Kulturë Kristo Frasheri: Tezat që la pas

Kristo Frasheri: Tezat që la pas

996
SHPËRNDAJE

Historiani përcillet sot për në banesën e fundit … Tezat historike që la pas Kristo Frashëri, nga Lufta Nacionalçlirimtare, komunizmi, Skënderbeu e deri te libri i fundit për Çamërinë 

Kristo FrasheriKristo Frashëri, një nga emrat më të mirë të historiografisë shqiptare, do të përcillet sot për në banesën e fundit. Homazhet për nder të figurës së tij, do të mbahen sot në orën 12:00-13:00 në Akademinë e Shkencave. Qindra telegrame ngushëllimi kanë mbërritur këto ditë në adresë të familjes Frashëri dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Me ikjen e Frashërit, historiografia shqiptare humbi një nga kontribuuesit e saj më të mëdhenj, njeriun që deri në çastin e fundit dha frymë mbi letra. Kontributi i Frashërit, në ndriçimin e historisë së Shqipërisë së shekullit XIX-XX, do të jetë një gur i rëndësishëm në rishkrimin e historisë sonë. Me pasionin e një njeriu që gjithë jetën e tij iu përkushtua kërkimit dhe i udhëhequr nga atdhedashuria, Frashëri bëri prognozën e Shqipërisë së sotme, duke nisur nga kohët e lashta deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Në kaosin e botimeve dhe të shkencës sonë pas viteve ’90, por dhe të një sistemi vlerash historike të censuruara për më shumë se 50 vjet, Frashëri u përpoq të dilte, përtej duke marrë në dorë flamurin e së vërtetës. Libri i tij i fundit kishte të bënte me një brengë të hershme për të sjellë në një libër historinë e vërtetë të asaj pjese të Shqipërisë të mbetur në Greqi. “Historia e Çamërisë” është libri që sjell të plotë historinë e një krahine të martirizuar gjatë shekujve. Fjala është për krahinën e Çamërisë, e cila nga historianët e huaj njihet si pjesë përbërëse e provincës së Epirit të lashtë apo të “Epirit të Vjetër” të historisë mesjetare. “Është një fat për publikun tonë që historinë e Çamërisë e mori përsipër ta trajtojë, me një sintezë shkencore, historiani ynë i shquar, Kristo Frashëri, profesor i Historisë së Shqipërisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës dhe studiues i thellë i Rilindjes Kombëtare në Institutin e Historisë, si dhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Kristo Frashëri është autor i dhjetëra monografive me tematikë nga Historia e Shqipërisë dhe i qindra artikujve studimorë mbi tema të veçanta të historisë shqiptare. Historia e Shqipërisë, e kuptuar si një e tërë, është pasioni i jetës së prof. Kristo Frashërit. Nuk ka periudhë të kësaj historie, nuk ka personalitet të saj, së cilës të mos i ketë kushtuar studime të thelluara dhe, për të cilat, të mos ketë thënë fjalën e tij me peshë”, do të shprehej historiani Pëllumb Xhufi. Profesor Kristo Frashëri ka meritën se është historiani i parë shqiptar, i cili ka botuar më tepër se gjysmë shekulli më parë një punim të përmbledhur të Historisë së Shqipërisë, që nga kohët e lashta deri në ditët tona. Historia e përmbledhur është botuar jo në gjuhën shqipe, por në katër gjuhë të huaja, në vitin 1964. Qoftë si punimi i parë, qoftë si trajtesë e përmbledhur, vendi që zë Çamëria në këtë punim historik të vitit 1964 është shumë i shkurtër. Por, qysh në studimin e tij “Trojet shqiptare në shek. XV” e më tej, në studimin tjetër të botuar në gjuhën shqipe “Les Territoires Albanais dans le Haut Moyen-Age”, prof. Frashëri bëri përpjekjen e parë në historiografinë shqiptare për të përvijëzuar, mbi bazën e burimeve historike, shtrirjen e habitatit historik të shqiptarëve në periferinë më jugore të tyre, në atë që sot quhet Çamëri. Në librin mbi Çamërinë, Frashëri është përqendruar, kryesisht, në vijën e përgjithshme të ngjarjeve historike që kanë tronditur krahinën e Çamërisë. Këto ngjarje fillojnë me problemin tepër të hershëm të historisë së Çamërisë, e cila ka të bëjë me përbërjen etnike të banorëve të Çamërisë, kalon pastaj në zhvillimet dramatike të historisë antike që pësoi kjo krahinë, që në atë kohë quhej Thesproti, gjatë pushtimit romak, vazhdon me evolucionin e ngjarjeve që ndodhën gjatë Mesjetës së hershme, kur emrin e Thesprotisë e zëvendësoi apelativi Vageneti, më tej gjatë Mesjetës qendrore kur fillon përvijëzohet karakteri etnik shqiptar i krahinës së Çamërisë me emrin despotati shqiptar i Epirit të fisnikëve Spata. Një vend të veçantë në historinë e Epirit zë historia e Çamërisë …

