Sociale Sheshi “Avni Rustemi” kthehet në pedonale

Sheshi “Avni Rustemi” kthehet në pedonale

1707
SHPËRNDAJE

Projekti

Veliaj: Parking i ri publik dhe nënkalim për ta kthyer në zonën më të madhe të biznesit në Tiranë

avni rustemi_1Sheshi “Avni Rustemi” brenda gjashtë muajve do të ketë një pamje krejtësisht të re. Ditën e djeshme, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka inauguruar nisjen e punimeve, ku ka shpjeguar edhe detaje nga transformimi i zonës së njohur si Pazari i Ri. Projekti parashikon që në këtë zonë të ndërtohet një pedonale, një parking publik dhe një nënkalim. Referuar deklaratës zyrtare të kryebashkiakut, zbatimi i tij synon që të shndërrojë Pazarin e Ri në zonën më të madhe të biznesit dhe ndër më të frekuentuarat në kryeqytet. Veliaj bëri gjithashtu me dije se kjo zonë e re biznesi do të marrë një emërtim të ri. Këto ndryshime do të sjellin një imazh të ri, duke i dhënë fund kaosit që ka pushtuar zonën. punimet_1“Do të kujdesem bashkë me stafin e bashkisë që të sjellim një standard të ri të bërjes së punëve publike dhe një standard të ri të kompozimit jo vetëm të pjesës së pazarit dhe të pjesës shtesë që është një bashkëfinancim i qeverisë shqiptare dhe Bashkisë së Tiranës, nënkalimi, parkingu dhe një zonë pedonale në Pazarin e Ri, për ta kthyer në një zonë atraktive”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj. Referuar njoftimit të këtij institucioni, Bashkia e Tiranës do të financojë 1 milion dollarë për realizimin e projektit, ndërsa 3 milionë dollarë do të investohen nga Fondi Amerikan i Zhvillimit. Në fjalën e tij, kryetari i bordit të Fondit Amerikan të Zhvillimit në Shqipëri, Michael Granoff, theksoi rëndësinë e investimit në këtë pazar, duke shtuar se kjo do të jetë një zonë edhe për turistët. Veliaj ne nisjen e punimeve per transformimin e Pazarit te Ri (1)_1“Tirana është qyteti më i madh i Shqipërisë dhe kjo do të jetë zona më e madhe e zhvillimit të biznesit që kemi pasur të bëjmë deri tani. Për këtë arsye, fondacioni ka angazhuar 3 milionë dollarë për këtë projekt”, sqaroi Granoff. Gjatë ceremonisë së përurimit, kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, kujtoi edhe kohën ku ai vetë dikur kishte punuar në këtë treg. Sipas tij, e rëndësishme është që të kryejmë sa më shumë investime, pasi qyteti ndodhet në gjendje të mjeruar dhe nuk ka kohë për të humbur. “Pasi ky projekt të mbarojë, disa do të vazhdojnë të shesin fiq, disa do të vazhdojnë të shesin mend, por rëndësi ka që të gjithë të kemi një ekonomi ku shesim, blejmë, marrim dhe japim me njëri-tjetrin, për një qytet që nuk ka kohë për të humbur, por që duhet të ecë shumë shpejt edhe falë këtij projekti”, u shpreh Veliaj. Në këtë ceremoni u firmos edhe një marrëveshje midis Bashkisë së Tiranës, Fondit Amerikan të Zhvillimit në Shqipëri, Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Zhvillimit Urban. Në mesin e muajit gusht, kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, prezantoi edhe projektin për Pazarin e Ri. Ai premtoi se puna për ndërtimin e tij do të niste në muajin tetor dhe tashmë duket qartë se premtimi u mbajt. Kjo u shoqërua me një sërë debatesh asokohe, pasi demokratët akuzuan se bëhet fjalë për të njëjtin projekt që kishte prezantuar më herët ish-kryetari i bashkisë, Lulzim Basha. Mirëpo, kjo u hodh poshtë nga Veliaj, i cili sqaroi se paraardhësi i tij nuk kishte lënë asnjë projekt në bashki. “E vërteta është shumë e thjeshtë, nuk ka asnjë projekt ose nuk gjetëm asnjë projekt në Bashkinë e Tiranës. Ky ka qenë një projekt i Fondit Amerikan, i cili ka kërkuar nga Bashkia e Tiranës që të bashkohet dhe të japë idetë e veta, sigurisht dhe financimin. Bashkia as nuk kontribuoi në projekt, as nuk kishte asnjë zë në buxhet për financimin, kështu që kjo është pjesë e atyre historive me tramin imagjinar. Megjithatë bota është ndarë qartazi në ata që punojnë dhe në ata që do të bëjnë konferenca për shtyp, kështu që unë kam ndërmend të punoj”, ka sqaruar Veliaj.

Ilda Hoxha