Ndryshe Historia SI IA BËNË GROPËN TIRANËS?

SI IA BËNË GROPËN TIRANËS?

3168
1
SHPËRNDAJE

Bajram Peçi

Sa vjen e më e shëmtuar bëhet qendra e Tiranës, e cila pati fatin që fillesën e bërthamës shprehëse të saj ta kish nga mendjet më brilante të arkitekturës së shekullit të 20. Po shtohet një bunker dhe në shpinë të saj po shkatërrohet gjelbërimi nga ndërtimi i një bazamenti të stërmadh betoni, që do të mbajë një instalacion metalik arti. Pak më vonë do të jemi dëshmitarë të heshtur e gojëmbyllur të dëmtimit të sipërfaqeve të blerta të parkut “Rinia”. Kjo do të bëhet në emër “të zhvillimit”, për ndërtimin e një parkimi nëntokësor automjetesh. Po, me çfarë të drejte bëhen nga këta “artistë” e arkitektë këto ndërhyrje e ndryshime?

Pak kujtesë historike

Qendra e Tiranës në vitin 1937_1
Qendra e Tiranës në vitin 1937

Ende pa u pushtuar Shqipëria nga ushtritë fashiste, vendi de fakto ishte i nënshtruar politikisht dhe trajtohej si një dominion italian. Synimi i aneksimit zanafillën e kish nga koha kur në vitin 1921 Konferenca e Ambasadorëve i kish dhënë fqinjit tonë, të etur për toka e pushtime, një mandat kujdestarie. Ajo çka e kish zhveshur përfundimisht Ahmet Zogun dhe shpurën e tij të administratës shtetërore nga dukuritë e pavarësisë ishte kredia 50 milionëshe në franga ar, e cila ishte dy herë e gjysmë më e madhe se buxheti i shtetit, gjë që nënkuptonte paaftësinë e përhershme të moslikuidimit. Kjo kredi ishte de jure pushtimi e pasonte marrjen që i kishin bërë sovranitetit monetar, me krijimin e Bankës Kombëtare. Nga kredia e dhënë, 20 për qind e vlerës së saj u planifikua të shpenzohej për ndërtimin e ministrive. E siç thotë populli, “bashkë me të keqen vjen dhe e mira”. Dominimi i të huajve solli arkitektët dhe ndërtuesit më në zë të kohës, sepse këto 10 milionë franga ar për zyrat publike, Italia nuk kish ndër mend t’ua linte shqiptarëve. Projektimin dhe ndërtimin e fituan dhe e morën për zbatim firmat italiane. Florestino Di Fausto, i vlerësuar si arkitekti më i rëndësishëm në Italinë e viteve ’30 dhe i cilësuar si “Arkitekti i Mesdheut”, ishte specialist që në këtë periudhë erdhi në Shqipëri, ku zëvendësoi Armando Brasini-n. I dha, si me thënë, “dorën e fundit” projekt-planit fillestar të Tiranës, me qendrën e qytetit dhe ndërtesat monumentale në rreth ¾ e sheshit, e që më pas mori emrin e Heroit Kombëtar, “Skënderbej”. Ansambli arkitektonik i ministrive vijonte nga jugu me një bulevard të paparë nga përmasat, që dhe sot ndeshet rrallë në Europë. Shtypi italian i kohës, kur ironizonte ndërtimet dhe përmasat e tyre nën titullin përqeshës, “Katedrale në shkretëtirë”, nuk kish si ta dinte se kjo shëtitore groteske që do t’i përkiste një fshati të madh, nuk ishte gjë tjetër përpos se konfigurimi ajror i bishtit të “Sëpatës së Liktorit”, simbolit të fashizmit italian.

