Sport Sadiku: Më kërkuan në Bundesligë, por Vaduz ishte zgjedhja e duhur

Sadiku: Më kërkuan në Bundesligë, por Vaduz ishte zgjedhja e duhur

868
SHPËRNDAJE

“Europiani, ëndërr e çdo fëmije që pëlqen futbollin”

Ermal Kuka

Armando SadikuArmando Sadiku ka refuzuar një ofertë nga Bundesliga gjermane, për të shkuar te Vaduzi. Arsyeja e vetme pse futbollisti ka refuzuar Ingolshtadt, ishte se aty nuk kishte të sigurt një fanellë titullari dhe ai nuk dëshironte të humbiste pjesëmarrjen në Europian, e cila ishte ëndrra e tij që në fëmijëri.

Sulmuesi tregoi për “DerBund.ch” se menaxheri i tij kishte qenë në kontakte me Ingolshtadt gjatë dimrit, por në fund kishte preferuar që të qëndronte në Zvicër, te Vaduzi. “Në fund, gjithçka mbërriti te pyetja thelbësore: Ku mund të luaj më shumë? Mundësitë ishin më të mëdha te Vaduzi”, shpjegoi lojtari zgjedhjen që kishte bërë.

Futbollisti tregoi se huazimi nga Zyrihu nuk kishte ndodhur për përplasje me trajnerin Sami Hipia apo bordin drejtues, por thjesht sepse nuk kishte të garantuar aktivizimin e rregullt. Një gjë e tillë do të dëmtonte rëndë shanset e tij për të shkuar në Europian. “Nuk kishte asnjë gjë mes nesh, nuk u largova sepse trajneri nuk më donte. Në asnjë moment nuk ka pasur përplasje apo keqkuptime mes nesh. Unë kam një objektiv që dua ta realizoj dhe ai është prania në Kampionatin Europian në Francë me Shqipërinë. Trajneri Hipia e pranoi se një sulmues duhet të luajë vazhdimisht dhe të ketë praktikë ndeshjesh nëse dëshiron një vend në skuadrën kombëtare”, shpjegoi Sadiku, duke bërë të qartë se trajneri i Zyrihut nuk ia kishte garantuar dot aktivizimin e rregullt dhe si rrjedhojë ishte vendosur huazimi i tij.

Te Vaduzi gjithçka ka filluar në mënyrën e duhur me dy gola e dy asiste që në ndeshjen e parë, ndërsa lojtari pritet të jetë titullar edhe në vazhdimin e këtij sezoni për të ndjekur objektivin që i ka vënë vetes. “Europiani është një ëndërr për çdo fëmijë që pëlqen futbollin. Sigurisht që unë do të dëshiroja që të paraqitesha atje sa më mirë që të jetë e mundur. Por në fund do të isha i lumtur dhe krenar thjesht me praninë në turne duke veshur fanellën e kombëtares shqiptare”.

Pavarësisht largimit, Sadiku nuk uron që Zyrihu të bjerë nga kategoria. “Nuk jam i lumtur që ata u mundën në shtëpi këtë javë”, deklaroi sulmuesi, duke shpjeguar se ndoshta pas përfundimit të Europianit, mund të kthehet përsëri te klubi i cili zotëron kartonin e tij. “Unë jam realist dhe pragmatik. Këtu jam vetëm për 4 muaj. Nëse shkëlqej te Vaduzi dhe ecën gjithçka mirë me kombëtaren, pas Europianit mund të kthehem përsëri protagonist te Zyrihu. Nëse nuk ndodh ndonjë gjë tjetër, nga 1 korriku jam përsëri pjesë e Zyrihut”, tha ai.

 

Kritika

Mediat zvicerane “kryqëzojnë” Zyrihun

ZvicraLargimi i Armando Sadikut gjatë janarit drejt Vaduz është kthyer në temën e ditës në Zvicër, pasi mediat vendase e cilësojnë këtë një gafë shumë të rëndë të Zyrihut. E përditshmja zvicerane “Blick”, në editorialin e djeshëm, e ka cilësuar si një lojë shumë të rrezikshme pokeri atë që drejtuesit e Zyrihut kanë bërë gjatë janarit, në një moment kur klubi mban vendin e fundit në klasifikim. Huazimi i golashënuesit më të mirë të ekipit në pjesën e parë të sezonit te një rival direkt për mbijetesën, është cilësuar si “arrogancë” nga ana e klubit që filloi edicionin me pretendime për trofe.