Sport Etika pezullon 6 futbollistë, por nuk heq pikë

Etika pezullon 6 futbollistë, por nuk heq pikë

121
SHPËRNDAJE

Për sfidën Tërbuni-Bylis, komisioni pranë FSHF, bën “kurban” disa lojtarë për ndikim të rezultatit

Terbuni 1Pas hetimeve disajavore dhe denoncimit të mediave si një ndeshje e trukuar, Komisioni i Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka marrë masa për 6 futbollistë të skuadrave të Tërbunit dhe Bylisit, duke i pezulluar nga aktivitetet sportive deri në 6 muaj. Bëhet fjalë për dy futbollistë të ekipit pukjan, Vilson Lila dhe Klodian Sulollari dhe katër të ballshiotëve, Kushtrim Mushica, Elton Bariu, Maringlen Shoshi dhe Ahmet Haliti. Megjithatë, edhe pse pritej që skuadrave në fjalë t’u hiqeshin pikë, kjo nuk ka ndodhur. I çuditshëm është fakti se paracaktimi i rezultatit të kësaj ndeshjeje është pranuar nga Komisioni i Etikës, por ai ka lënë në fuqi fitoren e pukjanëve me rezultatin 4-2. Janë 6 futbollistë të dënuar nga Etika për ndeshjen mes Tërbunit dhe Bylisit, për komplotim dhe ndikim në rezultatin e ndeshjes Tërbuni Bylis të datës 18 nëntor 2015. Pas katër javë mbledhjesh dhe më shumë se 3 javësh shqyrtim të dokumentacioneve dhe marrjes në pyetjeve të protagonistëve të përfshirë në atë ndeshje, Etika mori masa vetëm për pezullim të futbollistëve dhe jo për heqje pikësh. “Komisioni i Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, i mbledhur sot, me datë 5 dhjetor 2015, pasi u njoh nga materialet e paraqitura nga Sekretariati Teknik dhe raportet e ardhura nga UEFA, i diskutoi çështjet në tërësi dhe vendosi: lojtarët e Tërbunit, Vilson Lila dhe Klodian Sulollari, për komplotim në ndikim të rezultatit të ndeshjes Tërbuni-Bylis 4-2, të datës 18.11.2015, në kundërshtim me etikën sportive, dënohen secili me nga 6 muaj pezullim nga aktiviteti, – lexohet në njoftimin e dhënë për mediat nga Komisioni i Etikës. – Lojtarët e Bylisit, Kushtrim Mushica, Elton Basriu, Mariglen Shoshi dhe Ahmet Haliti, për komplotim në influencimin e rezultatit të ndeshjes Tërbuni-Bylis 4-2, të datës 18.11.2015, në kundërshtim me etikën sportive, dënohen secili me nga 6 muaj pezullim nga aktiviteti”. Të gjitha këto dënime, sipas Etikës, bazohen në nenin 68/1 të Kodit të Drejtësisë Sportive.