Skënderbeu dhe debatet për Schmitt

Në historiografinë shqiptare, figura e një prej personazheve më të rëndësishme të historisë sonë, Gjergj Kastriotit Skënderbeu, është trajtuar nga shumë studiues. Ajo çfarë i bashkon këto studime, pavarësisht këndvështrimit, është unifikimi i mendimit se Skënderbeu bën bashkë aspiratën europiane të shqiptarëve. Profesor Kristo Frashëri do t’i kushtonte kësaj figure një pjesë të madhe të kërkimit të tij shkencor për të qenë shpesh dhe një nga mbrojtësit më të mëdhenj të tij, sa herë që historianë të huaj kanë dashur të cenojnë këtë figurë. Në vitin 2002, Frashëri do të botonte librin “Skënderbeu, jeta dhe vepra”, një histori e mirëfilltë e Skënderbeut, mbështetur në dokumente dhe materiale të shumta arkivore. Ndryshe nga historitë e tjera të shkruara për Skënderbeun, kjo është më e kompletuar dhe e sheh heroin jo vetëm si udhëheqës të luftës çlirimtare, por edhe si nismëtar të shtetit shqiptar. “Dokumentet historike të kohës së Skënderbeut (shekulli XV), tregojnë se ai ishte një burrë shteti, diplomat, udhëheqës i pavarur dhe me integritet të plotë politik”, shkruan Frashëri. Monografia ndahet në 30 kapituj duke filluar që nga gjendja e Shqipërisë në pragun e pushtimit osman për të përfunduar me vdekjen e Skënderbeut më 17 janar 1468. Në këtë botim të plotë përfshihen 113 ilustrime që cilësohen nga autori pjesë e rëndësishme e hartimit të kësaj monografie. Shtatë vjet më vonë, Frashëri do t’i rikthehej sërish Skënderbeut, por këtë herë për t’iu kundërpërgjigjur librit të studiuesit gjerman O. J. Schmitt, duke mos u pajtuar në asnjë pikë me këndvështrimin negativ të historianit zviceran në librin me titullin “Skënderbeu”. “O. Schmitt-i e ka shpërfytyruar nga shumë pikëpamje portretin historik të Skënderbeut. Ndërsa historiografia shkencore botërore dhe shqiptare e ka vlerësuar heroin shqiptar, si një udhëheqës i shquar i kryengritjes çlirimtare të shek. XV kundër zgjedhës osmane, si një strateg gjenial që korri vazhdimisht fitore ushtarake kundër sulltanëve turq, si një farkëtar dorëfortë që krijoi shtetin e përqendruar kombëtar shqiptar, si një burrë shteti, i cili me luftën e tij një çerekshekullore konsolidoi identitetin kombëtar të shqiptarëve, si një personalitet i historisë mesjetare, i cili në të njëjtën kohë mbrojti edhe qytetërimin e Europës humaniste.