Gropa te ministritë

Lulishja e vjetër, në brendësi të saj
Lulishja e vjetër, në brendësi të saj

Se si lindi gropa te ministritë, po citoj publicistin e njohur, Artan Lame (në atë mot drejtonte dhe komunitetin civil, “Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore”) i cili, më 26 prill 2010, te rubrika e tij “Shqipni tavolinash” në gazetën “Shqip”, botoi artikullin, “Lamtumirë lulishtja ime!”: “Kur italianët projektuan kompleksin e Ministrive – shkruan Artani – lulishtja e famshme as ekzistonte e as nuk bënte pjesë në projekt. Por, gjatë realizimit, u vu re se ministritë, që asokohe ishin dykatëshe (kati i tretë iu shtua në vitet ’60), dukeshin jo shumë impozante për shkak të hapësirës së madhe. Për këtë arsye, për të krijuar iluzionin e një lartësie më të madhe, u vendos të krijohej një lulishte e thelluar aty midis tyre. Pikërisht ky ka qenë momenti dhe arsyeja fillestare e ndërtimit të Lulishtes. Ideja funksionoi dhe shumë shpejt kjo lulishte u bë dhe do të mbetej për mbi 70 vjet vendi më simbolik i qendrës së qytetit. Megjithëse në qendër të sheshit ‘Skënderbej’ u ndërtua një shatërvan i madh, ai nuk ushtroi asnjëherë tërheqjen që kishte lulishtja”.

Por, lexues i nderuar, kjo lulishte me “gropën” e saj, vite më pas mori një veçori që Di Fausto mbase nuk e kish parashikuar: brezat e ardhshëm nuk arrinin më të shihnin thellimin në mes të ansamblit të ndërtesave. I gjithë ndryshimi rrodhi si pasojë e rritjes së një prej llojit të kedrave libanezë, një pemë kjo, me hapje madhështore si vertikale ashtu dhe horizontale. Ndërsa sheshi “Skënderbej”, nga projekti fillestar i Di Faustos, ka ndryshuar formë e përmbajtje shtatë herë, “patkoi” i lulishtes nuk pësoi ndryshime themelore në formë, përpos heqjes në pjesën jugore të basorelievit të shtizëmbajtësit të flamurit dhe vendosjes në pjesën veriore, te shkallët, të basorelievit të shtatores së heroit. Dhjetë kedrat libanezë, llojin e të cilit sot, për të shuar kureshtjen, mund ta shihni para rrënojave historike të ish-hotel “Dajtit”, asnjëherë nuk guxoi kush t’i hiqte. Ishin ato dhe vetëm ato, që ndikonin dukshëm në hijeshimin e kësaj qendre qyteti, edhe pse shqiptarët ende të pamësuar me bashkëjetesën godina-vegjetacion flore, kur sistemi rus i festave të fundvitit futi bredhin, disave prej tyre iu prenë majat, në përputhje me edukatën e kultivuar se “çdo pemë jashtë gardhit të oborrit të tyre e që i përket pasurisë publike, është mall pa zot”. Gjithsesi, ato ishin përsëri madhështore. Se sa hijerënda dukeshin dhe ç’pamje tërheqëse përcillnin, mjafton të shihni këtë foto ilustruese që shoqëron opinionin e që i përket viteve ’90.

Projekti, “Kthim në identitet” jo vetëm nuk e përfshiu lulishten, por përkundrazi, e shkatërroi

Kohërat ndryshuan me shpejtësi marramendëse e bashkë me to edhe shijet e atyre që iu besua qeverisja e Tiranës. Se kush e zhveshi dhe e qethi?; kush ia preu bredhat e palmat dhe nuk ia zëvendësoi?; kush u hoqi brezin eliptik të bordurës ngjyrë okër, me funksion çlodhjen e qytetarëve?; kush dhe pse i shkuli ato shkurret dekorative anësore ngjitur me bordurat, për të cilat specialisti i florës së Tiranës, i ndjeri Tomson Nishani, kujdesej posaçërisht sepse ishin të vetmet që çelnin ende pa u dalë gjethet, për çdo muaj shkurt, një lule të kuqërremtë që jetonte deri afër prillit; kush i prishi gjashtë shatërvanët dhe bordurat e mermerta që i rrethonin?; kush i prishi shkallët që i shërbenin nga të dy anët funksionit përmbajtës të lulishtes?, këto nuk di t’jua them! E vetmja njohuri që kam është një shpjegim i bërë në atë kohë, se po zbatohej një projekt i subvencionuar i quajtur “Firence” (me prani emërtimi italian për t’u bërë i besueshëm se janë po italianët ideues dhe zbatues). Vitet u rrokullisën shpejt dhe zgjedhjet e reja për kryetar bashkie e gjetën projektin të papërfunduar, ndaj, siç është në natyrën e shqiptarëve inatçinj, këtij projekti i futën një shkelm prapanicave, dhe së bashku me një tjetër projekt për rikonstruksionin e sheshit, të quajtur “Kuvajti”, u përmbysën dhe u çuan në dreq, bashkë me fondet e groposura në infrastrukturën e nënkalimeve. Të ardhurit rishtas në pushtet bënë ndryshimet “e duhura” dhe u dhanë banorëve të Tiranës gropën e sotme, që ngjan herë si varrezë dhe herë si një pelenë e stërmadhe. Dy gjëra bien në sy menjëherë: gropa u bë edhe më e dukshme, e zhveshur nga funksionet si çlodhëse ashtu dhe pamore, e papërdorshme; shtatorja e Gjergj Kastriot Skënderbeut u bë më e padukshme, e nxjerrë jashtë funksionit, iu hoq përmbajtja për të qenë vepër arti e prekshme nga qytetarët. Kushdo që do të donte të merrte një mendim mbi ndryshimin dhe pamjen që ka sot lulishtja, do të gjente në të shumtën e rasteve gjegjen: “Një marrëzi e banalitet”!

