Policia italiane zhvillon dy operacione, “Ç’a bon 2” dhe “Daku”, duke arrestuar dhjetëra persona. U kapën me hashash dhe kokainë, e trafikonin nga Shqipëria në Itali dhe më pas në Holandë
Trafiku – Droga mbërrinte nga Holanda drejt Shqipërisë e fshehur në makina të modifikuara kryesisht me targa franceze gjermane e duke hyrë nga 3 pikat kufitare “Frejus”, “Brennero” e “Monte Bianco”
Operacioni – Hetimi për këtë rrjet ka zgjatur plot dy vjet dhe policia italiane gjeti të fshehura nëpër automjete 53 kilogramë kokainë, 18 kilogramë heroinë, 65 kilogramë hashash
Paratë – Paratë e përfituara nga trafiku i drogës dërgoheshin në Shqipëri me avionë kryesisht nga persona të padyshimtë e femra, por dhe me anë të autobusëve
Dy operacione antidrogë janë zhvilluar në Itali, ku në pranga kanë përfunduar 38 shqiptarë dhe italianë, të cilët trafikonin hashash dhe kokainë. “Daku” dhe “Ç’a bon 2” janë kodet e operacioneve të vendosura nga policia italiane, e cila ka interceptuar telefonatat e anëtarëve të grupit, duke kapur edhe kodet. Sipas mediave italiane, policia në Varese ka ekzekutuar fazën përfundimtare të operacioneve. Këto operacione të koordinuar nga prokurori i Milanos Luigi Luzi, ka çuar në sekuestrimin e 58 kg kokainë, 18 kg heroinë, 31 kg hashash e 34 kg marijuanë, 170 mijë euro të thata, 13 automjete, 2 banesa në pronësi të bandës, e 1 pistoletë. Lënda narkotike e sekuestruar do të kapte në treg vlerën e rreth 8 milionë euro.
Operacioni “Daku”
Mësohet se operacioni ka nisur hetimet më vitin 2014 duke u shtrirë në provincat e Lombardisë, Piemonte e Veneto. Hetimet e policisë italiane zbardhën se trafikantët udhëtonin periodikisht mes Shqipërisë e Holandës për blerjen e lëndës narkotike. Droga mbërrinte nga Holanda drejt Shqipërisë e fshehur në makina të modifikuar kryesisht me targa franceze gjermane e duke hyrë nga 3 pikat kufitare “Frejus”, “Brennero” e “Monte Bianco”. Pasi mbërrinte në Itali droga përpunohej e përgatitej në rafineri të improvizuara nëpër apartamente në përdorim të shtetasve shqiptarë. Pas operacionit “Ç’a bon 2”, policia italiane ka ndërmarrë edhe një tjetër operacion të koduar me emrin “Daku”, një fjalë në zhargonin e rrugës në gjuhën shqipe, por edhe pseudonimi i drejtuesit të rrjetit. Operacioni ka çuar në pranga 36 persona dhe plot 140 kilogram drogë janë kapur nga policia. Droga nisej nga Amerika Latine në Holandë e më pas me automjete drejt Italisë.
Hetimi për këtë rrjet ka zgjatur plot dy vjet dhe policia italiane gjeti të fshehura nëpër automjete 53 kilogramë kokainë, 18 kilogramë heroinë, 65 kilogramë hashash, shumë automjete dhe një armë zjarri.
Sipas policisë, drejtuesit e trafikut ishin shqiptarë që jetojnë në Holandë e kalonin drogën në Itali ku u shpërndahej rrjeteve të tjera. “Paratë e përfituara nga trafiku i drogës dërgoheshin në Shqipëri me avionë kryesisht nga persona të padyshimtë e femra, por dhe me anë të autobusëve të linjës Itali-Shqipëri që transportojnë pako e njerëz”, shkruajnë mediat italiane. Sipas tyre, paratë e mbërritura në Shqipëri përdoreshin për të blerë sasi të reja droge, por dhe riktheheshin në Itali me anë të çeqeve bankare për t’u përdorur më pas për të blerë pasuri të patundshme.
Operacioni “Ç’a bon 2”
Policia italiane e qytetit të Romës në bashkëpunim me policinë e qyteteve të Ankona, Kuneo, Padova, Prato e Viterbo kanë arrestuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm 22 persona, shtetas shqiptarë e italianë me akuzën e grabitjes me armë e trafik të lëndëve narkotike.
Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 350 kg marijuanë, 500 gramë kokainë, 2 pistoleta me numër serie të fshirë si dhe 2 pistoleta të tjera të importuara në mënyrë klandestine në territorin italian.
Operacioni “Ç’a bon 2” është faza e dytë e operacionit “Ç’a bon 2” nisur më vitin 2014 i cili çoi në arrestimin e 5 shtetasve shqiptarë, si dhe sekuestrimin e 800 kg marijuanë e importuar nga Shqipëria duke e fshehur në brendësi të një blloku çimentoje të transportuar me traget drejt Italisë. 22 personat e arrestuar janë shtetas shqiptarë e italianë të njohur nga forcat italiane të rendit, e anëtarë të dy grupeve kriminale. Grupi i parë përbëhej kryesisht nga shtetas shqiptarë rezidentë prej disa vitesh në Itali, e që merrej kryesisht me importimin e lëndës narkotike nga Shqipëria drejt Italisë.
Sipas përgjimeve telefonike të policisë italiane, trafikantët përdornin mesazhe në kod për të komunikuar mes tyre. Droga quhej “kuti boje”, “vajza”, “makina”, ndërsa paratë për blerjen e saj quheshin në kod “dokumente” apo procesi i shkëmbimit të mallit “takim për një kafe”. Grupi i dytë kriminal përbëhej nga shtetas italianë, rumunë, rusë e shqiptarë e aktivitetit i tyre kishte të bënte me grabitjen e lëndës narkotike nga grupet rivale. Gjatë një episodi të dokumentuar nga policia italiane ky grup kishte mundur të vendoste brenda një ngarkese droge të importuar nga Shqipëria një sinjal GPS dhe me anë të një specialisti rumun identifikuan pikën bregdetare në provincën e Barit ku do të shkarkohej droga e importuar me anë të një skafi nga Shqipëria e duke u shtirur si agjent të policisë italianë ky grup kriminal u grabiti rivalëve të tyre lëndën narkotike. Sipas policisë italiane, dy organizatat kriminale ishin në aktivitet të plotë kriminal, pasi gjatë arrestimit në apartamentin e dy prej tyre janë sekuestruar 3 kg marijuanë.