Sociale Bashkia e Tiranës ndan çmimet “Personaliteti i Vitit 2015”

Bashkia e Tiranës ndan çmimet “Personaliteti i Vitit 2015”

721
0
SHPËRNDAJE

 

veliaj 1Bashkia e Tiranës ka vlerësuar sot me çmimin “Personalitet i Vitit 2015”, 10 njerëz të cilët me pasionin dhe punën e tyre kanë bërë diçka për Tiranën. Medaljet e mirënjohjes u ndanë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili përpara se të bënte publikë emrat e përzgjedhur, theksoi se heronjtë e vërtetë të këtij qyteti janë njerëzit që me kreativitetin, energjinë dhe punën e tyre vullnetare, vitin që lamë pas kanë bërë gjëra që për të tjerët janë të pamundura.

“Detyra e bashkisë së re nuk është të përforcojë stereotipet që ekzistojnë në qytet, por të themelojë një mënyrë të re të të menduarit se kush janë realisht heronjtë që na frymëzojnë çdo ditë, njerëzit për të cilët çdo fëmijë që shkon në klasë të parë aspiron të bëhet kur të rritet”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës u shpreh se 10 personalitetet e përzgjedhura kanë qenë vërtet një frymëzim për këto katër muajt e parë në drejtimin e bashkisë.

Ndërkaq, ai vlerësoi se këto katër muaj në Bashkinë e Tiranës ishin pozitivë. “Do të doja që edhe ne ta mbyllim vitin tonë të parë në Bashkinë e Tiranës me këtë notë pozitive, si një mënyrë për t’u thënë faleminderit 10 personaliteteve që po vlerësojmë sot”, u shpreh ai.

Emrat e vlerësuar nga Bashkia e Tiranës me çmimin “Personaliteti Vitit 2015”

1.Ened Mato

Me motivacionin “Për këmbënguljen dhe dëshirën e madhe për ta shndërruar Tiranën në një qytet te gjelbër, me më shumë korsi biçikletash dhe më miqësor ndaj atyre që ngasin ‘dyrrotakët”.

2.Julia Sinanaj Zoi

Me motivacionin “Për rritjen e mundësive të punësimit për të rinjtë, nëpërmjet ideve inovative për biznes”

3.Enid Mero

Me motivacionin “Për promovimin e vazhdueshëm të zonave të bukura turistike malore të Tiranës, nëpërmjet organizimit të garave me ‘Mountain bike”.

4.Alma Gerxhani

Me motivacionin “Për promovimin e turizmit në qytetin e Tiranës, nëpërmjet faqes www.visit-tirana.com.”

5.Sadik Malaj

Nderim i veçantë, pas ndarjes nga jeta, me motivacionin “Për organizimin e aktiviteteve multifunksionale që promovonin turizmin në Tiranë”.

6.Helidon Haliti

Me motivacionin “Për organizimin e Bienales së I të Akuarelit në Tiranë, duke sjellë në Tiranë mbi 200 artistë dhe kthyer kryeqytetin në qendrën e botës shumëngjyrëshe të pikturave të akuarelit”.

7.Klodeta Buzi

Me motivacionin “Për themelimin e Akademisë ‘Hollywood’, një frymëzim i bukur për dhjetëra të rinj që e duan dhe jetojnë çdo ditë me muzikën”

8.Ilir Hoxholli dhe Arber Hajdari

Me motivacionin “Për nismën “Fundjava Ndryshe”, një organizim dëshirash e përpjekjesh, që rrahin si zemër për njerëzit në nevojë të qytetit tonë; heronj që sjellin pak shpresë në shtëpitë e gjithkujt që ka nevojë këtë fundviti”.

9.Desli Shahini

Me motivacionin “Për projektin ‘Jemi njësoj’, për trajnimin e gjuhës së shenjave dhe rritjen e ndjeshmërisë sociale ndaj personave me probleme në të folur e në dëgjim”.

10.Shkelzen Dunisha

Me motivacionin “Për projektin e pastrimit të Liqenit Artificial të Tiranës nga mbetjet biologjike dhe mbeturinat e hedhura në një thellësi deri 1.8 m”.

27 dhjetor 2015 (gazeta-Shqip.com)