Opinion POSTDIKTATURAT PRODHOJNË OSE SHARLATANË OSE BUDALLENJ

POSTDIKTATURAT PRODHOJNË OSE SHARLATANË OSE BUDALLENJ

752
SHPËRNDAJE

ILIR YZEIRI

Ilir YzeiriGjithnjë e më shumë, shoqëria shqiptare po identifikohet me një teatër në skenën e të cilit luhen shfaqje që kanë subjekt histori banale dhe kriminale gjithashtu. Nganjëherë ke përshtypjen se ndodhesh ose në shkollën e riedukimit ose në një kopsht zoologjik. Artefakti i madh mbi të cilin pasqyrohet apo shfaqet fytyra e shoqërisë shqiptare është një ekran ku parakalojnë gjithë llumi i ambientit social, gjithçka e mbrapshtë që bën njeriu dhe ne të gjithë jemi të dënuar nga mëngjesi në darkë të ndjekim parakalimin e banditëve, kriminelëve dhe akuzatorëve me kollare që e kanë ndarë Shqipërinë në parcela bandash dhe të gjitha institucionet publike, nga Policia e Shtetit deri te gjykatat vizatohen prej këtyre sharlatanëve si zyra operative të bandave politike. Pështjellimi është kaq i madh sa edhe ngjarje të mëdha e që ndodhin vetëm një herë në jetën e kombeve, siç kanë qenë pranimet e Kosovës në organizatat botërore UEFA e FIFA përcillen me një lloj cinizmi dhe në nënvetëdije dikush do të donte që të mos prishej ritmi i derdhjes së llumit të trashë e të zi të historive me drogë, me brekë të grisura, me banditë që kanë pushtuar zyrat e shtetit dhe me akuzatorët me kollare që dalin nëpër konferenca shtypi para posterëve të mëdhenj ku bëhet thirrje që Shqipëria ose të rrëmbejë armët ose të ngrihet. Nga ana tjetër, dy ambasadorë të nderuar që ngjajnë më shumë me personazhet e novelës Dosja H. të Kadaresë duan t’ju imponojnë politikanëve të këtij vendi një tekst tjetër në të cilin sanksionohet me anë të gjuhës së shkruar dhe me nene të posaçme kufizimi i lirisë së politikanëve për të vjedhur, për të plaçkitur këtë vend dhe për t’u bërë palë me banditët. Ajo që quhet reformë në drejtësi ka marrë pamjen e një bible të re për politikanët shqiptarë dhe dy ambasadorët herë ngjajnë si misionarë entuziastë e herë të tjera ngjajnë si misionarë të tradhtuar e të nëpërkëmbur, e në ndonjë rast edhe të përqeshur e të tallur. Ndërsa publiku në përgjithësi nuk beson sepse nga përvoja e tij në këto njëzetë e ca vjet tranzicion të lodhshëm e ka kuptuar se pas diktaturës ky vend ka prodhuar sharlatanë dhe budallenj, se në krye të punëve të këtij vendi nuk janë ngjitur dot ata që kanë dhënë prova se mund të shërbejnë më mirë për të gjithë, por janë ngjitur ata që kanë dhënë prova se mund të vjedhin dhe të vrasin më mirë se të gjithë. Ndaj dhe ky vend zhvillohet siç tha dhe Kadareja këto ditë, duke kaluar nga kaosi në kaos, pa renditje, pa logjikë.

