Rajon Kosova anëtarësohet në ACEEEO. Loboi edhe KQZ

Kosova anëtarësohet në ACEEEO. Loboi edhe KQZ

124
SHPËRNDAJE

kosovaKomisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës është anëtari më i ri i Shoqatës ndërkombëtare të Trupave të Menaxhimit të Zgjedhjeve (ACEEEO).

Pranimi i Kosovës është bërë në konferencën e 25-të të shoqatës, që po zhvillohet në Tiranë, si dhe pas një lobimi mjaft të rëndësishëm që ka bërë kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Shqipërisë, Lefterije Luzi.

Ndërkohë, Valdete Daka, kryetarja e KQZ-së së Kosovës, në një prononcim për “Top Media”-n ka falënderuar homologen shqiptare dhe vendet që votuan “pro”, si dhe ka shprehur pritshmëritë nga anëtarësimi në këtë shoqatë.

“Nga kjo organizatë presim të kemi përfitim nga eksperienca e të gjitha trupave menaxhuese të zgjedhjeve të Europës, Europës Juglindore dhe Lindore, nga të cilat do të përfitojmë edhe ne. Kemi mundësi që të trajnohemi, kemi mundësi që të vëzhgojmë zgjedhjet kudo në Europë e botë”, deklaroi Valdete Daka.

Ndërsa kryetarja e KQZ-së së vendit tonë, në prononcimin e saj u shpreh se ky anëtarësim i Kosovës është mirë edhe për vet shoqatën.

“Sigurisht që është një gjë shumë e mirë për Shqipërinë, por edhe për vet organizatën. Do të thoja se përfitimet do të jenë të gjithanshme, si për Kosovën edhe për organizatën, nga eksperiencat. Kjo sepse jo vetëm që marrim eksperienca, por edhe japim”, u shpreh Lefterije Luzi.

Konferenca e 25-të e Shoqatës së Trupave të Menaxhimit të Zgjedhjeve është vizituar edhe nga deputetë të Kuvendit, si dhe nga kryetari Ilir Meta, që vlerësuan shkëmbimin e eksperiencave në këtë aktivitet.

23 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)