Aktualitet Ironia e britanikëve: Nuk duam të bëhemi si Shqipëria

Ironia e britanikëve: Nuk duam të bëhemi si Shqipëria

3659
SHPËRNDAJE

Ironia ne Angli nuk duam te behemi si ShqiperiaREPORTAZH

Në Britani shpërthen apeli tallës ndaj deklaratës së sekretarit të Drejtësisë, Gove. “Daily Mail” i shkruan nga Gërdeci: Je gomar nëse dëshiron që t’i marrim si shembull 

 

DEKLARATA

Michael Gove – Shqipëria është frymëzim për Britaninë e Madhe nëse vendos të dalë nga BE-ja.

Donika Mici – E sigurt që është shaka. Do të jetë çmenduri nëse na merrni si shembull.

Zef Preçi – Është një shaka. Ne as që kemi një model. Ne jemi si ekonomi koloniale.

Ilir Zhilla – Duke u anëtarësuar ne në BE, do të kemi presion për të bërë reformat.

Besart Kadia – Nuk mund t’i krahasoni dy vendet … për shumë arsye.

Në Britani ka nisur një fushatë ironike pas deklaratës së sekretarit britanik të Drejtësisë se, Britania mund të marrë modelin e Shqipërisë për sa i përket tregtisë nëse del nga BE-ja. Kundërshtarët e tij kanë nisur të shpalosin billborde me flamurin shqiptar mbi Buckingham Palace.

Mbështetësit e qëndrimit të Britanisë në BE shkruajnë: “Ata që mbështesin fushatën e daljes nga tregu i përbashkët duan që të jemi si Shqipëria. Seriozisht”. Emri i Shqipërisë është bërë kështu objekt ironie nga britanikët, të cilët e kanë gjetur të pavend deklaratën e sekretarit të Drejtësisë, Michael Gove. “Daily Mail” e quajti qesharake idenë e tij dhe dërgoi një gazetar në Shqipëri për t’u treguar britanikëve se si gjysma e shqiptarëve jetojnë në varfëri, nën nivelin botëror të saj, me më pak se pesë dollarë në ditë. Gazetari i “Daily Mail” ka vizituar disa vende periferike të kryeqytetit, ku veç problemeve ekonomike, analizon edhe disa prej sfidave të qeverisë së sotme. Lufta ndaj kultivimit të kanabisit, problemet me papunësinë dhe shumë probleme të tjera sociale janë evidentuar në shkrimin e “Daily Mail”, si një përgjigje ndaj sekretarit të Drejtësisë.

Letra nga Gërdeci

Gazetari Ian Birrell i shkruan nga Gërdeci: I dashur zoti Gove, nëse do që të jemi si Shqipëria, jeni gomar! Vendi ballkanik zë vetëm 0.1% të tregtisë në Europë dhe thuajse gjysma e popullsisë së Shqipërisë jeton nën nivelin botëror të varfërisë, me pesë dollarë në ditë. U takova me Qemalin, i cili ishte ulur nën hijen e një peme pjeshke në Gërdec, në pritje të ndonjë blerësi për gomarin e tij. Kur iu drejtova, babai i katër fëmijëve më shpjegoi se duhet ta shiste kafshën, për shkak se ishte trokë. “Këtu nuk ka ndihmë nga shteti”, tha ai. “Nëse nuk punon, vdes.” Nuk është çudi që edhe pronari, edhe kafsha dukeshin të pangushëllueshëm. Pastaj unë e pyeta Qemalin, nëse vendi i tij mund të shërbente si shembull për Britaninë.

Më pa sikur të isha i çmendur, pastaj ia dha një të qeshure të madhe. “Kjo është e çuditshme. Ky është një vend shumë i varfër. Gjendja është shumë e keqe. Përse doni të na merrni si shembull?”

Kjo është një pyetje me vend.

Shqipëria është një vend i varfër i Ballkanit, që po lufton ende për t’i shpëtuar trashëgimisë mizore të komunizmit, krimit dhe korrupsionit.

Britania, nga ana tjetër, është një ndër vendet më të pasura të botës, vendlindja e revolucionit industrial dhe nënë e demokracisë.

Megjithatë, ky është propozimi qesharak i paraqitur javën e kaluar nga Michael Gove, kur sekretari i Drejtësisë tha se Shqipëria ishte një frymëzim për Britaninë, pas daljes nga Bashkimi Europian.

