Sport Gledi Mici kalon tek Skënderbeu, Kukësi merr 30 mijë euro

Gledi Mici kalon tek Skënderbeu, Kukësi merr 30 mijë euro

295
SHPËRNDAJE

MiciPërfundon telenovela e merkatos rreth Gledi Micit. Mbrojtësi i majtë u prezantua si përforcim i Skënderbeut. Zyrtarizimi u konfirmua nga faqja zyrtare e klubit korçar, në një fotografi ku lojtari shtrëngonte duart me presidentin Ardjan Takaj, ku siç e do tradita realizohet përpara trofeve të fituar nga skuadra, ku spikasin gjashtë titujt radhazi kampionë të Shqipërisë. Më parë Mici kishte firmosur kontratën që e lidh me Skënderbeun për dy vitet në vazhdim.

Korçarët fituan në këtë mënyrë garën me Partizanin dhe vendimtar ishte akordi i arritur me Kukësin, me klubin veri-lindor që nga largimi i mbrojtësit përfitoi shifrën e 30 mijë eurove. Pas akordit ndërmjet dy klubeve, Skënderbeu gjeti edhe marrëveshjen me Gledi Micin, që për të nisur një aventurë të re në Korçë u bind nga projekti i klubit, por edhe nga fakti se do të përfitojë plot 5 mijë euro pagë mujore. Menjëherë pas prezantimit, 25-vjeçari do të nisë menjëherë punën nën urdhërat e trajnerit Andrea Agostinelli.

Lojtari do ti bashkohet menjëherë Skënderbeut në Ptolemaida të Greqisë, aty ku skuadra po zhvillon fazën përgatitore për sezonin e ri. Me afrimin e Micit, Skënderbeu kompleton repartin difensiv, aty ku alternativa e vetme në krahun e majtë ishte Leonit Abazi, ndërsa në krahun e djathtë përveç Idrizajt mund të aktivizohet edhe Radas. Me transferimin e ish-mbrojtësit të Kukësit, Skënderbeu mbyll zyrtarisht merkaton, pasi Mici ishte afrimi i nëntë për korçarët dhe përforcimi i fundit i kërkuar nga trajneri Agostinelli.

16 gusht 2016 (gazeta-Shqip.com)