Sport Europa League, Partizani barazon me Slovan Bratislavën

Europa League, Partizani barazon me Slovan Bratislavën

829
SHPËRNDAJE

Partizani 1Partizani ka marrë një barazim të vlefshëm në ndeshjen e parë të turit paraeliminator të Ligës së Europës. Në ndeshjen kundër Slovan Bratislavës, të kuqtë kanë barazuar 0-0 në stadiumin e Elbasanit të mbështetur fuqishëm nga tifozeria e tyre.

Në të vërtetë ka qenë një ndeshje e bukur, ku të dyja skuadrat kanë kërkuar golin sidomos në pjesën e dytë, ku miqtë kishin mundësi të shënonin në minutën e 91-të teksa goditën edhe traversën. Pjesa e parë ka qenë pa shumë emocione. Të kuqtë kontrollonin lojën, ndërsa sllovakët përpiqeshin të kundërsulmonin. Një rast i mirë për vendasit ishte në minutën e ‘32 të takimit, kur një goditje e Filit me të djathtën brenda zonës, u devijua nga portieri sllovak.

Ndeshja u karakterizua nga një lojë e kujdesshme nga të dyja skuadrat, por paçka këtij ritmi, gjyqtari izraelit nxori dy kartonë të verdhë për Partizanin, duke ndëshkuar Filin në minutën e ‘19 dhe Bathën në minutën e ‘25. Por rastet dhe emocionet nisin pas minutës së 60-të dhe i pari e dha sinjalin Fili, i cili shërbehet saktë në zonë pas një krosimi të Trashit dhe godet me kokë brenda zonës, me topin që përfundon në duart e portierit kundërshtar.

Tre minuta më pas, regjistrohet një tjetër rast i rrezikshëm për Partizanin. Trashi harkon sërish nga e majta dhe është sërish Fili që fiton duelin me mbrojtësin shtatlartë sllovak, duke e dërguar topin jashtë. Në minutën e 73-të, Batha mund të zhbllokonte rezultatin, godet me kokë, por topi devijohet nga Mucha i Sllovan Brarislavës.

Në minutën e 89-të është Vila ai që i afrohet golit, por durrsaku godet me të majtën jashtë kuadratit. Një minutë pas kohës së rregullt, sllovakët godasin traversën me Shet dhe gjyqtari mbyll ndeshjen në barazim pa gola. Pas këtij barazimi, kualifikimi do të vendoset në Sllovaki javën e ardhshme. Partizani drejtohet nga ish-trajneri Sulejman Starova, pasi Adolfo Sormani ende nuk mund të ulet zyrtarisht në stol. Ai pritet të prezantohet në ditët në vijim, pasi deri më datë 30 qershor ka një tjetër kontratë të vlefshme.

28 qershor 2016 (gazeta-Shqip.com)