Nuk ka problem që Britania është një popullsi 20 herë më e madhe dhe mesatarisht britanikët janë pothuajse 10 herë më të pasur; dhe në të vërtetë ekonomia shqiptare është më e vogël se ajo e “Tesco” (kompani britanike), as që shteti ballkanik mbetet i varur nga fermat e vogla familjare, ndërsa Britania është një qendër kryesore botërore financiare.

Sepse, kur zoti Gove shikon përtej Adriatikut, ai sheh një vizion tërheqës për të ardhmen e Britanisë, në qoftë se populli ynë zgjedh për të braktisur Brukselin në qershor. Në një fjalim pro largimit nga BE-ja, ai nënvizoi Shqipërinë si zonë të tregtisë së lirë në kontinent, të pandikuar nga interferencat ngatërrestare.

Reagimet

Shitësi i gomarit nuk ishte i vetmi që ia dha të qeshurës me propozimin që Britania të marrë shembull vendin e tij. “Kjo është një shaka, e sigurt”, thotë Donika Mici, eksportuesja më e madhe e këpucëve me pesë fabrika dhe një mijë punëtorë. “Ju nuk mund të doni të jeni si Shqipëria. Ne jemi demokraci vetëm nga emri. Do të jetë çmenduri nëse na merrni si shembull. Ju respektoni ligjin, zbatoni rregullat, nisni punën që në mëngjes në vend që të shtroheni nëpër kafene. Ne kemi nevojë të marrim shembull vendin tuaj.” Të njëjtat përshtypje kishte edhe Zef Preçi, një ish-ministër dhe drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, i cili u mundua shumë që ta mbante të qeshurën nga ideja se çdokush do të donte të imitonte “modelin shqiptar”. “Është një shaka. Ne as që kemi një model”, tha ai, duke theksuar se Shqipëria është përgjegjëse vetëm për 0.1 për qind të tregtisë europiane. “Ne jemi si një ekonomi koloniale e bazuar në krahun e lirë të punës dhe që nuk mund të shfrytëzojë burimet e veta”.

Kjo nuk është tërësisht e vërtetë. Dy vjet më parë, qindra policë të armatosur, të mbështetur nga helikopterë ushtarakë, ndërhynë në një fshat që kishte punësuar tre mijë vetë në rritjen e marijuanës për tregun europian. Pas pesë ditësh policia shkatërroi 80 mijë rrënjë kanabis dhe 23 tonë marijuanë. Një raport zyrtar tregon se tregtia e paligjshme e marijuanës është sa 2/3 e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë.

Sigurisht që luftën kryesore Shqipëria e ka bërë për t’u shkëputur nga trashëgimia e diktaturës komuniste më paranojake dhe mbytëse në Europë, që e la vendin të izoluar deri 25 vjet më parë. Ka pak shenja të dukshme të atyre 45 viteve, kur makinat private nuk lejoheshin, madje edhe numri i pulave në një familje kontrollohej nga shteti, përveç mijëra bunkerëve betoni dhe një muze në formën e një rakete, për ish-despotin Enver Hoxha.

Megjithatë, disa analistë më thanë se mentaliteti i vjetër mbetet i fortë, pavarësisht tranzicionit të demokracisë, me një korrupsion endemik dhe politikës që përdoret shpesh për t’u pasuruar. “Ne qeverisemi ende nga e kaluara”, thotë Preçi. “Njerëzit e shijojnë lirinë, por ne nuk kemi ende institucionet për ta ofruar atë.”

Ky vend shpesh e përgënjeshtron reputacionin e tij të keq me mikpritjen, ushqimin e mirë dhe pamjen mahnitëse të maleve të thyera dhe plazheve të arta. Por këto çështje të rrënjosura thellë shpjegojnë luftën e saj për t’u zhvilluar.

“Club Med”, për shembull, hoqi dorë nga një resort turistik, një investim prej 50 milionë sterlinash, pas pesë vjetësh konflikti mbi pronësinë e tokës, ndërsa fluturimet e lira që e kanë transformuar lëvizjen, nuk e kanë prekur ende Shqipërinë. Ndërsa një miliarder amerikan hoqi dorë nga diskutimet për të investuar në industrinë e naftës këtë vit, teksa thuhet se u shpreh që “është më e lehtë të bësh biznes në Irak se në Shqipëri”.

