Aktualitet “Shqiponjat” shtojnë prezencën nëpër rrugë, antiterrori në gatishmëri

“Shqiponjat” shtojnë prezencën nëpër rrugë, antiterrori në gatishmëri

764
SHPËRNDAJE

Masat policore për sigurinë, kontrollet në Aeroportin e Rinasit dhe verifikimet e Antiterrorit ndaj personave me prirje radikale 

MASAT NË SHQIPËRI

Kontrollet – Një tjetër masë sigurie e ndërmarrë dje në Tiranë, përpos kontrolleve në Aeroportin e Rinasit ishte shtimi i autopatrullave “Shqiponja” në rrugët e kryeqytetit

Të monitoruarit – Strukturat e Antiterrorit po mbajnë nën përgjim dhe monitorim të vazhdueshëm rreth 40 persona në disa zona të njohura për dalje nga kontrolli i Komunitetit Mysliman

Mariglen Mullai

Tirana nuk ka marrë ndonjë paralajmërim serioz për akte terroriste, por për të garantuar qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve të saj ka shtuar prezencën e policisë në rrugë. Antiterrori vijon të jetë në pararojë të koordinimit të veprimeve strategjike, në konsultim të vijueshëm me partnerët e BE-së dhe SHBA-së, ndonëse deri më tani nuk ka asnjë rrezik potencial që ISIS të shënjestrojë Tiranën. Rinasi mbetet epiqendra e kontrolleve të shtuara policore për Shqipërinë, porse bagazhet dhe pasagjerët po kalojnë në skaner të detajuar edhe në dy portet e Durrësit dhe Vlorës.

http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/uploads/2019/02/imgad.gif

Masat dhe kontrollet

Ashtu si dy ditë më parë edhe dje Policia e Shtetit shtoi masat e kontrollit në aeroportin e vetëm të Shqipërisë. Nga ana tjetër, një avion i nisur nga Tirana, me destinacion Brukselin u ul pardje në Paris dhe ende s’ka ndonjë lajmërim për rifillimin e fluturimeve. Një tjetër masë sigurie e ndërmarrë dje në Tiranë ishte shtimi i autopatrullave “Shqiponja” në rrugët e kryeqytetit. Nga burimet policore mësohet për gazetën “Shqip” se forcat “Shqiponja” janë udhëzuar që të shtojnë prezencën e tyre në vendet më të populluara si sheshe, shkolla, spitale etj. Ende nuk janë angazhuar me përforcim të masave efektivët e Gardës, apo pjesa tjetër e policisë, pasi momentalisht nuk ka ndonjë rrezik për objektet e rëndësisë së veçantë. Momentalisht, në Rinas po aplikohet ai që policia e quan si alarm “portokalli”, çka përkthehet në masë të mesme sigurie, pasi e para është “e verdha” dhe e fundit “e kuqja”. Kontrolle të imtësishme të bagazheve të pasagjerëve me qen antieksploziv dhe prezenca e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë ishte panorama që ofronte dje aeroporti “Nënë Tereza”, teksa mësohet se kjo gjendje do të vijojë për një kohë të pacaktuar. Policia e Shtetit, përmes një komunikimi zyrtar, njoftoi për masat e sigurisë dhe kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për shtimin e kontrolleve. Shefi i Policisë Kufitare të Rinasit, Ermal Milori, tha se “Gatishmëria e nivelit të dytë tregon se shtohet numri i punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët janë në shërbim, shtohet numri i kontrolleve dhe masat e sigurisë. Janë pjesë e punës sonë policore”. Në Rinas, këto ditë policia operon me shkallën “portokalli” të sigurisë, ç’ka do të thotë se Forcat Speciale në bashkëpunim me njësinë Antieksploziv, do të vijojnë kontrolle rutinë të bagazheve, siç ndodhi dje, duke mbajtur gatishmërinë në shkallë relativisht të lartë. Policia operon me cilësimet “e verdhë”, “portokalli” dhe “e kuqe” në rastet kur duhet të shqiptojë nivelin e masave të sigurisë. Punonjësit e Portit të Vlorës dhe atij të Durrësit, janë udhëzuar që të tregojnë kujdes të veçantë, për sa u përket pasagjerëve dhe bagazheve, teksa është këshilluar shtim i kontrolleve të bagazheve.

Antiterrori

Belgjika është e interesuar të mësojë të gjithë itinerarin që kanë përshkruar terroristët para se të shpërthenin lëndën plasëse në aeroport dhe metro, ndaj të gjitha shtetet e BE-së po shkëmbejnë informacione. Por edhe vendeve jashtë BE-së, u është kërkuar gjithashtu informacion rreth lëvizjeve të javës së fundit, teksa një vëmendje e shtuar është përqendruar në rajonin tonë. Ballkani ka furnizuar shpesh dhe dendur Sirinë me xhihadistë dhe vlerësohet se ka shumë persona me prirje radikale që ndonëse nuk kanë qenë në frontet e luftës, pra në “tokat e Shamit” (Siri dhe Irak), ndjekin filozofinë e ISIS. Momentalisht, strukturat e Antiterrorit po mbajnë nën përgjim dhe monitorim të vazhdueshëm rreth 40 persona në disa zona të njohura për dalje nga kontrolli i Komunitetit Mysliman. Kështu, disa elementë në Shkodër, Cërrik, Pogradec, Tiranë, Librazhd etj., mbeten nën lupën e Antiterrorit të policisë dhe SHISH. Deri më tani, asnjë prej tyre nuk ka shfaqur probleme për agjencitë ligjzbatuese, por i gjithë shqetësimi ka të bëjë me elementët e heshtur, ata që nuk janë shfaqur hapur pro ISIS me postime në rrjete sociale apo veprime konkrete. Nisur nga një video që ISIS postoi para disa muajsh, ku kërcënonte Ballkanin me sulme terroriste, fillimisht ka pasur një shqetësim nga autoritetet shqiptare, por tashmë duket se situata nuk është alarmante. Ndërkaq, mësohet se është kërkuar nga strukturat e Antiterrorit vënia në dispozicion e listës me pasagjerët që janë skeduar si me prirje radikale, të cilët mund të kenë udhëtuar nga Tirana drejt BE-së.