Ekonomi Jepet me koncesion për 25 vjet hekurudha Vlorë-Fier-Ballsh

Jepet me koncesion për 25 vjet hekurudha Vlorë-Fier-Ballsh

909
SHPËRNDAJE

Tenderi

Investimi 20 milionë dollarë do të kryhet për 46 muaj

hekurudha_1Hekurudha Vlorë-Fier-Ballsh u jepet me koncesion për 25 vjet dy kompanive private. “Ministria e Transportit njofton se oferta e paraqitur më datë 30 korrik 2015, për marrjen me koncesion të segmentit hekurudhor Fier-Ballsh dhe Fier-Vlorë, është pranuar”, kështu nënvizohet në krye të njoftimit të fituesit. Kjo ndodh për herë të parë, në këta 25 vjet që hekurudha vazhdon të shkatërrohet dhe degradohet. E vetmja tentativë, kur ia dha me koncesion hekurudha Tiranë-Durrës kompanisë “General Electric”, u anulua dhe përfundoi në Arbitrazh ndërkombëtar me dënimin e Shqipërisë. Agjencia Prokurimit Publik shpalli fituese të garës për dhënien me koncesion kompanitë “Alb-star” dhe “Mamtrix konstruksion”. Koncesioni përmban rehabilitimin e hekurudhës, operimin dhe transferimin e rrjetit të transportit në linjat Fier – Ballsh dhe Fier – Vlorë. Vlera e investimit do të jetë afërsisht 20 milionë dollarë. Koncesioni i ofruar nga Ministria e Transportit përveç lëvizjes së udhëtarëve synon të garantojë transportin e naftës nga rafineritë e Ballshit dhe Fierit në parkun industrial të Vlorës, që është i lidhur me hekurudhën. Sasia mesatare e transportuar e mallrave dhe mineraleve për një vit pritet të jetë 2 591 509  tonë dhe numri i pasagjerëve 307 500 në vit. Koha e zbatimit të punimeve është 46 muaj nga nënshkrimi i kontratës dhe vlera e investimit (pa TVSH) është 2 413 918 164  lekë. Ndërkaq, sipas njoftimit në buletinin e agjencisë, afati i negocimit të kontratës do të jetë 45 ditë nga marrja e njoftimit të fituesit. Dy kompanitë kërkohet t’i paraqesin Ministrisë së Transportit dhe infrastrukturës sigurimin e kontratës, e cila është në vlerën e 2% të investimit. Nga këto, kostoja e makinerive është 742,000,000 lekë.