Botë E gjithë Belgjika në kërkim të atentatorit Najim Laachraoui

E gjithë Belgjika në kërkim të atentatorit Najim Laachraoui

245
SHPËRNDAJE

terroristet 1 terroristet 2Familja e terroristit me origjinë marokene e turpëruar nga veprimet, Presidenti Erdogan: I paralajmërova belgët

Policia belge ka identifikuar dy kamikazët që hodhën veten në erë në sulmet e mëngjesit të së martës në Bruksel në Aeroportin e Zaventem-it, ndërkohë që forca të shumta janë vënë në kërkim të atentatorit të tretë. “Dy sulmuesit në aeroport janë identifikuar. Individët e veshur me rroba të errëta duket të kenë qenë kamikazë, ndërsa personi i tretë, ai që mban një kapele në kokë, është ende në arrati”, tha prokurori belg, Frederic Van Leeuw. Kështu, Najim Laachraouin është njeriu më i kërkuar jo vetëm në Belgjikë, por në të gjithë Europën. Në mëngjesin e djeshëm, mediat belge raportuan se njeriu me kapele ishte arrestuar në zonën e Anderlecht-it, por policia sqaroi se aksioni ishte kryer, por në pranga nuk ra bashkëpunëtori i Salah Abdeslamit. Ndërkohë, sipas hetuesve, dy autorët e sulmeve që tronditën një ditë më parë Brukselin ishin vëllezër. Khalid dhe Brahim el-Bakraoui, nuk ishin emra të panjohur për policinë. Dy kamikazët, sipas televizionit “RTBF” ishin të skeduar. Emri i Khalid el-Bakraoui gjendet edhe në faqen e internetit të Interpolit, ku rezulton i kërkuar për aktivitet terrorist. Khalid-i ishte arrestuar një herë në 2011-n për grabitje, ndërsa Brahimi 30-vjeçar kishte përfunduar prapa hekurave tetorin e 2010-s, pasi kishte qëlluar mbi policinë. Prokuroria belge njoftoi dje se kompjuteri portativ i kamikazit Ibrahim el Bakraoui, u gjet në një kosh mbeturinash. Aty hetuesit gjetën dokumente ku atentatori shkruante: “Duhet të nxitoj, nuk di çfarë të bëj, nuk jam më i sigurt, nuk dua të përfundoj në një qeli pranë Salah Abdeslam-it”. Ditën e djeshme u mbajt një minutë heshtje në mesditë në nder të 34 viktimave, ndërkohë që një pjesë e shërbimeve të transportit në kryeqytetin belg i është rikthyer normalitetit. Policia ka njoftuar se i ka shtrirë kërkimet e saj në të gjithë territorin belg. Hetuesit dyshojnë mos atentatori i tretë, Najim Laachraoui, ka arritur të dalë nga kryeqyteti. Por nëse “njeriu me kapele”, tani është më i urryeri në Belgjikë, për të vëllain e tij mund të thuhet plotësisht e kundërta. Mourad Laachraoui është sportist i talentuar dhe vitin e kaluar ai i dha edhe një medalje Belgjikës. I riu mori pjesë në kampionatin botëror të Taekwondo-së, që u zhvillua në Korenë e Jugut. Mourad, 29 vjeç, fitoi një medalje argjendi në kategorinë 54 kg. Ndërkohë, familja me origjinë marokene dhe medalisti janë thellësisht të turpëruar nga veprimet e të shumëkërkuarit Najim dhe nga sulmet në Bruksel dhe distancohen totalisht nga ato.

Tragjedia në mëngjesin e së martës mund të ishte edhe më e madhe në kryeqytetin e Europës. Sipas mediave belge, tre terroristët kishin rezervuar një furgon në kompaninë e taksive që kishin thirrur për t’i transportuar në aeroportin Zaventem, por në vend të saj erdhi për t’i marrë një taksi. Edhe pse atentatorët këmbëngulën për të marrë të tria bagazhet, taksisti nuk pranoi të merrte të katërta valixhet. Kjo bëri që atentatorët ta linin çantën me eksploziv në shtëpi. Tragjedia do të ishte e përmasave më të mëdha, nëse kompania e taksive nuk do ta kishte keqkuptuar kërkesën e tyre. Shoferi në deklaratën e dhënë te hetuesit u tregoi se klientët nuk e lanë që ai të prekte çantën. Dhe kjo sepse bomba e katërt, shumë e fuqishme, është një variant artizanal dhe jo i qëndrueshëm, që mund të aktivizohej lehtë. Ndërkohë që Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan tha se ai e kishte paralajmëruar Belgjikën për një prej kamikazëve, por autoritetet vendase neglizhuan informacionin. “Njëri prej autorëve të sulmeve terroriste që tronditën Brukselin një ditë më parë, u ndalua nga ne dhe u deportua në Belgjikë. Autoritetet aty u paralajmëruan për prirjet e tij terroriste. Ai u kap në kufi me Sirinë, në qytetin Gaziantep, qershorin e vitit të kaluar dhe iu dorëzua autoriteteve belge së bashku me paralajmërimin se ai mund të ishte një militant i lidhur me IS-in. Por autoritetet belge injoruan këto informacione dhe e lanë të lirë atë”, tha kreu i shtetit turk. Mediat ndërkombëtare shkruajnë se Erdogani i referohet Khalid el-Bakraoui, që hodhi veten në erë. Departamenti amerikan i Shtetit i ka paralajmëruar, ndërkohë qytetarët amerikanë për rreziqet potenciale nga udhëtimi drejt Europës. Në deklaratën e DASH-it thuhet se, grupet e terrorit po përgatisin sulme afatshkurtra në mbarë kontinentin, me në shënjestër eventet sportive, zonat turistike, restorantet dhe transportin.