Opinion PUSHTETI DHE IDIOTËT

PUSHTETI DHE IDIOTËT

1131
1
SHPËRNDAJE

ELIDOR MËHILLI

Ellidor MehilliNuk është e lehtë të qeverisësh me idiotë. Përgjatë historisë së shkurtër të shtetit shqiptar, paradoksi ka qenë edhe ky: Nga njëra anë, pushtetarëve shqiptarë, autoritarë të pandreqshëm, u është dashur të rrethojnë veten me gjithfarë idiotësh. Nga ana tjetër, pikërisht fakti që kanë rrethuar veten me idiotë – gjë që u ka çimentuar pushtetin – ka bërë edhe të pamundur që pushteti të prodhojë suksese. Kështu, idiotët, që partive shqiptare nuk u kanë munguar kurrë, edhe i ndihmojnë, edhe u prishin punë krye-pushtetarëve. Idiotët janë edhe zgjidhja, edhe problemi.

Të marrësh, e sidomos të mbash pushtetin nëpërmjet idiotëve ka avantazhe të padiskutueshme. Së pari, idiotët janë të manipulueshëm. Ata janë të shantazhueshëm. Janë të urtë si fëmijë përkundrejt njëshit të partisë, por të egër e të pamëshirshëm kur u duket sikur u cenohet partia. Idiotët mbushin sallat me njerëz, duke përfshirë sallat e kongreseve. Idiotët lexojnë deklarata “me ndjenjë” nëpër konferenca shtypi. Idiotët shkruajnë statuse në “Facebook”. Idiotët replikojnë nëpër forume në emër të partisë, të cilën e shohin si lidhje gjaku.

Çka është më e rëndësishmja, idiotët nuk besojnë te fuqia transformuese e pushtetit – për ta, pushteti është thjesht një dukuri në natyrë, siç është graviteti apo akullnajat. Pushtetin thjesht e ke apo nuk e ke – si një lodër fëmije.

Historikisht, udhëheqësit shqiptarë kanë pasur marrëdhënie të vështira me idiotët. Gjatë diktaturës komuniste, për shembull, partia funksiononte edhe si një aparaturë komplekse e menaxhimit të idiotësisë. Idiotësia shpërblehej me poste dhe me përgjegjësi. Idiotësia ndoshta nuk të bënte dot ministër të një ministrie të rëndësishme, por mund të të bënte anëtar të Komitetit Qendror. Vetë diktatori dhe kryeministri – që mund të kenë qenë çdo gjë, por idiotë jo – habiteshin me idiotësinë e pamat të njerëzve që vetë kishin sjellë në majat e pushtetit. Kjo edhe shpjegon, pjesërisht, shpërthimet histerike të Mehmet Shehut nëpër mbledhje, talljet e përhershme që u bënte Enver Hoxha vartësve të vet apo vrasjet intelektuale, pasi i kishte vrarë edhe fizikisht. Në thelb të pushtetit ishte vetëdija – memece, por e qenësishme – se pushteti ishte vërtet i rëndë dhe monstruoz, por në fund të fundit si kurorë kishte një tufë idiotësh.

Kjo e bënte pushtetin të frikshëm, por edhe qesharak. Idiotët e pushtetshëm e kuptonin edhe vetë që nuk e meritonin pushtetin, një rregull i rëndësishëm për mbarëvajtjen e punëve, në mënyrë që gjithsecili të dijë vendin e vet e të mos bëjë shumë zhurmë.

Idiotësia çoi në atë degradim të pashoq të shtetit shqiptar në vitet ’80. Nuk flitet shumë për batakun e viteve ’80 në Shqipëri. Ndoshta ngaqë pothuaj gjithë pushteti ynë – në politikë, biznes, dhe media – e ka zanafillën në atë batak. Shumëkush e ka të vështirë ta kujtojë atë kohë të sikletshme. Prandaj vazhdojmë të lexojmë për tërë ata libra të ndaluar që janë lexuar, tërë ato këngë të ndaluara që janë kënduar, tërë ato udhëtime që janë bërë në Paris dhe Romë kur shqiptarët e zakonshëm nuk udhëtonin dot.