Takova një nga aktorët më të njohur politikë, në një hotel të vogël, një burrë i bëshëm, i cili nga gazetarët vendas thuhet se është më i fuqishëm se çdo shef i bandave të krimit të organizuar. Më shtrëngoi dorën, por kur unë nisa t’i bëja pyetje, zgurdulloi sytë dhe pastaj u largua me nxitim së bashku me truprojën e tij.

Kështu pra, Shqipëria mund të ketë një normë të lakmueshme të tatimit mbi fitimin me 23% (një rritje nga taksa e sheshtë 10%, një taksë progresive për të cilën kam dëgjuar të fajësohet Tony Blair). Por Shqipëria duket vend i çuditshëm për t’u marrë si shembull nga Britania e Madhe, pas daljes nga BE-ja, veçanërisht kur rritja ekonomike është ngadalësuar, kur çereku i popullsisë ka emigruar dhe kur thuajse gjysma e atyre që ka ngelur jeton nën nivelin botëror të varfërisë, me pesë dollarë në ditë.

Në Ndroq

Në Ndroq, pranë Tiranës, gjeta Vushen 75-vjeçare të ulur përtokë jashtë shtëpisë së saj njëkatëshe, që po përkundej si fëmijë i sëmurë me sytë e saj të përlotur. Pranë saj, një banjë e jashtme që mbante erë urinë. “Na shiko ne, këtu s’ka jetë”, tha ajo. “Këtu s’ka punë. Ne s’kemi as ushqim të mjaftueshëm për të ngrënë, kështu që rrimë pa bukë.” Përtej rrugës, fqinja e saj, Serme, 64 vjeçe, po mblidhte dru zjarri për të gatuar darkën për nipërit. “Ne jemi njerëz të varfër që do të vdesim për të shkuar në Europën Perëndimore”, më tha ajo.

Dhe këtu qëndron problemi. Ata që mbështesin daljen e Britanisë nga BE-ja nuk kërkojnë me të vërtetë të imitojnë këtë vend të varfër në cep të kontinentit. Por ata janë duke luftuar për të përcaktuar formën e Britanisë në qoftë se ajo braktis klubin e Brukselit, duke ngecur në çdo shembull me të meta nga Kanadaja në Norvegji.

Sekretari Gove përmendi Shqipërinë përkrah shembujve të tjerë të çuditshëm të paqes dhe prosperitetit – Serbia, Bosnja dhe Ukraina – për shkak se ata kanë akses në tregjet europiane pa pasur nevojë të pranojnë gjithë ato rregulla të bezdisshme të Brukselit.

Megjithatë, marrëveshja e Shqipërisë mori gjashtë vjet negociata me BE-në, e cila nuk është shenjë e mirë për stabilitetin britanik. Nuk ka lëvizje të lirë vetëm sepse heqja e regjimit të vizave u refuzua. Dhe ironikisht, thuajse të gjithë shqiptarët e shohin këtë si një hap të rëndësishëm në anëtarësimin e plotë.

Ilir Zhilla, një biznesmen dhe ish–kryetari i Dhomës së Tregtisë, më tha se ata shpresojnë integrimin në BE, sepse duan standarde më të larta. “Duke u anëtarësuar, ne do të kemi presion për të bërë reformat dhe për të bërë shumë gjëra të mira për vendin tonë”, më tha ai.

Kjo i jep një drejtim tjetër “modelit shqiptar”.

Megjithatë, për të gjithë alegrinë e provokuar nga shitësi i gomarit te biznesi i madh, debati mbi rolin e Britanisë së Madhe në botë nuk duhet të jetë një çështje të qeshure.

Ndoshta ata që bëjnë fushatë pro daljes së Britanisë duhet të dëgjojnë Besart Kadinë, një i shkolluar në Britani, drejtor i Fondacionit për Liri Ekonomike, që promovon politikat e tregut të lirë në Tiranë. “Nuk mund t’i krahasoni dy vendet për shumë arsye”, thotë ai. “Por ne jemi duke vepruar nga një ndjenjë inferioriteti për të përmirësuar Shqipërinë – kështu që ata nuk janë duke i bërë ndonjë nder Britanisë me këtë krahasim absurd.” Do të duhet të keni kokëfortësinë e një mushke për të mos qenë dakord.