tim”, pretendon ai. “Më pas, kushdo ndoqi rrugën time. Më shumë se 300 burra trupmëdhenj punojnë nëpër klubet dhe baret e Nju Delhit tanimë.”

Ata kanë mësuar se një trup i mirë të ofron mundësinë të fitosh para për të jetuar. “Siç thotë dhe shprehja ‘shëndeti është pasuri’, ne jemi shumë të shëndetshëm, por gjithashtu po fitojmë goxha para. Mund t’i çojmë fëmijët në shkolla, të ushqehemi mirë dhe të bëjmë gjërat normale, për të cilat kemi nevojë”, thotë ai.

Por formimi i muskujve nuk ka të bëjë vetëm me gjetjen e një vendi pune në Delhi. Stërvitja e disiplinuar është shumë e rëndësishme për këta burra dhe gjithashtu, pjesë e traditës së fshatit.

“Ka disa palestra moderne në fshat, por shumica e burrave preferojnë stilin tradicional të stërvitjes”, thotë Tanuar. “Ta bën trupin më fleksibël dhe ul rrezikun e lëndimeve”.

Muskulozët e këtij fshati nuk pinë alkool dhe as nuk ndezin cigare. Shumica e tyre janë vegjetarianë dhe kanë dieta që konsistojnë në fruta, arra apo lajthi, kos dhe shumë qumësht. “Ne nuk konsumojmë asnjë suplement nxitës të muskujve”, thotë kryetrajneri i sportit të mundjes, Tanuar.

Muskujt në brezin e ri

Nxitur nga prindërit e tij, Sonu Tanuar, 19 vjeç, zgjohet në pesë të mëngjesit për të vrapuar dhe më pas shkon në vendin e stërvitjes. Sonu, që përfaqëson brezin e ri të badibillderëve, thotë: “Dua të jem një mundës madhështor dhe t’i bëj prindërit e mi krenarë. Luaj në kategorinë 66 kilogramë dhe kam fituar disa kampionate”.

Frymëzimi i një zakoni të stërvitjes te meshkujt e rinj, është tepër i rëndësishëm, sipas Guru Lekhraj, një 75-vjeçar nga fshati Asola Fatehpur.

“Fëmijët priren ndaj sjelljes së keqe nga mosha 17 deri në 27, por nëse i shtyjmë ata të interesohen për ushtrimet fizike dhe shëndetin e mirë, sjellja e keqe nuk do të ndikojë. Këtë na e kanë mësuar paraardhësit tanë. Kush do t’ua mësojë atyre, nëse jo të moshuarit?”

Lekhraj vjen shpesh në arenën e stërvitjes Akhada për të vëzhguar burrat që stërviten. Ai është një figurë e respektuar mes tyre dhe konsiderohet si guruja e badibillderëve të fshatit.

Për shkak të moshës, Lekhraj nuk mund të marrë pjesë në stërvitje, por ai thotë se është shumë i lumtur që brezi i ri po e vazhdon këtë traditë.

“Cila nënë nuk do të donte ta kishte djalin të fortë, të pashëm dhe të zgjuar?”, thotë Lekhraj. Në rastin e fshatit indian, Asola-Fatehpur Beri, të formosh mirë trupin, do të thotë të formosh një trashëgimi.

*Burimi: CNN