Ndryshe Historia 80 vjet më parë, Duçja pushtoi me gaz mustard Etiopinë

80 vjet më parë, Duçja pushtoi me gaz mustard Etiopinë

1905
0
SHPËRNDAJE
Citroen Oferta 2

Histori – Më 3 tetor 1935, diktatori italian, Benito Musolini, pushtoi Abisininë. Demonstrimi i forcës që anglezët bënë në Mesdhe dhe vendimi i Lidhjes së Kombeve për ta cilësuar “agresion” aktin e Romës, nuk ia ndali dot vrullin Duçes. Prej këtij momenti, edhe Hitleri mësoi të mos e përfillte më Londrën

Kush kërcënon duhet të jetë edhe në gjendje ta aplikojë kërcënimin. Në fund të shtatorit 1935, në mënyrë demonstrative, një flotë e madhe anijesh kaloi Ngushticën e Gjibraltarit dhe hyri në Mesdhe: ishin më shumë se njëqind anije të Marinës Mbretërore Britanike.

Në krye qëndronte: HMS “Hood”, kryqëzori më i fuqishëm i kohës së vet, shoqëruar nga homologia thuajse po aq e madhe HMS “Renown”, si dhe nga dhjetë kryqëzorë të tjerë të vegjël.

Mirëpo duket se ekspozeja e kërcënimit nuk bëri asnjë përshtypje tek ai të cilit i adresohej. Diktatori fashist i Italisë, Benito Musolini, kishte bërë pak për ta fshehur synimin e tij të vërtetë: ai donte që sa më shpejt të ishte e mundur, të bënte një luftë pushtuese për të shtënë në dorë Etiopinë, sapo të skadonte koha e regjencës në Afrikën Lindore.

Vendi i njohur edhe me emrin Abisinia, deri në atë kohë nuk ishte kolonializuar kurrë – duke përbërë të vetmen pjesë të Afrikës, veç Liberisë, e cila sidoqoftë ishte në atë kohë nën protektoratin amerikan. E tashmë, Etiopia për të çuar në vend dëshirën e Musolinit, duhej bërë pjesë e “Imperium Romanum” në Afrikë, ku bënin pjesë edhe Libia, Eritreja dhe Somalia.

Prej muajsh të tërë, trupat italiane kishin nisur përgatitjet për sulmin. Ata ndërtuan në qytete port si Kismaayo, Merka dhe Mogadishu, baza për ndërtimin e transportin e anijeve, rrugë dhe aeroporte. Para 80 vjetëve, një çerek milioni ushtarë ishin tashmë gati të nisnin sulmin.

Nga demonstrimi britanik i forcës në Mesdhe, Musolini nuk deshi t’ia dinte. Pasi ai e dinte nga raportet e agjentëve të tij në terren, se të dyja anijet madhore britanike, të ndërtuara pak para nisjes së Luftës së Parë Botërore, do të tejkaloheshin nga të reja, të ndërtuara nga fuqitë e Boshtit.

Sigurisht se “The Hood” dhe “The Renown”, në atë kohë mund të përballonin çdo sulm italian e çdo armë të prodhuar nga Roma. Aq më tepër që të dyja anijet e rëndësishme të Flotës Ushtarake Mbretërore italiane, në vitin 1935 ndodheshin në një proces rindërtimi dhe përfundimi i tyre kërkonte kohë.

Mirëpo Musolini luante lojën që luante edhe homologu apo dhe shefi i tij në Berlin, Hitleri. Duçja këmbëngulte se demokracia shumëdebatuese e Britanisë, nuk do të mund të gjente dot gjuhën e përbashkët për të ndërmarrë hapa të dhunshëm ndaj aksioneve të tij.

Herët në mëngjesin e datës 3 tetor 1935, trupat e tij kaluan pa bërë më parë asnjë deklaratë lufte, kufirin me Etiopinë. Sigurisht se do të kalonin shumë orë dhe kolonat e tankeve e automjeteve ushtarake do të duhej të ndalnin udhën e tyre si pasojë e mungesës së rrugëve “normale”, duke u detyruar të marshonin më këmbë në vendin mitik.

Me flamuj në duar dhe gjëmime trombetash, ata çanin përpara. Të mbështetur nga luftëtarë e krerë fisesh eritrejas, që e urrenin fqinjin për vdekje, ata ishin të motivuar ta arrinin shpejt qëllimin. Zaptuan si pasojë edhe qytetet e para, Adua dhe Axum.