Përkundrazi, historiani zviceran e paraqet Skënderbeun si një kapedan që luftoi për t’u hakmarrë për vrasjen e të atit nga dy sulltanë turq, si një prijës që synoi të ripushtonte zotërimet feudale të prindërve të tij, si një udhëheqës ushtarak që në luftë kundër ushtrive osmane pati disfata pas disfatash, si një personalitet i cili e mbylli jetën e tij si emigrant në zotërimin venedikas të Lezhës, si një prijës që la pas vdekjes së tij vetëm një vend të mbushur me gërmadha, si një njeri të cilin Europa u kujtua ta nderonte vetëm pas vdekjes”, shkruan Frashëri. Pasi hedh poshtë tezat e autorit zviceran, historiani shqiptar, Kristo Frashëri, analizon në mënyrë kritike edhe disa pikëpamje po aq të padrejta sipas tij të shfaqura nga disa analistë shqiptarë në shtypin e përditshëm gjatë këtij debati. “Në bazë të lirisë së pakufizuar të fjalës, demokracia jonë, edhe pse çalamane, falë Zotit, i ka dhënë të drejtë historianit të mbrojë figurat e ndritura të kombit tonë nga fyerjet, përdhosjet dhe shpërfytyrimet e atyre që kanë zgjedhur si mënyrë jetese të fyejnë, të përdhosin, të shpërfytyrojnë ku të mundin – në shtyp, në radio, në televizion – vlerat e ndritura të historisë së Shqipërisë, madje edhe identitetin tonë kombëtar. Si qytetar bashkohem me ato zëra që protestuan kundër fyerjeve, përdhosjeve e shpërfytyrimeve në dëm të figurës së Skënderbeut nga historiani zviceran Oliver Jens Schmitt dhe nga duartrokitësit e tij shqiptarë, të cilët mezi presin të hedhin baltë kundër çdo vlere pozitive të kombit të tyre – që pas shekuj tallazesh, shtypjesh e mjerimesh arriti, më në fund, të gëzojë lirinë e ëndërruar. Si historian e ndiej për detyrë, meqenëse vetë Skënderbeu nuk ka mundësi të flasë, të parashtroj, me sa kam mundësi, argumentet historike që hedhin poshtë hamendësimet, shpifjet dhe shtrembërimet që ata kanë përdorur për ta shpërfytyruar Heroin tonë Kombëtar.”, shprehej Frashëri.

Pikëpamjet e majta

Kristo Frashëri i mbrojti gjithnjë pikëpamjet e majta, të cilat i përqafoi që kur ishte ende i ri në vitet ’30 të shekullit të kaluar, nxënës në Gjimnazin e Shtetit. Në kohën e themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare (8 Nëntor 1941), student universitar, ishte anëtar i Grupit Komunist të të Rinjve. Ndonëse i ri, pati mundësi të ndiqte me vëmendje dhe interesim të veçantë procesin e themelimit të saj. Është nga anëtarët e parë të PKSH–së që u përjashtua prej saj (qershor 1942). Pavarësisht nga përjashtimi mori pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare. Pas përjashtimit nga Partia hoqi dorë nga jeta politike. Pas çlirimit punoi për disa vite në Bankën e Shtetit Shqiptar. Krahas punës u angazhua në fushën studimore. Punimet e tij të para, ende të pabotuara, trajtonin aspekte të historisë monetare dhe bankare. Që nga viti 1950, sidomos që nga viti 1953 kur kaloi në Institutin e Shkencave, iu kushtua studimeve të mirëfillta historike. Ka trajtuar tema të të gjitha periudhave.

Një nga dëshirat e tij të hershme ka qenë ndriçimi i historisë së lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH–së, të cilat kanë qenë të pasqyruara në mënyrë jo të plotë dhe jo të saktë në historiografinë qoftë komuniste, qoftë antikomuniste. Në vitin 2006, ai do të sillte librin “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH–së 1878 – 1941”. Me këtë vepër, ai ka realizuar dëshirën e tij të vjetër. Në këtë trajtesë është mbështetur kryesisht në burimet dokumentare të kohës së ngjarjeve dhe në dëshmitë e shkruara nga protagonistët e tyre, disa nga të cilat i ka përmbledhur në pjesën e dytë të vëllimit. Krahas burimeve, ai ka shfrytëzuar dhe njoftimet që ai vetë ka mbledhur nga bisedat me protagonistët e ngjarjeve, të cilët ka pasur fatin t’i njohë personalisht. Megjithatë themelet e këtij punimi i përbëjnë kryesisht burimet e shkruara dokumentare të kohës së ngjarjeve.

 

Shqiptarët e Maqedonisë 

Kosova dhe Maqedonia ka qenë në fokusin e studimeve të prof. Frashërit, si pjesë përbërëse e studimeve të tij mbi historinë e shqiptarëve. Në vitin 2010, ai sjell librin “E vërteta mbi shqiptarët e Maqedonisë“.