I pajetueshëm nga njeriu apo nga Perëndia

Ka mjaft diskutime sot dhe mjaft anekdota historike po ashtu të cilat kanë në themel një argument: Shqipëria është një vend i bukur, por i pajetueshëm. Çfarë e bën të jetueshëm një vend? Natyrisht ky është një problem i ndërlikuar dhe i gjerë dhe kërkon ndihmesën e shumë disiplinave, por ajo që mund të themi qysh në fillim është se njeriu pa e ndier jeton në të njëjtën kohë në dy botë, në atë të natyrës, pra në një hapësirë të caktuar dhe në atë të njerëzve. Ne të gjithë jemi të ndërlidhur me mijëra fije me të tjerët e ngjashëm si ne apo të ndryshëm, jemi në kontakt të vazhdueshëm me të kaluarën tonë, me monumentet dhe ajo që përcakton më në fund gjithçka është se ne jemi një folës në tekstin e madh që shkruajmë të gjithë, pra ne jemi viktima dhe autorë të ligjërimit që ndërtojmë të gjithë. Ne dalim në mëngjes nga shtëpia dhe koka jonë është e mbushur me tekstin apo me ndjesitë e spektaklit që pamë në darkë kur si spektatorë të teatrit të madh pamë shfaqjen e radhës me banditë që i kërkon policia, me brekë të grisura heronjsh të shpifur, me heronj të tjerë që si Don Kishoti na bëjnë thirrje të rrëmbejmë armët dhe që të gjithëve na krijohet përshtypja se jetojmë në një vend të pushtuar, jo të lirë. Ndaj në mëngjes duhet të kemi kujdes që fëmijën ta shoqërojmë deri te dera e kopshtit apo shkollës, që në rrugë të vazhdojmë debatin për taktikat e luftës që do të përdorim për kundërshtarin politik dhe bandit. Kur të ulemi në kafe duhet të jemi të vëmendshëm që ta vijojmë bisedën aty ku e la kryebanditi politik ose kryebudallai i qeverisë në mënyrë që debati t’i ngjajë ndeshjes dhe gjyqit politik. Në fund askush nuk duhet të dalë i fituar, por të gjithë duhet të jenë të zemëruar dhe të revoltuar. Me këtë vetëdije duhet të bëhemi gati që sapo të hyjmë në shtëpi, të ndezim përsëri zjarrin e pasionit, duke ndjekur seancat e radhës së Parlamentit aty ku lufta është i vetmi kuptim i jetës dhe aty ku një prej sharlatanëve më të mëdhenj të të gjitha kohëve historike do të shqiptojë gjithë marrëzitë e kësaj dynjaje dhe po aty nuk duhet të humbasim kohën kur atij t’i përgjigjet me një hartim të shkruar prej ndonjë metodisti të kulturës budallai i gjatë që na drejton, ai që tani në fund nuk pyet më por edhe zonjës Hafizi, profesoreshë dhe deputete, i thotë Ulu aty! Mbylle gojën! Kështu nën morsën e një sharlatani dhe të një budallai, ne shtrëngohemi përditë dhe ngrysim një natë e gdhijmë një ditë me ankth në zemër se mos budallai i gjatë do të na shfaqë ndonjë projekt me ndonjë kullë sipër apo se kur ka ndër mend t’i turret me ruspa Liqenit dhe nga ana tjetër, vëmë duart në kokë kur dëgjojmë sharlatanin historik që heq filtrin nga trutë dhe i lë të rrjedhin gjithë ujërat e ndotura të ligjërimit. Në këto kushte, askush nuk kujtohet se që një vend të bëhet i jetueshëm, ai ka nevojë për një përmasë tjetër, ai ka nevojë për atë që quhet lojë. Ka nevojë që një shoqëri të zgjedhë në krye të saj njerëz normalë që nuk e pushtojnë vendin, por e çlirojnë atë sa më shumë të jetë e mundur nga babëzia e krimit dhe e fëlliqësisë së hajdutit, ka nevojë për një shoqëri që flet më shumë për gjërat e bukura që ka jeta, për artin e letërsinë, për sportin e zbavitjen e jetës, për kënaqësitë që të jep jeta dhe jo për mallkimin pse duhet të jetosh. Mirëpo, në një vend që qeveriset herë nga një sharlatan e herë nga një budalla, kjo është e pamundur. Ndaj ky vend i bukur po bëhet i pajetueshëm.