Benito Musolini me ç’duket i kish bërë mirë llogaritë: Flota Britanike në Mesdhe nuk ndërhyri. Sidoqoftë, Lidhja e Kombeve me seli në Gjenevë, që deri në atë moment u duk si inekzistente, e cilësoi menjëherë si “agresion” aktin ushtarak italian. Ishte hera e parë që ky gjykim formal kaq i ashpër, ishe shprehur hapur prej saj.

Në Berlin, në fillim pati ca shqetësime për këtë hap të aleatit të Fyhrerit. Raporti me Italinë fashiste ishte në atë moment shumë i tensionuar në fakt, pasi Musolini shihej si “engjëlli mbrojtës” i qeverisë “reaksionare katolike” të Austrisë, që binte ndesh me objektivat e Hitlerit. Në Vjenë, madje, një vit më parë, kishte dështuar një tentativë për puç – falë kundëraktivitetit diplomatik të drejtuar nga Roma.

Ekspertët e Ministrisë së Jashtme gjermane analizuan më 7 tetor 1935, se si do të mund të ndikonin sanksionet eventuale të Lidhjes së Kombeve ndaj Italisë, mbi interesat gjermane. Pikërisht në atë moment, në Gjenevë pati konsulta mbi masa ndëshkimore ekonomike ndaj Romës.

Diplomatët në Berlin bënë përllogaritjet që lidheshin me planet e Musolinit: “Deri më tani, Italia e kishte cilësuar ndërmarrjen e saj në Abisini, jo si luftë, por si një ekspeditë koloniale”. Gjithçka kishte qenë, sikurse thanë ata, thjesht një “fiction” nga kundërshtarët e Italisë.

Në fakt, Lidhja e Kombeve vendosi sanksione kundër diktaturës së Musolinit. Sidoqoftë, me “pak sens humori”, siç do të konstatonte më pas me cinizëm një analist. Pasi u ndalua nga njëra anë, tregtia e gamileve, e mushkave dhe e aluminit, por jo eksporti i hekurit, qymyrit e para së gjithash i naftës drejt Italisë.

Qysh më 15 tetor 1935, Italia e justifikoi sulmin e saj me idenë se do të shfuqizonte skllavërinë e do të sillte përparimin në Abisini. Në realitet, në vend të formës tradicionale të organizimit të shoqërisë atje, vetëm se kishte futur një formë të re të shtypjes dhe shfrytëzimit – këtë radhë nga zotërinjtë kolonialë italianë.

E sigurt është se trupat italiane, në një masë të madhe, përdorën edhe gazin mustard kundër rezistencës lokale etiopiane, një armë e përçmuar qysh në atë kohë nga komuniteti ndërkombëtar, që ia dinte efektet qysh nga Lufta e Parë.

Me arsyetimin se atje fshihej kundërshtari, u sulmuan me gaz helmues edhe qyteza të vogla e fshatra me civilë të pafajshëm. Pati ekzekutime në masë, vrasje pengjesh dhe krime të tjera lufte, si për shembull sulme mbi objektiva të mbrojtur ndërkombëtarisht, si spitalet e Kryqit të Kuq.

Megjithatë, sanksionet e Lidhjes së Kombeve nuk u forcuan dhe të dyja anijet e Marinës Mbretërore Britanike, kryen asokohe vetëm manovra në pjesën lindore të Mesdheut apo ngulën spirancën në brigjet e Aleksandrisë.

Më 10 maj 1936, i besuari i Hitlerit, Joseph Goebbels, në ditarin e tij do të shënonte: “Musolini po anekson të gjithë Abisininë. Londra e dekurajuar tërësisht. Nëpërmjet politikës së saj të dobët”. Dhe ai shtonte më tej: “Edhe një fuqi botërore si Anglia, nuk mund ta ndalë dot”.

Kërcënimi i qeverisë britanike nuk kishte pasur efekt, pasi nuk ishte marrë seriozisht. Te Hitleri, kjo eksperiencë do të zinte rrënjë, duke e kurajuar në rrugën e tij. Pas saj, që nga ai moment, ai do t’i kishte gjithnjë e më pak frikë politikanët në Londër.

Ndërsa për Romën do të shërbente më së miri si test për të kaluar në pushtimin e radhës, atë të Shqipërisë në brigjet përballë, akt për të cilin çuditërisht sërish hasi në mefshtësinë e Londrës, e cila u konsiderua gjerësisht si një miratim në heshtje për aktin e Musolinit, pasojat e të cilit do të shiheshin të kishin efekt shumë shpejt.