Ky punim ka karakterin e një debati historik shkencor. Fillin e ka marrë nga formulimet historike që përmban “Enciklopedia e Maqedonisë”, botuar nga Akademia e Shkencave e Shkupit më 2009, në zërin shqiptarët e Maqedonisë. Në këtë enciklopedi ka formulime të pasakta për historinë e shqiptarëve të Maqedonisë. Aty shqiptarët trajtohen si turma malësorësh të ardhur nga malësitë e Shqipërisë së Veriut dhe të vendosur në viset e sotme të Maqedonisë gjatë shekujve të sundimit osman. Historiani Kristo Frashëri u përgjigjet shtrembërimeve që përmban enciklopedia me argumente dhe dokumentime historike.

Argumentet që ai sjell tregojnë se shqiptarët që tani banojnë në viset veriore dhe verilindore të Republikës së Maqedonisë, kanë banuar në këto vise që në agimin e historisë. Ata janë banorë ilirë të trevës dardane, e cila në Antikitet kishte për kryeqendër Shkupin. Sipas historianit Kristo Frashëri, shqiptarët vazhduan të banonin në këto vise gjatë Mesjetës së hershme. Sipas tij, fiset sllave që u dyndën në shekullin e shtatë të erës sonë u vendosën vetëm në viset e Maqedonisë antike, por jo në Dardaninë historike. Ai sjell dëshmi se shqiptarët kanë qenë të pranishëm në viset dardane ku banojnë sot edhe gjatë shekujve të Mesjetës qendrore. Shtegtimet e shqiptarëve në viset sllavo-maqedonase kanë qenë sporadike, ashtu siç kanë qenë sporadike dhe shtegtimet e banoreve sllavë në viset e sotme shqiptare.

Tezat e akademikëve maqedonas mbi kolonizimin masiv shqiptar në Maqedoni gjatë sundimit osman janë, sipas Kristo Frashërit, hamendësime pa baze dokumentare. Frashëri parashtron pikëpamjen e vet se shqiptarët e Maqedonisë, të cilët përbëjnë rreth 30 për qind të banoreve të Republikës janë jo emigrantë, por banorë autoktonë të saj. Si të tillë, ata kanë të drejtën e shtetësisë në Republikën e Maqedonisë njëlloj si banorët sllavo-maqedonas të saj.

 

Rexhep Qosja: Me pikëllim e mësova lajmin për ndarjen nga jeta të historianit të madh, akademik Kristo Frashërit. Ishte shkencëtar i jashtëzakonshëm, me dije historike dhe me dije të përgjithshme enciklopedike. Ishte mësuesi i madh për historinë tonë kombëtare i të gjithë brezave të sotëm dhe do të jetë mësuesi i madh i të gjithë brezave të ardhshëm. Me emrin e tij do të mburret shkenca shqiptare dhe kombi shqiptar.

Bajram Curri: Deri më sot nuk kam dëgjuar asnjë historian që të numërojë të këqijat që ka bërë Bajram Curri. Ai që hedh baltë mbi të, të thotë si ka qenë. Ka ndonjë që thotë se ai u bë kundërshtar i Zogut dhe Zogu ishte kunati i Ceno Begut. Nuk e di në është e vërtetë kjo, në ai ishte kundërshtar i Zogut. Por ai nuk ka qenë rastësisht mik i Fan Nolit apo Luigj Gurakuqit dhe Avni Rustemit. Unë di një gjë dhe këtë s’ka burrë që ta mohojë. Kur Bajram Currit i thanë që të vinte kandidaturën për deputet në Tropojë, ai tha: Unë nuk jam i zoti për të qenë deputet. Ai u tha tropojanëve: Unë ju propozoj të zgjidhni për deputet një djalë të ri e ky është Avni Rustemi. Mendoni tani, Tropoja më 27 dhjetor 1923 zgjodhi deputet me vota të kontrolluara edhe nga Ahmet Zogu që ishte kundërshtar dhe fitoi Avni Rustemi. Fitoi, sepse ishte sodalitar me Bajram Currin. Kjo i bën nder të madh edhe Tropojës që zgjodhi një djalë të ri, një revolucionar me ide të reja që ndoshta ishin të parakohshme, por ide qytetëruese, europiane …