Morali që përcjell arti dhe arkitektura, si shije e përveçme individësh

Kisha menduar se pas dëmtimit nuk do të merreshin më me bunkerin. Jo për ato motive politike që spekulojnë pseudodemokratët, por se atë shesh dhe hapësirë publike që zë bunkeri e dua siç ka qenë, të lirë nga gjithçka tjetër që pjell mendja e artistëve-zyrtarë, që pushteti u jep, krahas arrogancës, bindjen se janë më të mençurit. Ata që ngulin këmbë, thjesht duan të diktojnë shijet e tyre, duke nënshtruar pa kushte qytetarët, në shpërdorim të besimit që u jep figura autoritare me sjellje sunduesi. Ai shesh e ajo rrugë identifikohet me Teatrin Kombëtar. Brezit tim i ndër mend ecejaket në kërkim të një bilete për teatër, plateja dhe lozhat e së cilës në atë kohë ishin të mbipopulluara. Në sheshin-rrugë para teatrit sot ndeshen më shumë njerëz me uniforma policie, që së bashku me bunkerin, do të bëjnë të jenë edhe më të paktë ata qytetarë që u lipset të kalojnë nga Bashkia te rruga këmbësore. Çdo ndërtim tjetër në këtë hapësirë është përpos se një çiban i panevojshëm.

1.Tirana me kedra, vitet '90
Tirana me kedra, vitet ’90

Kisha menduar gjithashtu se kryetari i ri i bashkisë, Erjon Veliaj, i mirarsimuar dhe miredukuar, ishte i riu për t’i dhënë besimin për të na ruajtur e për të shtuar më tej sipërfaqet e blerta të qytetit. Por ç’zhgënjim ndien kur sheh se si veprohet në praktikë dhe me sa papjekuri merren vendimet në nxitim e sipër?! Tek ne është shndërruar në sport, që kush vjen në pushtet, gjëja e parë që bën është të ndryshojë atë hapësirë që gjen e ta përputhë me shijet e tij. Këta “reformatorë të mëdhenj” e dinë që forma, lulishtet dhe shtatoret e Romës janë e ndodhen aty prej 400 vjetësh dhe kurrkush nuk guxon t’i shkojë ndër mend e jo më t’i prekë e ndryshojë. Këta mendojnë që ta nxjerrin “turmën” e ngelur ende te dashuria për lulet e barin, dhe t’ju afrojnë si art të ri bashkëkohor skelat metalike, të cilat ne, “populli” nuk po arrijmë dot t’u njohim vlerat artistike. Për instalacionin metalik të atij japonezit, Veliaj nuk na tha se do t’i hynte gjelbërimit para Galerisë së Arteve me ekskavator gërmimi, do hapte gropë tjetër në qendër dhe do ta betononte?! Të dielën paradite shkova t’i hidhja një sy ekspozitës së Lume Blloshmit dhe çakërrita sytë i tromaksur kur pashë ç’po bënin. Kjo është e pabesueshme! Të prishësh atë pak tokë të bleruar që i ka mbetur Tiranës së betonuar dhe ta shndërrosh atë që ka ngelur në beton e hekura, kjo nuk gjen shpjegim, përpos se, ose këta nuk mbushin mirë, ose ne, së bashku me shijet tona “të vjetruara”, kemi mbetur prapa botës.

