Sociale Mbrojtja e fëmijëve, nis fushata ndërgjegjësuese në të gjithë vendin

Mbrojtja e fëmijëve, nis fushata ndërgjegjësuese në të gjithë vendin

381
SHPËRNDAJE

Plani kombëtar

Klosi: Do të përmirësojmë kuadrin ligjor. UNICEF: Të krijojmë një mjedis që e refuzon dhunën

lypesit ne TiraneNis fushata sensibilizuese për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në nivel kombëtar. Tre muaj përpara Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, 1 qershorit, Ministria e Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim me UNICEF (Organizata Ndërkombëtare për Kujdesin e Fëmijëve) dhe partnerë të tjerë kanë ndërmarrë një plan kombëtar mobilizimi për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve nën moton #UnëMbrojFëmijët. Ky slogan nuk është vetëm një hashtag, por një zotim, që e gjithë shoqëria jonë duhet të ndërmarrë për fëmijët. Është një informim dhe sensibilizim mbi abuzimin, shfrytëzimin dhe ndikimin që mund të shkaktojnë këto forma në rritjen dhe personalitetin e fëmijëve, por jo vetëm. Një tjetër objektiv që synohet të arrihet sivjet nga Ministria e Mirëqenies Sociale është ndryshimi dhe përmirësimi i kuadrit ligjor, që mbron të drejtat e fëmijëve, për të cilin kanë nisur edhe diskutimet e para mes grupeve të interesit.

“Sot (dje), në oborrin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë është prezantuar bashkë me fëmijët, plani kombëtar i mobilizimit, i cili ka për qëllim informimin dhe ndërgjegjësimin e publikut mbi format e dhunës, abuzimit, shfrytëzimit dhe neglizhimit ndaj fëmijëve, si dhe pasojat negative që shkaktojnë ato në jetën dhe mirëqenien e tyre. “Të gjithë ne kemi një rol për të luajtur, është e nevojshme që e gjithë shoqëria, familja, shkolla, institucionet, biznesi, media, komuniteti, të krijojë një mjedis mbështetës, mbrojtës për fëmijët, një mjedis që nuk e pranon dhunën, që e refuzon atë dhe njëkohësisht ndien si detyrë reagimin, mobilizimin kundër këtij fenomeni”, sqarohet në njoftimin zyrtar të UNICEF-it. Sipas saj, plani kombëtar i mobilizimit do të zhvillohet gjatë periudhës 1 mars 2016 – 1 qershor 2016 dhe do të shtrihet në të gjithë vendin, ku një vëmendje e veçantë do t’u kushtohet përmirësimeve ligjore dhe politikave të reja që po hartohen, me qëllim përmirësimin e sistemit të mbrojtjes së fëmijëve. Prezantimi i plan-mobilizimit u përshëndetet nga ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, i cili e cilësoi çështjen e të drejtave të fëmijëve, të një rëndësie madhore për vendin tonë, ndërsa u shpreh i hapur të bashkëpunojë me organizatat ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e fëmijëve për përmirësimin e legjislacionit në fuqi.

Në vijim të aktivitetit u paraqit shkurtimisht një informacion mbi planin e aktiviteteve kryesore, që do të organizohen në të gjithë vendin, gjatë tre muajve në vazhdim, axhendë që do të detajohet në muajt e ardhshëm. Ndërsa pas përfundimit të këtij takimi, një grup fëmijësh të shoqëruar nga përfaqësues të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve kanë vizituar ambientet e Ministrisë së Brendshme, të Arsimit, Drejtësisë dhe Bashkinë e Tiranës, për të përcjellë mesazhin #UnëMbrojFëmijët.