Të tjerë i shohin vitet ‘80 me syzet rozë të nostalgjisë për rininë, dhe kaq. Në historinë e kulturës, kalohet direkt nga Festivali i 11 te Ritfolku, pa bërë llogaritë me atë gërryerje mizore mendore që prodhoi periudha 1974-1989.

Mirëpo, nëse ka diçka që vitet ’80 na kanë lënë trashëgim është pikërisht dilema e qeverisjes me idiotë. Nuk është punë e kollajshme. Pushteti nuk mbahet dot gjatë vetëm me dhunë. Pushteti është angari e madhe. Një administratë e mbushur me idiotë të hap edhe probleme, përveç se të siguron vota në bazë rrethi apo fisi.

Në publik problemi shpesh shtrohet si çështje pushtetarësh të pangopur e të paskrupuj. Dakord. Por problemi është edhe se pushtetarët vetërrethohen me idiotë të pandreqshëm, që duke qenë idiotë, bëjnë idiotësira. Idiotësirat krijojnë probleme të reja, që kushtojnë kohë e mund për t’u zgjidhur.

Në shkencat shoqërore një dukuri e tillë njihet si “përzgjedhje negative” (negative selection). Idiotët janë të dobishëm, edhe sepse nuk e rrezikojnë pushtetin e njëshit të partisë. Mirëpo, idiotët e kanë të vështirë të dallojnë idiotësinë nga besnikëria partiake, kështu që i tërë sistemi partiak çimenton paaftësinë. Hallkat e paaftësisë bëhen po aq të trasha sa janë të gjëra edhe rrugët për plaçkitjen e shtetit.

Sot kemi edhe idiotë modernë: idiotë me mastera, me diploma shkollash të shtrenjta në Perëndim. Ka idiotë që kanë lexuar Adam Smith-in, siç ka idiotë që referencë kulturore bazë kanë Al Kaponen. Ka idiotë që dinë diçka nga shkencat shoqërore, mbi Bashkimin Europian, mbi planifikimin urban, mbi makroekonominë. Ka idiotë që dinë si përdoret “Twitter”-i. Jetojmë në kohën kur teknologjia amplifikon idiotët (300 “likes” brenda një ore në “Facebook”).

Prandaj edhe kryeministrat shqiptarë, sado që janë matur, kanë shpërthyer e vazhdojnë të shpërthejnë ndaj njerëzve që i rrethojnë. Më shumë se të tjerët, z. Rama e ka pasur të vështirë t’i kontrollojë këto lloj shpërthimesh. Por jo se partitë e tjera i kanë idiotët më të paktë, partia e madhe e opozitës është shembull se çfarë vlere dhe tragjedie është idiotësia në promovimet partiake. Ka mbetur idiot pa u shpërblyer me një post të lartë administrativ këta 25 vjet? Ndoshta dhe ka mbetur, por ka ende kohë.

Një interpretim si ky bie në kundërshti me teoritë konspirative të shtetit postkomunist. Nga Polonia, Hungaria e deri në Rusi, fundi i komunizmit vazhdon të shihet si një plan djallëzor i ish-elitave, si një formë tradhtie kundër kombit. Edhe në Shqipëri teoritë konspirative kanë marrë dhenë. Mirëpo teoritë konspirative ekzagjerojnë fuqinë intelektuale që duhet për të mbajtur pushtetin. Është më e dhembshme të pranosh se pushteti është lakuriq. Se nuk janë planet djallëzore apo duart e huaja që kontrollojnë fatet e një vendi si Shqipëria, por një dorë idiotësh pa plan.

  • Fatmir

    Shume i ashper titulli i shkrimit.