Punimet e betonimit të hapësirës së blertë para Galerisë së Arteve
Punimet e betonimit të hapësirës së blertë para Galerisë së Arteve

Nuk jam kundër artit të ri, le të aplikohet, por jo në kurriz të hapësirave të blerta. Më tej, kur sheh se instalacioni metalik mbyll përfundimisht pamjen e një institucioni të rëndësishëm të kulturës kombëtare, kupton se arbitrariteti ka prekur majat dhe institucionin Galeri Arti e Ministri Kulture nuk i përfill kush. Kjo hapësirë e blertë, nga të rrallat në Tiranë, kish kohë që po gjymtohej. Nuk do harroj kohën e para do vjetëve kur atje u pre një nga lisat më madhështorë që kish qyteti. Por durimit i vjen fundi kur pak më vonë do shohim “1 përqindëshin”, zotëruesit e pasurisë, ku shquhen bandat e ndërtimit, ato që i bënë gropën Tiranës me ndërtimet groteske, t’i turren e t’i marrin qytetarit parkun përballë dhe t’ua japin automjeteve, sipas një vendimi bashkiak të kohëve të fundit?! Çdo përrallë që tregohet se parkut “Rinia” do t’i jepen përsëri ato që do t’i merren, veçse shpalos paditurinë e sipërmarrësve! S’është e tepërt t’ju kujtojmë se bëhet fjalë për një aks që ka statusin “Monument Kulture” dhe si i tillë, ndryshimi i nënshtrohet detyrimisht disa rregullave, mes të cilave është dhe konsulta me komunitetin!

Sheshi para xhamisë, para fillimit të ndërtimit të ministrive
Sheshi para xhamisë, para fillimit të ndërtimit të ministrive

Po të marrësh parasysh se këta nuk janë të paditur, por përkundrazi, janë edhe “të gjezdisur”, është tronditës fakti që në këtë shpenzim e stërmundim për të zbuluar e për të diktuar shprehi të reja arti, nuk rastis kurrë, siç u ka hije artistëve të vërtetë, që të mos i bëjnë këto gjëra mbi kurrizin e hapësirave të blerta, për më tepër me historik, që janë të pakta, shumë të pakta e të pamjaftueshme për banorët e Tiranës. Jam i bindur se një ditë, Shqipërisë do t’i vijë një Kryetar Bashkie dhe një kryeministër, që do të jenë të një mendjeje për të shpronësuar brenda rrethit të Unazës së Vogël, sipërfaqe me ndërtime të panevojshme e për t’i shndërruar ato në lulishte me pemë hijeshuese, lule dhe blerim. Arti vizual, si çdo art tjetër, ka përcjellë gjithnjë moralin, që t’i shohësh jo si mund ai të të bëjë të lumtur, por se si mund të bëhemi të denjë për lumturi! Mënyra se si sillen me ne qytetarët administratorët e qytetit është një e papritur e dhimbshme. Lutem, vini veshin sa më sipër, se nuk janë vetëm qëndrime të miat!

  • Arif

    Zoti Peçi ngre një shqetësim të madh dhe e parashtron e argumenton drejt. Sheshi qendror nuk është më shesh; në gjendjen e tanishme ai është një hapësirë qendrore, të cilës nuk mund t’i gjesh emër të pështatshëm që të përputhjet me pamjen apo me domethënien që kanë dashur të përcjellin medemek arkitektët; bunkeri që po ndërtohet në qendër të qytetit është gjithashtu një shpifësirë edhe si pamje edhe si ide, vetëm nëse qeveria, që s’heq dorë prej tij, ka si qëllim që t’u grricë nervat qytetarëve e t’i mbajë nën trysninë e idiotësive konceptuale; nëse kryeministri e gjithë lolot që bien dakord me të duan të luftojnë harrimin e bëmave të diktaturës me anë të pranisë së bunkerëve para hundës së tyre, le të pyesin popullin se ua gjen ai zgjidhjen: le të dalin kalorës të arratisur si Don Kishoti me Sanço Pançën maleve e kodrave e të çmallen me mijëra e mijëra bunkerë, por nuk duhet të marrin guximin t’i imponojnë popullit shijet e tyre; atje ku janë nuk janë votuar për këtë punë. Ndërsa zaptimi i hapësirës së gjelbërt para Galerisë së Arteve është një budallallëk më shumë. E si mund të jetë më edukuese, më shlodhëse, më estetike e më e bukur një katrahurë metalike që e quajnë instalacion në krahasim me gjelbërimin?! Cili na jep oksigjen e shlodhje, hekuri apo gjelbërimi?! Të gjitha këto veprime, që më e pakta mund të quhen amatoreske (po jo, se këto i bëjnë naivët) vijnë era snobizëm, që s’është gjë tjetër veçse një variant i injorancës