Opinion REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SKANDALEVE

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SKANDALEVE

956
0
SHPËRNDAJE

ELIDOR MËHILLI

Ellidor MehilliSi thashethemet për përgjimet dhe kundër-përgjimet, edhe e kaluara vazhdon të na përcillet brenda rubrikës së skandalit. Faqet e pavdekshme “dossier” vazhdojnë të numërojnë zullumet e pushtetarëve të diktaturës komuniste, sekretet që s’janë më sekrete (kush mban mend se ç’sekrete janë nxjerrë në dritë vite më parë?), spiunimet, tradhtitë, tmerret, trillet.

Ca janë mashtrime. Ca s’janë. Kush dreqin e di? Skandalet bëhen pirg. Historia bëhet film, on a loop; një pjesë horror, pjesa tjetër pornografi.

Thuhet se rubrikat “dossier” tërheqin lexues e klikime. Ka mundësi që të jetë pikërisht kështu, sepse ka edhe gazetarë që duket se merren posaçërisht me diktaturën si burim historish tabloid. I bën dot me faj? Sot, edhe politika e ditës është bërë tabloid, se edhe shefat dhe çupat e partisë e shohin veten si personazhe rozë.

E kaluara na vjen në formë denoncimesh të vazhdueshme, sidomos kur ngatërrohen çështje të pushtetit me çështje të trupave të njerëzve të veçantë, dhe të “higjienës morale”. Kështu, pushteti i djeshëm nuk vjen si një ngrehinë shoqërore dhe kompleks interesash të caktuara, por si manifestim vesesh vetjake, gjithfarë cenesh dhe aktesh seksuale, që duhet të skandalizojnë publikun puritan shqiptar.

“Feçor Shehu na turpëroi, përdhunoi vajzën e mikut që i shkuan mysafirë”, – trumbeton njëri titull. “Si i ngacmonin gratë e njëri-tjetrit oficerët e Sigurimit: Buzët e ëmbla dhe shalët e tua të nxehta do më bëjnë të luaj mendsh”, ia pret e përditshmja tjetër. “Flet gjyqtari që dënoi polaken e bukur”, kuqon kronika përballë. “Ishte me hire joshëse, i ngjante Marilyn Monroe”…

Historia e Shqipërisësë së vogël krenare: Feçori dhe hiret joshëse. Ky është zbulimi i madh publik shqiptar nga arkivat dhe zhbiruesit, që prej një çerek shekulli post-komunizëm: Pushtetarët kanë shfrytëzuar pushtetin për të bërë seks. Kaq. Le të bëjmë sikur shokohemi për një çast.Ndonjë ditë kushedi zhbiruesit do zbulojnë edhe Amerikën.

Megjithë sëmundjet e detajuara të anëtarëve të Byrosë Politike, megjithë prapaskenat e krevateve dopio, megjithë të fshehtat e zhveshura, “faktet” e sjella e të risjella duken sterile. Të pajeta. Asnjë nga to nuk shpjegon asgjë më shumë për funksionet e diktaturës, për implikimin që ishte në qendër të pushtetit, apo për shoqërinë mizore që riprodhonte diktatin, edhe në sajë të sjelljes si polic mbi trupat e njerëzve dhe epsheve të tyre.

Edhe padrejtësitë, të numëruara një nga një dhe të bëra litar rreth fytit të kombit, duken si të një bote tjetër. Në vend që marshimi i dokumenteve, “fakteve” dhe dëshmive të shpjegojë më mirë të kaluarën, e kaluara vetëm sa bëhet akoma dhe më e parrokshme, e huaj, arbitrare.

Kjo vjen edhe sepse skandali sillet për konsum, jo për interpretim. A nuk është marrja me pushtetin sikur të ishte kronikë rozë edhe një dorëzim mendor ndaj tij? Pushtetin nuk e shpjegokemi dot përveç se si të personalizuar. Përgjegjësia për qeverisjen (apo keq-qeverisjen) qenkërka patjetër morale, ndërsa abuzimet e pushtetarëve qenkan patjetër shprehi e kalbjes sëbrendshme të tyre.

Një qasje e tillë, që e mbyll me zor analizën historike brenda kornizave të moralit, është vetë-sabotuese. Kush ka ngé t’i numërojë, le t’i numërojë veset, cenet dhe orekset e pushtetarëve përgjatë historisë (si edhe të njerëzve pa pushtet, xhanëm, sot e gjithmonë). S’kanë fund. T’i radhitësh në një shirit televizori apo t’i shohësh në YouTube, nuk shpjegon ndonjë gjë të madhe. Shkrimet historike që ngatërrojnë pushtetin me jetët intime të pushtetarëve mund të kenë sukses në treg, por mbeten përfundimisht shëllirë, sado bukur t’i paketojnë.

Çfarë vjen pas gjasme-skandalizmit? Pas ritualit të dënesës në kor? Kjo qasje u jep mundësi atyre që hiqen si konservatorë në çështje të moralit, po që vetë pushtetin do ta përdhosnin në njëmijë mënyra, po të mundnin, siç edhe e kanë përdhosur kur kanë mundur, të hidhen syptrembur në sulm: të shpëtojmë moralin e kombit.

Pasi kanë rrënuar territorin, pasi kanë çmontuar pasuritë natyrore një nga një, pasi kanë zhvatur pa hesap, pasi kanë vrarë, pasi kanë sabotuar të ardhmen e një vendi që, për nga popullsia, është sa një lagje e një kryeqyteti të madh botëror, tashmë, do t’i dalin për zot moralit.

Marrëdhënia me të shkuarën dhe pushtetin kthehet kështu në një gjyq popullor, në kushte ku vendi nuk ka ende një rend ligjor. Ironikisht, pushtetarët shqiptarë, që e kanë shkelur me këmbë sistemin e drejtësisë, e gjejnë veten përballë sikletit të një gjyqi pa gjyqtarë, të një drejtësie që jepet si linçim publik – gjueti shtrigash.

Ka edhe një efekt tjetër anësor kjo varësi ndaj historisë politike shqiptare si histori skandalesh. Duket sikur çdo ditë që kalon, skandalet e skandalizojnë publikun më pak se ditën e djeshme. Ata qëi tregtojnë skandalet duhet ta dinë se edhe e mësojnë publikun me to, si një lloj vaksinimi në kohë.

Duke qenë se skandalet e humbasin gjithmonë e më shumë efektin, ditë pas dite, muaj pas muaji, duhen gjetur skandale tëreja tek e shkuara, më të madhërishme se të parat, më skandaloze se të djeshmet, më seksuale, që të fyhet më rëndë sensi i moralit në vendin e vogël që eksporton krim dhe azilantë.

Kushedi, ndonjë ditë do vijë ndonjë qeveri që do të premtojë jo vende pune, investime, dhe rritje ekonomike, por rritje në përqindjen e skandaleve. “Vetëm në gjashtë-mujorin e parë, prodhuam dyqind skandale. Dhjetë përqind rritje në krahasim me vitin e kaluar. Mot do të prodhojmë edhe më shumë. Shqipëria: vendi i dytë pas Gjermanisë për nga skandalet”.