Kulturë Shqiptari që kërkoi azil në Irlandë, sot bën emër në art

Shqiptari që kërkoi azil në Irlandë, sot bën emër në art

1244
SHPËRNDAJE

Histori

Ndreke Gjini me Presidentin e IrlandesNjeriu i parë që kaloi avionin nën urë duke hyrë në histori ishte piloti legjendar rus, Valery Chkalov. Ai bëri një mrekulli duke treguar aftësitë e tij të jashtëzakonshme pilotuese. Forca dhe këmbëngulja duket se qëndrojnë pas çdo mrekullie. Edhe historia e 52-vjeçarit shqiptar, Ndrekë Gjini, poet dhe gazetar, nga qyteti i Pukës, i cili ka më shumë se një dekadë (që nga 2002) që ka emigruar në Irlandë është një mrekulli e forcës së shpirtit dhe artit brenda tij. Sot ai dallohet për kontributin që po sjell në fushën e artit dhe kulturës në Irlandë. Ajo që të tërheq pafund në historinë e tij është se ai përfaqëson triumfin, ngadhënjimin kundër komunizmit. Dhe në këto ditë kur Shqipëria festoi 25-vjetorin e rënies së komunizmit, historia e tij kumbon. Interesi për të rritet edhe më kur mëson se poezitë e Presidentit të 9-të të Irlandës, Michael Daniel Higgins janë botuar në shqip nga Gjini. Kjo gjë doli më në pah kur Mal Berisha, i cili sapo kishte marrë detyrën e ambasadorit shqiptar në Britaninë e Madhe dhe Irlandë, duke “thyer” disi rregullat e protokollit, i dorëzoi Presidentit Higgins, letrat kredenciale së bashku me një libërth të vogël, i cili përmblidhte pikërisht vjershat e Presidentit të përkthyera në shqip nga djaloshi pukjan.

“Unë i kisha marrë, rishkruar, korrektuar, printuar dhe bërë një libërth të vogël vjershat e përkthyera nga Ndrek Gjini si dhuratë për Presidentin. I thashë se ju nuk jeni i njohur në Shqipëri vetëm si President, por edhe si poet dhe unë kam kënaqësinë që t’ua dorëzoj pikërisht këtë libërth. Presidentit i shndritën sytë. Me siguri që nuk e priste”, kujton Berisha nga moment i prezantimit të letrave kredenciale Presidentit Higgins, në tetor të 2013, në Dublin. Presidenti e mirëpriti këtë dhuratë, duke e konsideruar një vlerë të çmuar që u shtohet përkthimeve të veprave të tij në gjuhë të ndryshme të botës. Por ky ishte vetëm fillimi për Ndrekë Gjinin, i cili do të përqafonte artin me gjithë shpirt. Dhe mund ta thuash se arti ishte drita në fund të tunelit. Pasi u diplomua për gjuhë e letërsi në Universitetin e Shkodrës, ai filloi punën si mësues. Në 1990, u përfshi në gazetari. Filloi të mbulonte kronikën e zezë dhe e bëri këtë gjë për 13 vite me radhë. Më vonë, do të mbulonte çështjet e politikës dhe ato të Parlamentit. Kjo punë i dha mundësinë të takonte edhe Nënë Terezën, nga e cila mori “energji dhe pasion” për të ecur përpara në rrugën e tij. Por do të ecte për shumë kohë në fushën e gazetarisë. Disa vite më pas, ai u largua nga vendi dhe kërkoi azil në Irlandë. Ishte viti 2002. Kërkesa e tij pranohet dhe së bashku, me familjen, ai largohet për në Irlandë duke u vendosur si fillim në qytetin e Castlebar. Por ai kujton se “papritur pashë se Tirana ishte shumë e madhe, Castlebar, shumë e vogël. Por qyteti i Galway ishte tamam për mua. Kështu, vendosëm të qëndronim këtu”. Njëkohësisht, shkruante poezi, një dashuri e injektuar në vena nga nëna e tij. “Nëna ime ishte një grua vërtet e qetë dhe e ndrojtur. Dëgjoja rimën e ëmbël në lutjet e saj. Lutjet në gjuhën shqipe janë shumë muzikale dhe plot rimë. Në ato kohëra nuk dija asgjë se cili ishte kuptimi i këtyre fjalëve por pëlqeja aq shumë rimën e tyre. Kështu rashë në dashuri me poezinë”, thotë Gjini në një intervistë të fundit me “The Galway Adviser”, media më e fuqishme sociale në qytetin e Galway, Irlandë. Në vitin 2011, ai do të kryejë studime të mëtejshme sa i takon stilit të të shkruarit në Universitetin e Irlandës në Galway. Ndërkohë, në kërkim të një pune, një ditë ai bie në kontakt me një njoftim interesant të shpallur nga bashkia e qytetit, e cila kërkonte ndihmës arti në Departamentin e Kulturës. Ishte e thënë ta fitonte ai. Puna e tij kishte të bënte me promovimin e artit nëpërmjet një bashkëpunimi intensiv me 70 organizata arti në të gjithë qytetin. Më pas, më 2013, do të punonte në Qendrën e Arsimit në Galway. Aktualisht ai është redaktor i “The Galway Review” dhe www.artsingalway.com, të dy projekte të iniciuara nga Gjini në mbështetje të shkrimtarëve dhe poetëve të qytetit. Të gjithë janë të kënaqur me punën e tij dhe mendojnë se ai është një promovues dhe mbështetës i palodhur i skenës artistike dhe kulturore të qytetit. Për ta është e qartë se përpjekjet e Ndrekë Gjinit i kanë rrënjët thellë te dashuria për punën dhe artin.

Rudina Hoxha